E Diel, 1 Nëntor 2026

Imami: Ministria e Mbrojtjes nuk shet prona, po i dorëzojmë ato sipas hartave të vitit 1990

08-11-2012 / Gazeta 55

Komisioni për Sigurinë Kombëtare seancë dëgjimore për pronat e Ministrisë së Mbrojtjes

Komisioni Parlamentar për Sigurinë Kombëtare ka zhvilluar sot një seancë dëgjimore me ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami, i cili falënderoi për ftesën që i është bërë në këtë mbledhje dhe ka dhënë sqarime për çështjen e zbatimit të ligjit për trajtimin dhe administrimin e pronave të Forcave të Armatosura, si dhe i është përgjigjur me radhë  pyetjeve të drejtuara nga deputetët, anëtarë të këtij komisioni parlamentar.
“Deklarata ime e parë e rëndësishme është që Ministria e Mbrojtjes nuk shet prona, por me këtë proces merret Ministria e Ekonomisë. Ajo është përgjegjëse në këtë proces, ndërsa Ministria e Financave nëpërmjet Agjencisë së Ankandeve bën shitjen përfundimtare të tyre. Detyra jonë është që vetëm t’i dorëzojmë pronat e tepërta me aq metra katrorë që ka pasur në vitin 1990”, është shprehur Imami.
Trajtimi serioz i pronave, ka theksuara më tej ministri Imami, ka filluar që në vitin 2003, me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 515, datë 18.07.2003 “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”. Me këtë vendim të KM i kanë kaluar në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes 1117 prona.
Ministri Imami ka sjell në vëmendje të Komisionit disa procedura që kanë ndjekur për trajtimin e këtyre pronave paraardhësit e tij ministra të Mbrojtjes.
“Në vitin 2004, tha ai, ministri Majko i është drejtuar Presidentit të Shqipërisë,  Alfred Moisiu, me një relacion, të cilin unë mund t’ua jap sot juve, pasi ai nuk është i klasifikuar. Në këtë relacion kërkohet të përcaktohet numri i pronave që do të mbeten në FA. Nga 1117 prona që janë në administrim të MM, vetëm 283 janë brenda Planit të Përhapjes dhe afërsisht 850 të tjera janë jashtë këtij plani. Ky besoj se ka qenë një vendim i drejtë, ashtu sikurse kanë qenë të drejta edhe vendimet e paraardhësve të tjerë, nëpërmjet të cilave kanë shkuar duke e ngushtuar numri i pronave për shkak të uljes së numrit të ushtrisë, për shkak të ndryshimit të madh rrënjësor që ndodhi në Shqipëri pas vitit 1990 dhe përcaktimit të misionit kushtetues të Forcave tona të Armatosura”. 
Duke vijuar më tej, ministri Imami theksoi se, “megjithëse në një urdhër të ministrit Majko përfshihet një pikë e veçantë që kërkon që gjatë inventarizimit të kihen parasysh hartat e miratuara para vitit 1990, ajo që ne kemi identifikuar për ato ka qenë mospërputhja e sipërfaqeve të miratuara me ato reale sipas kufijve që kanë pasur ato reparte ushtarake në vite. Po kështu kemi konstatuar mosinventarizimin e një numri të konsiderueshëm pronash në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes dhe ky ka qenë objekti ynë i punës, kjo ka qenë përpjekja jonë për zbatimin e ligjit për menaxhimin e pronave në MM. Për riparimin e këtij difekti, ka sqaruar ai, pas vitit 2009 i është kushtuar një vëmendje e veçantë inventarizimit të të gjithë pronave dhe të saktësimit të sipërfaqeve të tyre sipas kufijve realë”.
Më tej, ministri i Mbrojtjes Imami ka informuar se, “për ta pasur sa më të organizuar dhe të kontrolluar këtë proces dhe duke pasur përvojën e shkëlqyer të Bordit për Demilitarizimin dhe për Materialet e Tepërta, me urdhër të veçantë të ministrit të Mbrojtjes, që në mars të vitit 2011, është ngritur një bord i posaçëm për menaxhimin e pronave ku janë të inkuadruar drejtues të lartë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm, bord i cili me një transparencë të plotë merret me regjistrimin dhe inventarizimin e gjendjes së pronave”.
Ministri i Mbrojtjes Imami ka informuar anëtarët e Komisionit se, për të përshpejtuar procesin e privatizimit të pronave të tepërta jashtë funksionit të përdorimit për FA kemi përgatitur dhe kemi dërguar në Ministrinë e Ekonomisë listën e të gjitha pronave të lira së bashku me anëtarin e komisionit, gjë e cila është detyrë e jonë, ndërsa Komisionin për Vlerësimin e Pronave e ngre ministria e Ekonomisë.
Duke folur për transparencën që kërkon ku proces, Imami theksoi se, “që në vitin 2010 në uebsit-in e MM janë pasqyruar mbi 700 prona, në mënyrë që të gjithë qytetarët shqiptarë ta dinë që këto prona janë të hapura. Kjo listë pronash i është dërguar Kryeministrit dhe ministrit të Ekonomisë me qellim që të jetë e qartë që MM nuk mund dhe nuk do të mbajë prona të tepërta dhe nuk ka arsye që të shtojë hallkat burokratike dhe të zgjasë procesin. Këto prona janë deklaruar si prona të panevojshme për ne dhe nga 850 prona që nga viti 2004, sot janë rreth 1000, që do shtohen dhe 66 të tjera. I kemi dërguar Ministrisë së Brendshme një listë me 73 prona që ndoshta mund t’i shërbenin komuniteteve lokale dhe shpresoj që ato të veprojnë me shpejtësi për t’ia kaluar këto prona për objekte social-kulturore etj”.
Duke treguar harta dhe dokumente të tjera para Komisionit të Sigurisë, ministri Imami ritheksoi se, e veçanta e punës me të cilën ne po merremi është verifikimi i pronave tona. Procedimi i mëtejshëm me pronat e ushtrisë do të synojë që edhe nga agjencitë të tjera shtetërore të përshpejtohet procesi.
“Do të bëjmë përpjekje për rikthimin e një grupi pronash në Planin e Përhapjes me qëllim për të ndërtuar banesa për strehimin e ushtarakëve, ndërsa trojet që nuk kanë ndërtime do të kalojnë në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe besojmë që Ministria e Ekonomisë duhet të fillojë sa më shpejt vlerësimin në tërësi të të gjitha pronave. Për ne përparësi duhet të kenë privatizimi i pronave që kanë dalë tepër, por që ne akoma për ruajtjen e tyre mbajmë ende një numër të madh personeli për ruajtjen e tyre”.
Për sa i përket çështjes së klubit “Partizani” ministri Imami theksoi se ne nuk kemi klub sportiv, ky klub sportiv ka ikur me kohë nga ne.
“Nuk ka ministri Mbrojtje në Aleancë që mban klube sportive. Nuk kemi klub sportiv, pasi ai është privat kështu që nuk ka nevojë për fusha futbolli për klubin sportiv. 4000 metra ka qenë bërë një gabim në regjistrimin e vitit 2003 dhe një audit i brendshëm që kemi ngritur këto 4000 mijë metra i janë shtuar pronës pa asnjë dëm financiar. Lidhur me Spitalin Ushtarak, ministri Imami  theksoi se territori i tij do të mbetet ashtu siç është në administrimin tonë. Problemi ishte Qendra e Traumës, një barrë kjo që mbante ushtria, që tashmë nuk mund ta mbajë. Këtë shërbim, si një nga shërbimet shumë të rëndësishme shëndetësore, do ta marrë Ministria e Shëndetësisë që është edhe ministria përgjegjëse. Për këtë besoj se u gjet një konsensus midis palëve politike në parlament dhe ky repart do t’i kalojë bashkë me mjekët dhe pajisjet Ministrisë së Shëndetësisë. Ndërkaq, Spitali Ushtarak do të vazhdojë të mbetet po aty dhe kjo nuk ka asnjë pikëpyetje”, sqaroi më tej Minsitri i Mbrojtjes Arben Imami.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›