“Kompromisi politik për qarkun e Fierit, çliron pengamrrjen e reformave integruese”

Nga mbledhja e Qeverisë, Kryemsitri Slai Berisha ofron si zgjidhje mocion besimi për anëtarët dhe instancat e qarkut të Fierit
Kryeministri Sali Berisha ka ripërsëritur dje ftesën ndaj Edi Ramës, për të votuar tre ligjet e integrimit. Sipas tij, mazhoranca është e hapur ëpr dialog. Berisha ofron kompromis, si për rregulloren e Parlamentit, për ligjin e gjykatës së Lartë dhe për zgjidhjen problemit të pretenduar prej kreut të opozitës, për qarkun e Fierit
Gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit të Ministrave, kryeministri Sali Berisha u ndal dhe në tre kushtet e Komisionit Evropian, për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE në dhjetor të këtij viti.
Kreu i ekzekutivit i drejtoi një tjetër ftesë kryetarit të opozitës që të votojë këto ligje, për t’u përmbushur si pjesë e reformave të procesit integrues, sikurse shprehu zotimin e mazhorancës për të mirëpritur propozimet e PS-së për ligjin e Gjykatës së Lartë, Rregulloren e Parlamentit dhe ligjin për Shërbimin Civil.
“Sërish shfrytëzoj rastin të ftoj kryetarin e opozitës, në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë, të autorizojë deputetët e tij për të shqyrtuar në parlament tre ligjet, që janë kërkesë e qartë e Komisionit Europian, për t’u votuar në mënyrë që Komisioni të mund të informojë vendet anëtare që Shqipëria përmbushi plotësisht edhe tre kërkesat e lëna për t’i realizuar gjatë muajit nëntor. Unë jam i bindur se, në rast se do të udhëhiqemi nga interesi jetik i qytetarëve shqiptarë, nga interesi i shoqërisë shqiptare, nga interesi kombëtar, i cili është integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, nuk mund të ketë asnjë pengesë për votimin e këtyre tre ligjeve”, u shpreh Berisha.
Duke u ndalur specifikisht te tre ligjet në fjalë, fillimisht te reforma parlamentare, kreu i qeverisë vlerësoi se me insistimin e tij, Rama synon që të shpallet Kryeministër.
“Për reformën parlamentare, kësaj here me dëshmitarë, edhe më shumë se një, unë pranova që pas fjalës kryesore të kryeministrit, kryetari i opozitës të marrë fjalën jo dy minuta, siç e ka të drejtë sot, por me rregullore ta marrë fjalën 10 minuta. Meqenëse kryetari i opozitës kërkon me çdo kusht të shpallet kryeministër edhe kur nuk është, më duhet t’i them të informohet mirë. Në të gjitha protokollet e vendeve të lira, kryetari i opozitës ka statusin e një ministri dhe nuk mund të ketë status tjetër. Këtë status, me të gjitha aspektet, unë jam i pari që ia kam akorduar zotit Rama dhe është vepruar shumë drejtë. Nuk e kam nxjerrë ndonjëherë këtë tezë, pasi kam menduar se gradualisht do ta realizojë. Vendi nuk mund të ketë dy statuse të njëjta, ndaj Kushtetuta parashikon të drejtën e kryeministrit si të drejtë kryeministri dhe kjo ka logjikë të thellë ligjore dhe të gjithanshme. Është absolutisht e paimagjinueshme që parlamenti të shndërrohet në një arenë të dy vetëve. Kjo nuk mundtë ndodhë. Por, sigurisht, pas fjalës të kryeministrit, unë kam shumë kënaqësi që kryetari i opozitës, në rastin konkret Gramoz Ruçi, të marrë fjalën”, tha ai.
Për ligjin e Gjykatës së Lartë dhe Shërbimin Civil, kryeministri theksoi se mendimet janë diktuar tërëisht nga grupi i punës i PS-së, por sipas tij mazhoranca është e gatshme të dëgjojë propozime të tjera të deputetëve socialistë.
“Ne jemi të gatshëm për të dëgjuar propozime të tjera të grupit të deputetëve socialistë për këtë ligj, në mënyrë që ai të votohet bashkërisht. Ky ligj është hartuar me mbështetjen e EURALIUS, një mision i vendosur pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe që Bashkimi i Europian paguan për të asistuar institucionet e shtetit shqiptar, në të gjitha çështjet ligjore dhe të zbatimit të tyre. Po kështu, ligji për Shërbimin Civil është hartuar me ndihmën e një kompanie, që ka ekspertizën më të madhe në Europë në çështjen e ligjeve të shërbimit civil dhe të ligjeve të së drejtës publike. Ligji është në parlament dhe, në qoftë se Partia Socialiste ka vërejtje apo sugjerime, ne jemi të hapur plotësisht t’i pranojmë ato, mjafton që ne të konsolidojmë më tej shërbimin civil”, deklaroi kryeministri Berisha.
Duke qenë se lidershipi socialist e kushtëzon votën “pro” tre ligjeve me qarkun e Fierit, Berisha ofroi alternativën, e cila do të zgjidhte dhe një ngërç të tillë, konkretisht atë të ndërmarrjes së mocionit nga ana e të zgjedhurve vendorë në këtë qark.
“Zoti Rama shtron problemin e Fierit. Unë dua të informoj shqiptarët se, meqenëse ky problem po stërzgjatet, nuk ka një njeri të lirë, shqiptar a i huaj, që të mund të lidhë ligjin e Gjykatës së Lartë me problemin e Fierit. Absolutisht, as edhe një i vetëm, sepse janë dy gjëra tërësisht të palidhshme. Por, në rast se zoti Rama dyshon në statusin aktual të qarkut të Fierit, të kryetarit, të anëtarëve të qarkut, unë i ofroj një kompromis të qartë politik. Ky kompromis është që secili nga anëtarët e qarkut dhe të gjitha instancat t’i nënshtrohen mocionit të besimit, ata që vijnë nga bashkia, në këshillat bashkiake, ata që vijnë nga komunat, në këshillat komunalë. Përbërja e këshillit të mund të përcaktohet nëpërmjet këtij votimi, por jashtë kushteve ligjore, askush nuk mund të cenojë mandatin e këshilltarit. Këshilltari i qarkut është deputeti i komunës apo bashkisë në këshillin e qarkut, pasi këshilltari i komunës është deputeti i komunës në komunë dhe ai i bashkisë i qytetit. E kam thënë me dhjetëra herë, a më ka dëgjuar ndonjëherë zoti Rama të shkoj në gjykatë apo të ankohem për Paulinin? Absolutisht jo! Njerëzit janë të lirë, nuk janë skllevër as të kryetarit e as të partisë, se ç’mund të them për njerëzit e mi që kanë ndërruar kampin. Unë mendoj të mos lidhim të palidhshmen, por të votojmë ligjin, në interesin më të mirë. Por, meqenëse zoti Rama ka bërë një kazus të madh për Fierin, t’i vendosim të gjithë në mocion. Kjo është oferta më e ndershme. Nuk duhet të kemi frikë nga mocioni. Nuk mund t’i mohosh kurrë të drejtën ligjore të emërimit dhe shkarkimit të anëtarëve të këshillave të qarkut, këshillave të komunave dhe bashkive. Kjo është e sanksionuar në një ligj themelor për pushtetin vendor dhe në një parim universal të të zgjedhurve. Nëse do të tregosh vullnet, për t’iu përmbajtur zotimi të vjeshtës së vitit 2011, sipas të cilit Partia Socialiste nuk do të bllokonte më, por do të votonte të gjitha ligjet e reformat e kërkuara nga Bashkimi Europian, zgjidhja është. Këto tre ligje janë kërkuar në mënyrë të qartë nga Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fule në konferencën për shtyp, kur paraqiti Raportin e Progresit për Shqipërinë. Është absurde të besosh se mund të krijosh kapital politik nga bllokimi i tyre”, tha kryeministri Berisha.
Ai i kujtoi gjithashtu kryesocialistit Rama se refuzimi i reformave është sinjali më i keq që klasa politike shqiptare i dërgon Brukselit.