E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imami: Programi ynë është Shqipëria drejt zhvillimit dhe Europës

27-05-2013 / Gazeta 55

Në takimin me zgjedhësit në rajonin nr.6 të qytetit të Elbasanit, Imami i ka kushtuar një rëndësi të veçantë ndërtimit të tunelit të Kërrabës, pjesë e autostradës Tiranë-Elbasan dhe efekteve pozitive që sjell kjo rrugë për qytetin e Elbasanit dhe të gjithë zonën juglindore të vendit. Gjithashtu, zoti Imami solli në vëmendje edhe rolin destruktiv të Edi Ramës dhe Partisë Socialiste nga protestat, bojkotet, grevat e urisë dhe deri te bllokimi i procesit të integrimit të vendit në BE. “Çfarë bënë këta zotërinj të PS? Çfarë bëri Edi Rama që në momentin që erdhi në PS? E nisi me bilbila dhe e mbylli me dajre, e vazhdoi me mosnjohjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të 2009-ës, nuk e pranoi parlamentin nuk e pranoi qeverinë, se nuk mund ta kuptojnë  kurrë që pushteti të mos jetë i komunistëve në Shqipëri, bojkotuan parlamentin, bëri grevën e urisë, për pak vdiqën disa deputetë të Elbasanit, dhe nuk i futi prap në listë, bëri edhe një krim të shëmtuar 21 janarin, e pabesueshme në vitin 2011 mbas 20 vjetësh përpjekje për demokraci, sulmoi Policinë e shtetit, sulmuan simbolin e qeverisjes, Këshillin e Ministrave, pse, për të ndaluar rrugën tonë drejt europës. Nuk voton tre ligjet e fundit, sepse ka hallin se duke marrë statusin e vendit kandidat PD dhe kryeministri janë prapë në qeveri. Por nëse ne ecim në rrugën e Europës dhe t’i ecën në rrugën e errësirës, sigurisht që Sali Berisha dhe e djathta do të jetë në avantazh. Nuk ka ndodhur asgjë gjashtë muajt e fundit vetëm një puthje Rama - Meta. Ai jo vetëm që bllokon, por është i pa arsyeshëm, dhe ne kemi vetëm një rrugë, të votojmë  PD në mënyrë që këtë mur të bllokimit ta çajmë siç çamë këtë mal, në mënyrë që Shqipëria këtë katër vjeçar të jetë në Europë” - u shpreh Imami.
Kryesuesi i listës së kandidatëve të Partisë Demokratike për Qarkun e Elbasanit, Arben Imami u ndal tek investimet dhe zhvillimi i Shqipërisë në tetë vitet e fundit. Sipas tij, para tetë vitesh vendi ishte i rrënuar, ku nuk i kushtohej vëmendje qytetarit, ndërsa e vuri theksin tek ulja e taksave, transparenca, ulja e korrupsionit, duke bërë të mundur mbledhjen e parave si edhe dyfishimin e buxhetit të shtetit brenda katër vitesh. “Me taksën e Ramës do të ngushtohen bizneset, investimet, vendi nuk do të ecë përpara, por ne në tetë vite e kemi treguar se si ndërtohet vendi, e kemi treguar kur e gjithë europa është në krizë, ne kemi vazhduar ta ulim pak papunësinë, por në këtë kontekst krize të tjerët bëjnë të kundërtën, është rritur papunësia. Kjo u bë e mundur me një politikë fiskale të rreptë, dhe me një politikë të hapur ndaj biznesit të vendit dhe të huaj”. Imami u shpreh i sigurtë që në katër vitet e ardhshme qeveria do të mbyllë  programin e infrastrukturës duke deklaruar se “do të mbyllim edhe dy programe të mëdha njëri për industrinë dhe tjetri për bujqësinë do të ketë zhvillime jashtëzakonisht të mëdha, sepse ne vendosëm të shfrytëzojmë pasurinë në vendin tonë, dhe kjo pasuri është toka dhe uji”. “Ne investuam në industrinë e ndërtimit, por ajo që është vlera më e madhe është hidro-energjitika, ne kemi një potencial energjetik shumë të madh. Kjo politikë është që Shqipëria të ketë energji, sepse ne harxhojmë shumë para për të blerë energji, por në momentin që Shqipëria do të  prodhojë energji jo vetëm që do të ketë për vete, por edhe do të eksportojë, dhe këto para do të  futen në buxhetin e shtetit, por kjo nuk bëhet për një ditë. Ne kemi pasur rritje prodhimi në shtator të 2008-s ishim mbi 8 përqind, dhe kishim shanse ta mbyllnim vitin me 10 përqind, dhe do të  kishim ecur kështu nëse nuk do të kishte shpërthyer kriza, Shqipëria rezistoi gjatë  këtyre viteve me një ecje mbi 3 përqind shumë më lartë se vendet e rajonit. Dhe në vitin 2012 që  pllakosi kriza në Greqi ne prapë vazhduam të ecim përpara, e rritëm prodhimin, dhe vazhduam me investime me rritje rrogash dhe pensionesh”- tha Imami. Ai përsëriti edhe një herë  premtimin e kryeministrit për rritjen e rrogës së mësuesit në 700 dollarë. “Ky është model zhvillimi”, tha ai. Ndërsa programin e Ramës, Imami e cilësoi si rrugën e bllokimit të ekonomisë shqiptare. “Për ne është çështja si të ecim sa më mirë, sa më shpejt përpara drejt zhvillimit, drejt europës drejt integrimit”- deklaroi më tej, z.Imami.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›