Së shpejti nisin punimet e Autostradës Korçë-Ersekë

Ministri i Financave, Ridvan Bode
Ministri i Financave dhe njëkohësisht kandidati për deputet që kryeson listën e Partisë Demokratike në qarkun e Korçës, Ridvan Bode gjatë një takimi elektoral me të rinj të Kolonjës tha se infrastruktura e zhvilluar do ta afrojë më shpejt vendin me Europën. Në këtë kuadër ai njoftoi për fillimin së shpejti të punimeve të autostradës, Korçë-Ersekë. "Ne së afërmi inaugurojmë përfundimin e rrugës Tiranë-Elbasan, që e çon distancën midis dy qyteteve në vetëm 20 minuta dhe njëkohësisht fillojmë ndërtimin e rrugës nga Qukësi në Qafë-Plloçë dhe autostradën Korçë-Ersekë. Kjo do të thotë që rrugën nga Tirana në Ersekë ta bësh në më pak se dy orë", tha Bode. Me këtë rrugë, vijoi ai, aktivitetet ekonomike do të kenë një kosto shumë më të ulët dhe produktet e Kolonjës do të shkojnë në metropolin shqiptar për më pak se dy orë. Kjo do të thotë që investitorët të venë në efiçencë këto kapacitete natyrore, burime dhe potenciale që ofron Kolonja me të gjithë hapësirën e saj. Rruga e zhvillimit të Kolonjës, Korçës dhe gjithë Shqipërisë është ajo për të mbështetur më 23 qershor me votë PD-në, e cila çdo ditë punon për zhvillimin e Shqipërisë dhe integrimin e saj në hapësirën europiane". Duke iu drejtuar të rinjve të Kolonjës, Bode tha se, PD ka sot mbështetjen më të gjerë elektorale pikërisht tek brezi i ri, "sepse ju jeni larg dogmave dhe përbuzni demagogjinë". Ai vuri në dukje zhvillimet pozitive në fushën e arsimit, ku gjatë tetë viteve të fundit, përqindja e të rinjve që arsimohet në universitete është më e larta krahasuar me vendet e rajonit dhe me shpejtësi po i afrohet standarteve dhe mesatares së vendeve të BE-së. "Ne besojmë se integrimi europian para së gjithash, kërkon përgatitjen e një brezi qytetarësh, që do t’i bashkangjiten Europës, jo thjesht për të parë bukuritë e saj, por për të konkurruar në hapësirën europiane me kapacitetin dhe aftësitë e tyre, me dijet dhe profesionalizmin e tyre", tha Bode