E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediat prestigjioze vleresime per ekonomine shqiptare

Ekonomia shqiptare vijon të citohet cdo ditë nga mediat e huaja, të vlerësohet nga organizmat më të lartë ndërkombëtare, të jepet si recetë ndaj krizës së borxheve dhe sëfundmi të analizohet edhe nga studiues dhe profesorë të ndryshëm të ekonomisë botërore. Në analizën e tyre, të publikuar në saitet amerikane, referuar indeksit të lirisë ekonomike, tre profesorë amerikanë James Gëartney, Robert Lawson dhe Joshua Hall, flasin për kundër tendencën e këtij indeksi në vendet e zhvilluara dhe ritmet e ndjekura nga vendet ish-komuniste. Profesorët amerikanë shprehin shqetësimin për zbehjen e lirisë ekonomike në Amerikë.

Sipas tyre, historikisht në dekadën e fundit, mbajtja e standardeve për tregje më të lira ka rënë duke iu referuar listimit më të fundit përsa i përket indeksit botëror për Liri Ekonomike, i publikuar pak ditë më parë. Ndërsa analizojnë të shqetësuar lirinë e tregjeve në Amerikë, tre profesorët marrin si shembull pozitiv Shqipërinë dhe vendet e tjera ish-komuniste, për mënyrën sesi kanë përparuar përsa i përket lirisë së tregut. “Ndërsa liria ekonomike ka rënë në Amerikë, dëgjohen lajme të mira për botën ish-komuniste. Një numër i vendeve ish-komuniste me ekonomi të përqendruar ka bërë progres të konsiderueshëm drejt tregjeve të lira gjatë dekadës së fundit, citohet në shkrim.

Tetë prej tyre, Shqipëria, Sllovakia, Estonia, Hungaria, Lituania, Bullgaria, Mongolia, dhe Gjeorgjia tanimë renditen në 40 të parat. Duke iu referuar krahasimit, vetëm tre vende të Amerikës Latine: Kili, Panama dhe Peru, renditen në 40 të parat. Të gjitha këto vende renditen aktualisht më lart se Zvicra dhe Franca.”, shprehen studiuesit. Saktësisht, në raportin e fundit vjetor të Economic Freedom network, Shqipëria renditej në vendin e 30-të për Indeksin e Lirisë Ekonomike, mes 141 vendeve të marra në studim. Krahasuar me një vit më parë, Liria ekonomike ka ndryshuar me 16 pozicione më lartë. Ky Indeks bazohet në politikat që inkurajojnë lirinë ekonomike, sic janë zgjedhjet individuale, shkembimi vullnetar, liria për të konkurruar dhe siguria e pronës private.

Por jo vetëm kaq, në raportin e pak ditëve më pare, të Forumit Ekonomik Botëror, Shqipëria u dallua për një rritje të menjëhershme të klasifikimit për disa kategori të ekonomisë. Lidhur me nivelin e konkurrueshmërisë, vendi ynë ka lënë pas shumë vende të tjera, dhe pikërisht në klasifikimin botëror të zhvillimeve makroekonomike, Shqipëria shkon katër pozicione më lartë se SHBA.

Duke iu referuar indeksit për SHBA, profesorët thonë se një dekadë më parë, ato u renditën në vendin e tretë në botë pas Hong Kong dhe Singapore, por në raportin më të fundit, SHBA janë renditur në vend të 10-të. Indeksi mat shkallën në të cilën njerëzit në vendin e tyre janë të lirë të përmbushin objektivat e tyre ekonomikë, pa taksat qeveritare dhe rregullimet e ndryshme fiskale.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›