E Diel, 1 Nëntor 2026

Imami: Shqipëria përvetësoi politikën e moderacionit

 Në fjalën e vet, Imami u shpreh se Shqipëria ka luajtur në mënyrë të vijueshme një rol konstruktiv për paqen dhe stabilitetin në Ballkan, si një rajon me rëndësi të madhe për sigurinë e Evropës.

“Shqipëria ka adaptuar politikën e moderacionit në një rajon ku kishte dhe ka probleme të hiper-nacionalizmit. Kjo është e rëndësishme sepse Ballkani është një rajon shumë i rëndësishëm për sigurinë e Mesdheut dhe të Evropës. Ne në kuadër të iniciativave rajonale, po japim një impuls bashkëpunimi dhe kontribut substancial për stabilitetin dhe sigurinë rajonale”, tha ministri shqiptar i Mbrojtjes. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit të vendeve të Mesdheut edhe në kuadër të forumeve dhe organizmave të ndryshëm rajonale të mbështetura nga NATO dhe Bashkimi Evropian.

 “Në një kontekst më të gjerë të sigurisë eurotlantike, Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe po jep kontribut serioz për sigurinë e Mesdheut në kuadër të iniciativave të ndryshme të bashkëpunimit të NATO-s dhe Bashkimit Europian. Ne jemi të interesuar për paqe, stabilitet dhe siguri në të gjithë rajonin e Mesdheut dhe po përpiqemi të kontribuojmë për këtë në kuadër të këtyre iniciativave të këtyre organizatave”, u shpreh ministri shqiptar.. 

Në vijim të agjendës së tij, ministri Imami u takua me përfaqësues të komunitetit arbëresh të Kalabrisë, ndër të cilët edhe me Presidenti e Organizatës për Promovimin e Kulturës Italo-Shqiptare, “Moti i Parë”, profesor Vicenzo Stratico. Në këtë takim, Ministri Imami vuri theksin tek rëndësia dhe kontributi që ky komunitet ka dhënë për zhvillimin e Italisë, por edhe kontributin themelor të tyre në Rilindjen Kombëtare.  Gjatë këtij takimit, mes ministrit Imami dhe përfaqësuesit të komunitetit arbëresh u shkëmbyen mendime për mundësinë e afrimit të mëtejshëm të Shqipërisë dhe komunitetit arbëresh, ku u shtruan ide për binjakëzimin e bashkive ku jetojnë një numër i madh arbëreshësh me bashki të ndryshme në Shqipëri, dhe mundësi të tjera për përfshirjen e komunitetit arbëresh në jetën kulturore të Shqipërisë.  

Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të Komitetit Italian të Atlantikut të Veriut, anëtar të Parlamentit Italian, përfaqësues të strukturave të NATO-s etj. Ministri Imami ishte i ftuar të fliste mbi sigurinë në Rajonin e Mesdheut dhe kontributin e Shqipërisë për stabilitetin dhe sigurinë në këtë rajon. /Start/

                                                                                             2012-03-25 13:55
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›