E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imami: Shqipëria reforma që e përafrojnë me standardet Europiane

TIRANË- Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami priti sot në një takim kryetarin e Komitetit Ushtarak të Bashkimit Europian (CEUMC), gjeneral Hakan Syren.

Ministri shqiptar u shpreh se Shqipëria është e angazhuar në përmbushjne e reformave që e përafrojnë me standardet Europiane.

“Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura kanë bërë dhe po bëjnë të gjitha përpjekjet e duhura për të kryer ato reforma, të cilat do të përafrojnë fushën e Mbrojtjes dhe të Sigurisë së Shqipërisë me ato të politikave të përbashkëta europiane për sigurinë”, u shpreh sot ministri i Mbrojtjes, Arben Imami

Ministri i Mbrojtjes Imami dhe gjenerali Syren gjatë takimit theksuan domosdoshmërinë e forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të bashkëpunimit civilo-ushtarak mes NATO-s dhe BE-së.

Syren, zhvilloi një takim të veçantë edhe me shefin e Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, i cili theksoi se, “ne duam t’ju bëjmë prezent disa nga arritjet kryesore që Forcat e Armatosura kanë mundur të realizojnë gjatë kësaj periudhe, duke plotësuar detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi i vendit tonë në NATO, si dhe detyrimet që shtrohen për të ardhmen.

Gjithashtu, kreu i Shtabit të Përgjithshëm foli edhe për Konceptin Strategjik të Mbrojtjes, konceptin e “Smart Defence”, si dhe mbi rezultatet mjaft të mira që FA kanë arritur gjatë kësaj periudhe.

Gjatë këtij takimi, gjeneral Syren u njoh nga afër edhe me qëllimin që strukturat e Forcave të Armatosura kanë në procesin e transformimit, angazhimet e tyre në operacionet paqëruajtëse në kuadër të BE-së, NATO-s, OKB-s, si dhe zhvillimin e kapaciteteve për këtë qëllim.

Syren ndodhet në vendin tonë me ftesë të shefit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi. Qëllimi i kësaj vizite është rritja e bashkëpunimit midis Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe Komitetit Ushtarak të BE-së.
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›