Imami në Afganistan, vlerësim për punën e forcave të armatosura
Në një vizitë dy ditore në Afganistan, Ministri i Mbrojtjes Arben Imami si dhe deputetët e PD Fatos Hoxha dhe Genti Strazimiri, janë njohur më nga afër me ushtarët tanë që operojnë në këtë vend. Ndalesën e parë Ministri Imami e bëri në Kabul, në Komandën Qëndrore të ISAF-it, ku u prit në një takim të veçantë nga Komandanti i Përgjithshëm, Gjenerali Major Petreaus. Ky i fundit falënderoi dhe vlerësoi maksimalisht kontributin që forcat e armatosura shqiptare po japin në Afganistan. Ndërkohë që Imami ka vlerësuar punën e bërë nga forcat e armatosura në misionin paqëruajtës.
Aktualisht forcat tona kryejnë operacione të përbashkëta në Kandahar, Herat, Kabul, Komandën Rajonale të Veriut, krah për krah me Kontingjentet e SHBA, Italisë, Gjermanisë, Turqisë e Hungarisë. Ministri Imami dhe deputetët Strazimiri e Hoxha, u takuan me një grup ushtarakësh shqiptarë që kryejnë detyrat në Kabul, të cilët i përshëndeti në emër të kryeministrit Berisha, Shtabit të Përgjithshëm të FA, si edhe i përgëzoi për punën e bërë dhe fjalët e mira e vlerësimet e bëra nga Komanda Qëndrore.