Imami në SHBA për transformimin e forcave tona të armatosura në NATO
Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadrin e një vizite zyrtare, qëllimi i së cilës është bisedimi mbi çështje që kanë të bëjnë me transformimin e NATO-s. Ai ka parashikuar kështu një vizitë në Komandën e Aleancës në Norfolk të Virxhinias, e cila ndjek njëkohësisht transformimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë. "Ne këtë vit jemi përfshirë në ridislokimin e të gjithë Forcës sonë të Armatosur, në organizimin e saj, në reformën e shërbimit të inteligjencës ushtarake, në reformën e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Shtabit të Përgjithshëm. Ne konsiderohemi si vend i rëndësishëm në NATO, sepse së pari vendimet merren nga të gjithë anëtarët me konsensus”, - tha Imami.
Ndërkaq, bëhet me dijeni se ai është takuar edhe me ish-senatorin Chuck Hagel, shef i Këshillit për Inteligjencën e Huaj pranë presidentit Obama.
Ai ka deklaruar se pjesëmarrja e Shqipërisë në NATO kontribuon në përpjekjet për të garantuar siguri dhe qëndrueshmërinë në njërin prej rajoneve historikisht të paqëndrueshëm të botës. "Mendoj se të gjitha vendet anëtare të NATO-s janë shumë të kënaqura që Shqipëria është në Aleancë, sepse kjo vërtet përfaqëson një stabilitet dhe siguri të cilën nuk e kemi parë më përpara. Shqipëria do të luajë një rol shumë të rëndësishëm, ndërkohë që gjen vendin e saj në NATO. Aftësitë e saj do të rriten. Ajo do të gjejë rrugë të reja të sofistikuara për të marrë pjesë”, - mësohet se është shprehur Hagel.
10 Qershor 2010