E Diel, 1 Nëntor 2026

Stajnberg: “Forcat politike në Shqipëri të tregojnë elasticitet për zgjidhjen e problemeve”



Zëvendëssekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhejms Stajnberg, në një intervistë për Zërin e Amerikës, u bëri thirrje forcave politike në Shqipëri që të tregojnë elasticitet për zgjidhjen e problemeve mes tyre. Ai tha se Shtetet e Bashkuara i kanë mbështetur hapat që anëtarët e Parlamentit Europian kanë ndërmarrë për të lehtësuar një mirëkuptim mes palëve. “Është një situatë e vështirë. Ne pranojmë se kryeministri është udhëheqësi legjitim i vendit dhe mendoj se duhet të shikojmë përpara, por mendoj se ekzistojnë hapa që mund të bëhen për të ndihmuar në arritjen e pajtimit mes forcave politike në Shqipëri. Ne i kemi mbështetur mjaft përpjekjet që anëtarët e Parlamentit Europian kanë ndërmarrë për të lehtësuar një mirëkuptim mes palëve”, - u shpreh Stajnberg, duke theksuar më tej: “Ne shpresojmë se të dyja palët do të tregojnë një farë elasticiteti, të lejojnë vendin të ecë përpara. Shqipëria është në prag të disa hapave që mund ta forcojnë të ardhmen e saj europiane krahas anëtarësimit në NATO. Siç e përmenda, kryeministri Berisha është udhëheqësi legjitim në Shqipëri, por mendoj se mund të ndërmarrim disa hapa përpara për të lejuar që të dyja palët të përpiqen të punojnë së bashku”. Zëvendëssekretari Stajnberg tha se palët kanë nevojë për një shumicë për të miratuar disa ligje në Parlament, prandaj ky lloj të menduari që mban parasysh të ardhmen do t’i ndihmojë ata të ecin përpara në drejtimin ku të gjithë duan të shkojnë.

10 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›