E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imami pret delegacionin ushtarak kinez

Ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami priti në një takim të veçantë një delegacion të gjerë të Policisë Ushtarake të Republikës Popullore të Kinës, i kryesuar nga Zëvendëskomandanti i kësaj policie, gjeneral lejtënant Dai Sujun.

Qëllimi i vizitës së delegacionit nga Policia Ushtarake e Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri është zgjerimi i bashkëpunimit ndërmjet dy ushtrive tona.

Ministri Imami u shpreh se bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë dhe Kinës, e në veçanti ndërmjet dy ushtrive tona është i mirëpritur. Ministri bëri një prezantim të politikave të mbrojtjes dhe qëndrimit që ka pasur Shqipëria ndaj zhvillimeve në rajon.

Imami u shpreh se Stabiliteti i Maqedonisë, Bosnjë Herzegovinës dhe Kosovës, është shumë i rëndësishëm për stabilitetin e rajonit të Ballkanit. Ai shtoi se roli i Kinës, si një prej fuqive të mëdha të globit, është i rëndësishëm edhe për rajonin e Ballkanit dhe roli i saj konstruktiv është i mirëpritur.

Delegacioni nga Republika Popullore e Kinës vlerësoi rolin konstruktiv dhe qasjen për një fqinjësi të mirë në rajon dhe shprehën gatishmërinë e tyre për të rritur bashkëpunimin me Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Delegacioni i lartë ushtarak kinez i kryesuar nga zv.komandanti i Policisë Ushtarake Kineze, gjeneral lejtnant Dai Sujun, është pritur në takim nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, ndërsa më pas kanë zhvilluar një vizitë në Policinë Ushtarake dhe në Batalionin e Forcave Speciale në Zall-Herr.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›