E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imami raporton për arsimimin e ushtarakëve

21/04/2010 Seanca dëgjimore në Kuvend

Komisioni për Sigurinë Kombëtare zhvilloi dje një seancë dëgjimore me ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami, mbi sistemin e ri të edukimit të ushtarakëve dhe Qendrën Ndërinstitucionale Operacionale Detare dhe bashkëveprimin e kësaj strukture me institucionet e tjera shtetërore që kanë interesa në det. Ministri vlerësoi fuqinë njerëzore si një prej alternativave më të sigurta. “Në një kohë kur sistemet e armatimit dhe të teknologjisë rrezikojnë të dalin shpejt jashtë përdorimit për shumë shkaqe, ku edhe avancimi teknologjik konsiderohet si njëri nga më të rëndësishmit, mendojmë se përqendrimi i përpjekjeve te fuqia njerëzore është njëra prej alternativave më të sigurta”, tha Imami. Në fjalën e tij, ai nënvizoi se puna e Ministrisë së Mbrojtjes është përqendruar në tri drejtime kryesore, që konsistojnë në: hartimin e strategjisë kombëtare për arsimimin e ushtarakëve, përmirësimin e ligjit të gradave dhe karrierës ushtarake, si dhe hartimin e statusit të ushtarakut. “Të gjitha këto synojnë që krahas përthithjes në radhët e Forcave të Armatosura të kapaciteteve më të mira, të minimizojnë edhe braktisjen e ushtrisë nga kapacitetet ekzistuese”, vijoi ministri, i cili mori vlerësime për punë e tij në krye të këtij dikasteri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›