E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shqipëria mbështet Kosovën për integrimin në BE”

21/04/2010 Ministri Hyseni pritet nga Topi dhe Topalli

“Shqipëria mbështet fuqimisht të gjitha përpjekjet e institucioneve kosovare për të realizuar reformat e nevojshme, që do t’i mundësonin Kosovës t’i bashkohet pjesës tjetër të rajonit në rrugën e integrimit evropian”. Me këto fjalë Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i ka shprehur mbështetjen ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni dhe delegacionit që e shoqëron, gjatë vizitës zyrtare dyditore në vendin tonë. Kreu i shtetit shqiptar në vijim tha se “edhe Kosova duhet të përfshihet në procesin e liberalizimit të vizave, në mënyrë që në Ballkan të mos mbeten ‘njolla leopardi’ për sa i përket lëvizjes së lirë të njerëzve”. Palët ndanë të njëjtin mendim për sa i përket nivelit të shkëlqyer të marrëdhënieve midis dy vendeve tona, në përputhje aspiratat e përbashkëta për t’u integruar në institucionet evropiane dhe euroatlantike. Presidenti Topi vlerësoi maturinë e klasës politike dhe udhëheqjes kosovare në kapërcimin e sfidave të ndryshme, konsolidimin e institucioneve të pavarura demokratike, si dhe arritjet e deritanishme të diplomacisë së re kosovare. Ministri Hyseni u prit dje edhe nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila shprehu bindjen se e ardhmja e Shqipërisë dhe Kosovës është në BE.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›