Imami takim me banorët e zonës së Krastës, Elbasan: Programi i PS, ceremoni varrimi e ekonomisë shqiptare
"Katër vjeçarin e ardhshëm Shqipëria me infrastrukturë moderne"
Gjatë një takimi me banorët e Zonës së Krastës në periferi të qytetit, i shoqëruar edhe nga deputeti Ardjan Turku, kryesuesi i zgjedhjeve të PD në qarkun e Elbasanit Arben Imami, pasi ka ngritur lart figurën e Turkut i cili kandidon në këtë zonë është ndalur tek zgjedhjet e 23 qershorit. Sipas Imamit “ këtë punë që kemi nisur këto tetë vite ta çojmë përpara dhe vetëm përpara. 23 qershori është një ditë e rëndësishme pasi do të shkojmë drejt integrimit, integrimi nuk është fjalë, është pashaportë europiane, shkolla europiane, integrimi është rritje e investimeve në shqipëri, apo do të ndjekim rrugën e bllokimit? Do të shkojmë në rrugën e tunelit, apo do të vendosim kartonin e kuq siç e vendosën deputetët e Elbasanit kundër këtij tuneli. Ishte kartoni i kuq i Edi Ramës që u ngrit kundër kësaj vepre të madhe e cila do të sjellë punë, do të lehtësojë komunimkimin, do të ulë koston e transportit, por do të rrisë shumë mundësitë e zhvillimit dhe të punësimit në Elbasan.
Në të gjithë këto vite ne kemi ndjekur një politikë shumë të kujdeshme për të kursyer paratë tuaja duke shkurtuar shpenzimet, tha Imami, duke shtuar se “ kemi shtuar investimet publike në këtë vend, siç është rruga Durrës Kukës dhe rruga Elbasan – Tiranë, që sipas Imamit krahas tyre janë me mijëra rrugë që janë bërë në mbarë vendin. Ndërsa vlerësoi qarkun e Elbasanit që ka marrë më shumë investime në katër vitet e e fundit Imami shtoi se “janë dy modele krejtësisht të ndryshme, duam të shtojmë punësimin apo të ulim punësimin, duam të dalim nga kriza apo të biem në krizë, tha Imami i cili krahasoi në këtë mënyrë programin e PD me atë të PS. Ashtu sikundër e vuri theksin edhe tek kriza në Europë, ndërsa sipas Imamit shqipëria nuk e ka ndjerë këtë krizë. “Nuk është program i Rilindjes me taksën progresive në krizën që ka mbërthyer sot Europën, është ceremoni varrimi e ekonomisë shqiptare. Modeli ynë është model i mirë është model i mbarë, tha Imami, duke shtuar se “me taksat ne kemi investuar dhe do të investojmë, por nëse ne do t’i kishim rritur këto taksa nuk do të ishte e mundur që të vinte njeri të investonte në shqipëri”. “Me një politikë të taksave të ulta, me një politikë të licensimit dhe të dhënies me koncesion në rrugë sa më të favorshme për biznesin, u bë e mundur që janë 100 e ca hidrocentraleve duke u ndërtuar 50 prej të cilëve kanë mbaruar punë, kurse ky i Devollit është një gjigand energjie që do ta bëjë trevën e Elbasanit një nga prodhuesit kryesor të energjisë në vend. Elbasani i ka të gjitha kushtet për t’u zhvilluar. Por nëse do të shkonim në rrugën e kundërt të rritjes së taksave ne nuk do t’i kishim këto biznese këto kompani të huaja. Ky është modeli i qëndrushmërisë ekonomike, ky model bën të mundur që ne të rrisim rrogat e pendionet, që të ulet pak papunësia, ky është një model që na jep të ardhme na jep siguri në familjet tona, të votojmë për këtë model, të votojmë Sali Berishën, ti themi jo Edi Ramës. Prandaj është i rëndësishëm 23 qershori për të gjitha këto arsye, është i rëndësishëm për të ardhmen e këtij vendi. Ne kemi mbyllur mbi 70 përqind të infrastrukturës baza, ne në katër vjeçarin e ardhshëm do ta mbyllim këtë infrastrukturë. Nëse Edi Rama nuk do të na kishte bllokuar drejt BE ne do t’i kishim mbyllur që këtë katër vjeçar”- deklaroi më tej Imami.