E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imazheria, 420 mijë ekzaminime në vit

Spitalet e rretheve, Vasili: Menaxhoni mirë fondet

Rritja e numrit të të sëmurëve ka bërë që për ekzaminimin e problemeve shëndetësore të përdoret mjaft edhe shërbimi i imazherisë, i cili përdor teknologji fotografike për të diagnostikuar dhe për të shëruar sëmundje. Kështu, vetëm në një vit, në vendin tonë janë kryer mbi 420 mijë ekzaminime radiologjike, shifër kjo e madhe në raport dhe me numrin e popullsisë shqiptare. Ndërkohë që nga numri i ekzaminimeve radiologjike, 248 mijë janë vetëm ekzaminime ekografike. Këto aparatura ndihmojnë pacientët dhe bluzat e bardha për një diagnostikim në kohë reale dhe me një siguri të plotë. Por, sipas ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, shifrat befasuese në shërbimin e imazherisë tregojnë që mjekësi e quajtur “artizanale” të mbetet pas, duke i lënë vendin mjekësisë së thelluar profesionale. Kështu është shprehur ministri Vasili në simpoziumin shkencor, radiologjia dhe urgjencat mjekësore, që është zhvilluar pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) me pjesëmarrjen e profesorëve shqiptarë dhe zviceranë. “Sot kemi një investim në të gjithë territorin në fushën e radiologjisë. Në këtë grup bëjnë pjesë nga aparaturat radiologjike tradicionale dhe deri tek kirurgjia më e lartë. Për sa i takon emergjencës, prej kohësh kemi miratuar planin kombëtar të emergjencës në të gjithë territorin, ngritjen e departamenteve të tyre”, - u shpreh ministri Vasili, duke kërkuar nga drejtuesit e spitaleve dhe qendrave shëndetësore në rrethe që të menaxhojnë më mirë buxhetet e tyre. “Racionalizimi i çdo leku të hedhur në sistem është nga detyrat tona themelore. Ajo që sot është moto e gjithë spitaleve europiane, është që të prodhojmë shumë shëndet me koston më të ulët të mundshme. Këto mundësohen sigurisht me aparatura të cilat diagnostikojnë shpejt dhe niveli i saktësisë së diagnozës është i lartë. Në të gjithë territorin të kemi ekzaminime të një besueshmërie të lartë dhe sigurisht që pa aparatura të tilla, s’mund të themi që ky nivel diagnoze është i lartë”, - deklaroi ministri Vasili. Simpoziumi për radiologjinë dhe urgjencat mjekësore është bërë në bashkëpunimin me qeverinë zvicerane, që ka qenë dhe kontribuesja kyç në problemet e edukimit në vazhdim në shëndetësinë shqiptare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›