E Diel, 1 Nëntor 2026

Shehu: Projekti i PS për uljen e TVSH-së, i papranueshëm

Paketa e propozimeve të Partisë Socialiste për uljen e TVSH-së për ushqimet dhe ilaçet drejtuar qeverisë, nuk pranohet nga mazhoranca. Sipas kësaj të fundit, ulja e TVSH-së për produktet e konsumit nuk shihet aspak si një zgjidhje, pasi nuk do të ulte koston e tyre. Deputeti i Partisë Demokratike dhe anëtar i komisionit parlamentar të Ekonomisë, Sherefedin Shehu, tha se ulja e TVSH-së që propozohet nga PS-ja është vetëm një politikë populiste dhe me prapaskena politike. Sipas Shehut, TVSH-ja nuk është në planet e mazhorancës për t’u riparë dhe ajo nuk do të ulet as për ilaçet, pasi koston e këtyre të fundit e mbulon ISKSH-ja me fondet e saj. Nisma e deputetes socialiste, Mimi Kodheli për uljen e TVSH-së së produkteve të shportës dhe ilaçeve, ka marrë formë konkrete duke iu propozuar Kuvendit si projektligj dy ditë më parë. Zero TVSH për ilaçet dhe 10% TVSH për produktet e shportës, janë ndryshimet e propozuara nga grupi parlamentar socialist për të ndryshuar projektligjin “ Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”. Propozimi i ka shkuar dje Kuvendit në formën e draftligjit. “Përshkallëzimi i TVSH-së me 0, 10 dhe 20%, teknikisht nuk duhet të sjellë probleme në zbatim, pasi vendosja e kasave fiskale duhej tashmë të kishte ulur në mënyrë të dukshme evazionin fiskal në të gjitha hallkat”, -është shprehur Kodheli.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›