E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liqeni, Bashkia merr masa për situatën

Nënkryetari i Bashkisë, Edmond Panariti flet për ndërhyrjet për normalizimin e situatës nga ndalimi i hedhjes së inerteve dhe i ujërave të zeza deri te rivendosja e lidhjes me Liqenin e Farkës

Bashkia e Tiranës nxjerr planin e masave që do të ndërmarrë për normalizimin e situatës në Liqenin Artificial të Tiranës, i cili është shndërruar në një pellg me ujë të ndotur. Për këtë arsye, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Edmond Panariti inspektoi dje Liqenin Artificial, së bashku me grupin e punës që ka ngritur Bashkia në lidhje me situatën e krijuar nga ulja e nivelit të ujit dhe ndotja e tij. Panariti tha se Bashkia gjendet para një situate të trashëguar, megjithatë po merren të gjitha masat për normalizimin e gjendjes. Ndërhyrjet e Bashkisë janë në 3 drejtime: ndalimi i shkarkimit të ujërave të zeza në Liqen nga baret dhe restorantet; bllokimi i hedhjes së inerteve nga firmat e ndërtimit që ushtrojnë aktivitetin në atë zonë si dhe në afatgjatë; nisja e punës për aktivizuar kanalin që e lidh Liqenin Artificial me atë të Farkës, gjë që mundëson ekuilibrin hidrik dhe mosrënien e nivelit të ujit. Pas inspektimit, Panariti u shpreh: “Problemet e Liqenit të Tiranës dhe ekosistemit të tij janë probleme të vjetra dhe të mbartura prej shumë vitesh. Ka ardhur koha që këto probleme duhen ballafaquar energjikisht. Problemi i parë është i karakterit hidroteknik, sepse liqeni prej vitesh e ka shkëputur furnizimin e tij nga liqeni i Farkës. Ne kemi ndërmarrë një plan studimi, për të bërë ç’është e mundur që kjo lidhje me Liqenin e Farkës të rivendoset, sepse në këtë mënyrë ruhet bilanci hidrik, oksigjenohet liqeni dhe bën të mundur gjallërimin e jetës”. Por, një tjetër problem i ngritur prej tij është ndalimi kategorik i mbartjes së liqenit me inerte dhe mbetje të ngurta, gjë që për fat të keq po ndodh edhe këto ditë. Për këtë çështje, Panariti shprehet se janë njoftuar shumë qartë firmat e ndërtimit, që ta ndalin menjëherë këtë praktikë shkatërruese për këtë ekosistem, përndryshe do të përballen me sanksione të forta ligjore. Po ashtu, një problem tjetër shumë i rëndësishëm që ka të bëjë po me ruajtjen e bilancit hidrik të liqenit është edhe administrimi korrekt i digës së tij, gjë e cila do të bëhet nga Bashkia e Tiranës. Nënkryetari i Bashkisë ka bërë të ditur se ky ka qenë një problem i mbajtur pezull, sepse është ende në një proces gjyqësor, por së shpejti do të merren në administrim dhe do të bëjmë investimet e mundshme. Menjëherë pas krijimit të situatës problematike në Liqenin Artificial, Bashkia e Tiranës ngriti një grup pune, për analizuar situatën dhe për të marrë masa.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›