E Shtunë, 31 Tetor 2026

UET ofron bursa për komunitetin rom dhe egjiptian

Universiteti Europian i Tiranës do të ofrojë bursa studimi edhe për të rinj që vijnë nga grupet e margjinalizuara të shoqërisë, siç janë ata të komunitetit rom dhe egjiptian. Ndërsa e ka bërë traditë mbështetjen e studentëve që vijnë nga shtresat në nevojë, për vitin e ri akademik, UET do të ofrojë 6-7 bursa për komunitetin rom dhe egjiptian. Zëvendësrektorja e UET, Erika Abazi shprehet se konkursi është i hapur për të gjitha rrethet e vendit dhe se bursat do të jepen për kandidaturat më të mira të këtyre komuniteteve. Për të folur konkretisht rreth kësaj çështjeje, Ministria e Punës ka organizuar dje një takim me përfaqësues të disa universiteteve private, të cilët kanë bërë propozimet e tyre për bursat që do të ofronin. Sipas zv.rektores, UET ishte i vetmi universitet privat që ofroi më shumë bursa studimi karshi universiteteve të tjera private dhe kjo konfirmon politikën që ky institucion i arsimit të lartë privat ndjek në këtë drejtim. Abazi shprehet se politika e UET është sponsorizimi i elitës së studentëve të këtij komuniteti, në mënyrë që edhe anëtarët e tij të jenë sa më të përfshirë në jetën publike. Më tej, zv.rektorja e UET shpjegon se, mbi bazën e propozimeve të paraqitura nga universitetet, Ministria e Punës do të përgatisë një memorandum, i cili do të diskutohet në një tryezë të hapur. Ndërkaq, UET ka kërkuar transparencë për dhënien e bursave dhe për këtë arsye, në komisionin e përzgjedhjes së tyre do të jetë edhe një përfaqësues i komuniteteve përkatëse.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›