Shëndeti, gjysma e shqiptarëve të pasiguruar s’kanë mundësi
Mungesa e parave të mjaftueshme ka bërë që 51.1% e personave të papërfshirë në skemën e sigurimeve shëndetësore, të mos paguajnë kontributet për të përfituar prej saj. Kjo është një nga arsyet pse shqiptarët nuk i paguajnë kontributet e sigurimeve shëndetësore, por jo e vetmja. Arsyeja tjetër e fortë për të mos paguar kontributet, në 20.9% të jokontribuesve është puna e zezë. Ndërsa arsyeja e tretë, e shprehur nga 13.8% e jokontribuesve, është se këta nuk kishin menduar kurrë për këtë. Ky fakt mund të jetë interesant, pasi ai nënkupton se nëse këta persona do të kishin informacion të saktë, ndoshta mund t’i ishin bashkuar skemës së sigurimeve. Këto përfundime janë nxjerr nga një studim i realizuar nga Dorina Çanaku, Ervin Toçi, Gentiana Qirjako, Enver Roshi, specialistë të Institutit të Shëndetit Publik, të cilët kanë bërë një analizë të shtrirjes dhe arsyeve për mospagimin e kontributeve shëndetësore në popullsinë shqiptare. Lidhur me shpenzimet shëndetësore dhe shuma e përshtatshme për t’u paguar në muaj për sigurimet, studimi ka nxjerr rezultate shumë interesante, të cilat kanë dalë nga krahasimi i shpenzimeve shëndetësore gjatë muajit të kaluar të të siguruarve me ato të të pasiguruarve. Të dhënat tregojnë se nuk kishte ndonjë ndryshim për sa i përket shumës së shpenzuar për shëndetin gjatë muajit të fundit midis personave të siguruar dhe atyre të pasiguruar dhe trendet ishin pothuajse identike. Sipas specialistëve të studimit, ky rezultat sugjeron një aspekt shumë të rëndësishëm: duke qenë se shpenzimet shëndetësore janë të ngjashme për të siguruarit dhe për të pasiguruarit, në një kohë kur të qënit i/ e siguruar duhet të lehtësojë shpenzimet personale për shëndetin, atëherë konkluzioni është që personat e siguruar janë në një farë mënyre të detyruar nga rrethanat që të paguajnë nën dorë, çka do të thotë se implikimet e pagesës së njëjtë, pavarësisht faktit nëse je i siguruar apo jo, janë kritike. Një tjetër rezultat interesant i studimit lidhet me sasinë e përshtatshme për t’u paguar nga njerëzit për të përftuar shërbimet e ISKSH-së. Rreth gjysma (47.9%) e subjekteve deklaruan se ata do të dëshironin të paguanin 1000 lekë ose më pak në muaj për t’u siguruar. Ndërkohë që me rritjen e sasisë së përshtatshme për t’u paguar rritet dhe proporcioni i të siguruarve të gatshëm të paguajnë këtë shumë (36.4% e personave të gatshëm të paguajnë 500 lekë ose më pak ishin të siguruar, krahasuar me 82.2% e personave të gatshëm të paguajnë 4000 lekë e lart që ishin të siguruar). Po ashtu edhe me rritjen e nivelit të arsimit rritet proporcioni i personave të gatshëm për të paguar një shumë mujore më të lartë (18% e atyre me arsim 9-vjeçar janë të gatshëm të paguajnë 2000 lekë ose më shumë në muaj, kundrejt pothuajse gjysmës së personave me arsim universitar të gatshëm të paguajnë të njëjtën shumë mujore). Në përgjithësi, sipas studimit, personat e punësuar informalisht, të papunët, pensionistët dhe studentët preferojnë të paguajnë 1000 lekë ose më pak në muaj për të qenë të siguruar, duke variuar nga 64.9% midis të punësuarve informalisht deri në 100% e të papunëve që preferojnë të paguajnë këtë sasi parash.
Arsyet për të mos paguar kontributet shëndetësore
51.1% nuk kam para mjaftueshëm
20.9% puna në të zezë
13.8% nuk kam menduar kurrë për këtë
4.9% shporta nuk është tërheqëse
4.9% procedurat janë burokratike
2.7% nuk kam nevojë për shërbimet e shportës
1.7% nuk kam nevojë për shërbimet shëndetësore