Princ Leka: “Romanca ime me Elia Zaharinë”
Petrika GROSI
Pasi hyra në dhomën e miqve dhe po prisja personalitetin që do të intervistoja, një çast shtanga. Ndërkaq, dikush ma bën me shenjë të mos shqetësohem dhe më tha: “Është Sala, mos ki frikë!” Jo Sali Berisha, mos u keqkuptoni. Në fakt Sala është qeni më i madh i familjes mbretërore në Shqipëri. Ajo është 15 vjeçe, ndërkohë që kjo racë zakonisht nuk jeton më shumë se 10 vjet. Siç e keni kuptuar, sot në suplementin “Albania Weekend” nuk vjen një artist, megjithatë, kemi të bëjmë me një personazh shumë interesant të jetës publike, siç është princ Leka. Ai ka pranuar të rrëfehet ekskluzivisht për gazetën “Albania” mbi jetën e tij, brenda dhe jashtë Pallatit Mbretëror, momentet e bukura e të vështira, marrëdhënien me prindërit, deri te “zjarri” i dashurisë që i përvëlon zemrën për Elia Zaharinë, princeshën e ardhshme të shqiptarëve (e bija e aktores Yllka Mujo).
Me çfarë po merret aktualisht princ Leka?
Përveç angazhimeve të mia në Ministrinë e Jashtme, shumë të rëndësishme janë impenjimet në Oborrin Mbretëror, në aspektin social, kulturor etj. Takimet me publikun janë pothuajse të përditshme. Ato më ndihmojnë që të njihem me problemet dhe shqetësimet e shqiptarëve. Gjithashtu, forcimi i kontakteve me diasporën shqiptare, me personalitete brenda dhe jashtë kufijve, janë çështje vitale, të cilat mbulojnë veprimtarinë time në Oborrin Mbretëror Shqiptar.
Cilat janë ambiciet personale dhe karriera që mendoni për të ardhmen?
Roli dhe detyra ime si princ i shqiptarëve më ka mundësuar për të qenë sa më i pranishëm në çdo dimension të jetës sociale, ekonomike dhe politike të shqiptarëve dhe do të më drejtojë në të ardhmen.
Si mendoni ta thelloni më tej formimin tuaj?
Besoj se e kam marrë tashmë rrugën e diplomacisë. Kam pasur mundësi edhe që të jem aktiv në këtë fushë, por formimi im në këtë sens asnjëherë nuk do të mbarojë. Ndërkaq, vazhdoj të mësoj gjuhë të huaja. Shkollimi është mjeti më i rëndësishëm që një person mund të ketë. Punën time e var krejtësisht te vullneti i popullit, pasi pa mirëkuptimin dhe besimin e tyre nuk bëj dot gjë.
Duhet të punoj në tri shtylla kryesore. E para lidhet me historinë dhe informimin e njerëzve mbi familjen mbretërore, shtylla e dytë ka të bëjë me punën direkte nëpërmjet aktiviteteve kulturore, sociale dhe politike. Në këtë drejtim i kemi të gjitha mundësitë që ta meritojmë këtë emër të cilin fati na i ka sjellë.
ǒmund të na tregoni për përvojën në Akademinë Ushtarake në Sandhurst, në Angli?
Kam nisur formimin tim në Akademinë Ushtarake “Skënderbeg”. Ky formim është rritur në një nivel më të lartë, duke u diplomuar në një ndër akademitë mbretërore në Mbretërinë e Bashkuar, në Sandhurst, gjë që ka ndikuar në përgatitjen dhe rritjen time në përballjen e vështirësive, veçanërisht në formimin e karakterit.
Më mirë mbret, apo gjeneral?
Detyra si gjeneral fitohet në rank, ndërsa të qenit mbret fitohet duke u bazuar në meritat që i jep vetë populli.
Në përgjithësi dukeni modest. Sa i rëndësishëm është ky kriter për ju dhe çfarë tjetër do të vlerësonit te një njeri?
Përveç modestisë vlerësoj karakterin e fortë, ndershmërinë dhe profesionalizmin.
Po në një femër cilat janë karakteristikat që bëjnë dallimin?
Çdo njeri ka cilësitë e veta, por unë do të veçoja intelektin dhe personalitetin, që i kam gjetur tashmë.
Çfarë pasionesh ka princ Leka?
Artet marciale, leximi që kam në dispozicion dhe perfeksionimi i gjuhëve të huaja, si frëngjishtja.
Marrëdhënia me babanë tuaj...
Me kalimin e viteve ndiej që babai im nuk është vetëm mbreti im, por edhe miku im më i mirë.
Kur je në qendër të vëmendjes është e vështirë të bësh miq të mirë, pasi shpesh njerëzit afrohen për interes. Sa e keni ndier këtë?
Kam pasur fatin të krijoj shumë miqësi në Shqipëri, por miqtë e vërtetë i tregon vetëm koha.
Jeni shprehur gjatë një interviste se e pëlqeni jetën e natës. Pse?
Varet nga vendi dhe situata, por unë gjithnjë ndiej kënaqësi mes miqsh. Nuk e përjashtoj jetën e natës, por pa e tepruar.
Besoni në Zot?
Po.
Po garat me kuaj a ju tërheqin?
Kam mbështetur Federatën e Hipizmit në Shqipëri dhe gjatë fëmijërisë sime, kur kam qenë në Afrikën e Jugut, kam fituar disa çmime. Nuk mund të them se jam ndonjë ekspert, por është një sport që më pëlqen dhe që me kalimin e kohës shpresoj se do të vazhdojë të përhapet në vendin tonë.
Më mirë ndiheni në det, apo në mal?
Gjatë dimrit bëj ski dhe gjatë verës u gëzohem rrezeve të diellit në rivierën shqiptare.
Ju mbush më tepër emocionalisht pranvera, vera, vjeshta, apo dimri?
Më mbush emocionalisht pranvera për arsye se më krijon alergji. (Qesh.)
Nga artet çfarë ju pëlqen veçanërisht?
Kohët e fundit kam qenë më i pranishëm në teatër. Ndjenjën artistike e kam të trashëguar edhe falë influencës së nënës sime, mbretëreshës Susan.
Mbreti ka pasur një pasion të madh për armët, po ju?
Është e vërtetë se babai im ushqen një pasion për armët. Po pres një koleksion që do të vijë nga Parisi dhe së shpejti do të ndërtojmë një muze me armatimet e vjetra, pronë e familjes mbretërore. Këto armë janë përdorur herë pas here politikisht kundër nesh, pasi fatkeqësisht politika nuk i ka respektuar të gjitha dëshirat tona ligjore.
Përsëri sa i takon marrëdhënies suaj me mbretin, ç’mund të shtoni?
Sot për sot jemi një familje e vogël; unë dhe babai. Ai e ka ndier shumë mungesën e nënës sime. Ikja e njërës prej shtyllave kryesore të familjes qe një goditje për të. Gjithmonë babai im ka qenë një figurë shumë madhore. Kujtoj kohën kur ishim në Afrikën e Jugut; të gjithë njerëzit e shikonin babin si një njeri me vizion të madh lidhur me politikën, ekonominë, kulturën dhe perspektivën e ushtrisë shqiptare. Të njëjtat ide po realizohen sot, e sidomos përfundimi i rrugës “Durrës-Kukës” do të jetë një sukses i madh për shqiptarët, realizimi i një ëndrre të madhe. Një pjesë e mirë e popullit ndoshta nuk e di se 70 vite të jetës së tij mbreti ka luftuar dhe ka punuar vetëm për Shqipërinë.
Si e mbani mend fëmijërinë tuaj përkrah mbretit?
Kam shumë kujtime të bukura, ndaj dhe është pak e vështirë për mua që t’i ndaj. Një nga momentet më të bukura ka qenë festimi i Krishtlindjeve. Nëna ime ishte anglikane, ndërsa gjyshja katolike, kështu që kemi festuar të gjithë së bashku Krishtlindjet, duke bërë përgatitur pemën e Krishtlindjeve, duke ndarë dhuratat etj. Këto janë kujtime të bukura.
Dhe cila ka qenë dhurata më e bukur që ju kanë bërë?
Ndoshta një biçikletë “BMX”.
Sa vjeç ishit kur e morët dhuratën? E kishit kërkuar, apo qe surprizë?
Duhet të kem qenë rreth 6 vjeç. I shkrova një letër Babagjyshit, ku kërkoja biçikletën dhe për çudi ajo erdhi...
Është veshur mbreti si babagjyshi?
(Qesh.) Jo, asnjëherë. Babai nuk është veshur si babagjyshi. Kujtoj një rast kur isha më i madh dhe e kisha kuptuar se nuk ekzistonte më babagjyshi. Babi me mamin po linin dhuratat duke u munduar që të mos i dëgjoja.
Shoh se mbani edhe qenë...
Kemi pesë qenë. Kjo që shihni është Sala. Nuk ka asnjë lidhje me Berishën. Sala është racë “bokser” dhe tani është 15 vjeçe. I ka thyer të gjitha rekordet e mundshme, pasi ky lloj qeni jeton zakonisht 9-10 vjeç.
Momenti më i dhimbshëm deri më sot?
Humbja e nënës sime. (Hesht.)
Si e mbani mend atë moment aq të vështirë?
Të dish është një gjë, ndërsa të përjetosh është një tjetër. Nuk gjej fjalë për ta përshkruar tronditjen dhe dhimbjen në ato momente. Kam qenë atje bashkë me babanë. Në ato çaste njeriu nis dhe reflekton mbi jetën. Mendon se sa e vështirë është jeta dhe sa shumë mund të humbësh brenda pak çastesh.
Le të kujtojmë momentet e bukura me mamanë tuaj?
Kisha një lidhje të veçantë, pasi ishte personi të cilit i hapesha më shumë. Flisja për gjithçka, mbi vajzat, problemet dhe shqetësimet e mia. Në adoleshencë nuk isha fare një djalë që mund të konsiderohej i lezetshëm; isha tepër i gjatë dhe i dobët, kisha puçrra, syze dhe kisha një zë që nuk më pëlqente. Pikërisht në këtë periudhë nëna ishte mbështetësja kryesore që më jepte forcë. Por, kemi pasur dhe përplasjet tona; në adoleshencë kalova një periudhë gjatë së cilës nuk e pëlqeja pamjen time, pasi nuk dukesha si shqiptar. Një gjë e tillë për mua ishte një goditje e rëndë. Në një moment i kam thënë asaj se nuk ishte më nëna ime dhe për këtë, sigurisht, më pas jam penduar.
Prindërve gjithmonë u takon të ndajnë rolet; njëri bëhet i miri dhe tjetri i keqi. Kam përshtypjen se babait tuaj, mbretit, i ka takuar roli i të keqit, apo jo?
Babai gjithmonë më ka disiplinuar. Nga mamaja nuk kam pasur frikë asnjëherë, ndërsa një fjalë e babait më bënte që të bindesha. Në këtë drejtim besoj se kam qenë me fat. Në moshën që jam sot e shikoj babanë në tre drejtime; si mikun, mbretin dhe babanë tim.
Si është të jesh princ, paçka se Shqipëria është republikë?
Princi duhet të konsiderohet si një titull krejtësisht simbolik. Realisht besoj te merita dhe aftësitë e mia për ta përdorur këtë titull fisnik. Një princ ka mjaft obligime. Duhet të sigurojmë afrimitetet e njëkohësisht duhet të jesh dhe shumë i disiplinuar. Mbajtja e një imazhi varet nga situatat dhe nuk është e lehtë.
Cilat janë burimet e të ardhurave financiare të familjes suaj?
Është një pyetje shumë intime dhe për këtë më mirë duhet të pyesni mbretin.
Njohja me princeshën e ardhshme?
Hera e parë që jam takuar me Elian ishte në Ibë te Gëzim Kame. Kemi pasur bashkëpunime me Yllkën në atë kohë dhe aty jam njohur me Elian. Ajo ishte duke përgatitur një projekt lidhur me teatrin shqiptar dhe kishte disa pyetje mbi kohën e mbretërisë. Unë e ndihmova që të krijonte kontakte me individët brenda oborrit mbretëror.
Kur e kuptuat që ndienit diçka për të?
Realisht, krijuam një miqësi të menjëhershme. Nuk filluam të dilnim me ndonjë paramendim, por thjesht si shokë. Elia është shumë e komunikueshme dhe kemi mjaft të përbashkëta. Duke qenë se ajo shfaqet e lirë në komunikim dhe ishte vetvetja, më ndihmoi edhe mua që të isha vetvetja. Pastaj, gjërat rrodhën natyrshëm.
E mbani mend kur e keni propozuar, ose kur i keni dhënë puthjen e parë?
Këto janë momente të cilat nuk dua t’i prek, madje e kalova një farë kufiri edhe me sa ju thashë. Është ajo që ne po kalojmë një periudhë të lumtur bashkë, ku gjithçka është shumë e bukur, si një ëndërr. Nuk mund të planifikohet asgjë në punët e zemrës. Nuk ka udhëzime dhe as rregulla... Në këtë aspekt besoj se jam me fat.
Si e kalonit kohën e lirë kur dilnit fillimisht me Elian?
Elia kishte kaluar shumë vite larg Shqipërisë, ndaj shfrytëzova hapësirën që të vizitonim të gjitha pikat e Tiranës dhe të rretheve. Pastaj, jam habitur kur kam parë se kemi thuajse të njëjtën shoqëri dhe kjo është një gjë që e bën më të lehtë marrëdhënien tonë.
Si e kanë pritur familjet lidhjen tuaj?
Deri tani nuk mund të flas për këtë gjë, pasi nuk është diskutuar në asnjë rast, por mund t’ju them se nuk kam dëgjuar asnjë fjalë negative për lidhjen tonë.
Thuhet se etika e Pallatit Mbretëror e ndalon Elian të aktrojë në disa role. A nuk ju vjen keq që në këtë mënyrë ajo nuk mund ta ushtrojë dot profesionin e saj, për të cilin ka dhe shumë pasion?
Në asnjë rast nuk e kam ndaluar dhe nuk do ta ndaloj që Elia të bëjë diçka që e dëshiron. Nëse Elia nuk e pranon një ofertë, kjo është zgjedhja e saj. Ekziston gjithmonë një etikë brenda oborrit, por besoj se Elia vetë ka një karakter dhe ajo do të vendosë vetë.
Po pushimet ku do t’i kaloni?
Nuk e kam çuar fare në mendje këtë gjë, pasi jemi në një moment shumë të rëndësishëm para zgjedhjeve.
Elia është duke vazhduar studimet në Paris. Pasi të jetë mbyllur ai cikël, cilat janë planet tuaja?
Ende nuk kemi folur. Elia tani është në sezon provimesh dhe rri e mbyllur në shtëpi duke studiuar. Unë e di se ajo do të ketë dëshirë që të kënaqet këtë verë, por nuk e di se çfarë do të bëjmë. Ndoshta do të shkojmë në Jug të Shqipërisë.
Keni pasion për artet marciale. ǒdo të thoshit diçka më tepër?
Stërvitja ndihmon në krijimin e disiplinës dhe mbajtjen e trupit në formë. Lëvizjet për vetëmbrojtje janë gjithmonë të rëndësishme. Dy-tri herë në javë bëj stërvitje të përgjithshme stërvitore të trupit dhe të arteve marciale. Kam një profesor, i cili është një oficer shumë i njohur, që ka punuar në Akademinë Ushtarake. Tani kam hyrë në fazën e karatesë. Kam aplikuar “han mu sul”, një art luftarak i Koresë se Veriut, për të cilin më ka stërvitur një profesor rus. Kjo disiplinë është shumë afër tajkendusë.
Keni dëshirë të merrni pjesë në ndonjë kampionat të arteve marciale?
Kam pasur dëshirë që të hyj në kampionat. Një nga truprojat e mi ka qenë disa herë kampion i Shqipërisë. Në një nga ndeshjet me të kam humbur vetëm me disa pikë. Kam bërë shumë stërvitje për të arritur në një nivel të mirë. Në këtë drejtim më ka ndihmuar shumë edhe Akademia Ushtarake në Angli. Për dy vitet e fundit jam marrë më tepër me atë lloj stërvitjeje, e cila është më tepër aerobike dhe nuk të krijon masa, ndërsa tani që po afron koha e plazhit kam dëshirë që trupi të më duket pak më i bukur.
Kthehemi tek arti. Thatë se nëna ju ka ushqyer pasionin për artin?
Ajo ka qenë profesoreshë në shkollë dhe ka pasur pasion për artin. Me talentin e saj më ka bërë që ta kuptoj artin, por nuk mund të them se jam artist apo që kam ndonjë talent në art.
Nuk është se keni pasur ndonjë dashuri për këngën, pianon, kitarën?
Me kitarën kam lidhje. Për këtë më ka nxitur Elia sepse më ka thënë që duhet ta mësoj kitarën. Një ditë, pa i thënë Elias do ta perfeksionoj kitarën dhe do të luaj për të. Më vjen keq që nuk e kam shfrytëzuar mundësinë për të mësuar ndonjë instrument muzikor kur isha në Afrikën e Jugut. Sot më mungon një element shumë i rëndësishëm për artin dhe kjo ka të bëjë me kohën e jo me mungesën e vullnetit.
Do t’i bëni një këngë?
(Qesh.) Jo këngë, jo. Këngët ua lë artistëve, politikanëve, Edi Ramës...
Po me letërsinë si i keni marrëdhëniet, pasi edhe ajo kërkon kohë?
Jam me fat që kemi një bibliotekë të madhe me mbi 14 mijë libra. Lexoj shumë edhe për të forcuar dhe thelluar kulturën time shqiptare, pasi jam rritur më tepër në shkollat e huaja. Gjithmonë kam një libër në dorë.
Të çfarë natyre janë librat që lexoni?
Historia është më shumë me rëndësi. Pastaj ka faza të caktuara. Ndonjëherë fantazia shkencore, e cila nuk ka ndonjë vlerë të madhe, e herë tjetër dua të lexoj monografi, novela apo romane.
Kë do të vlerësonit më shumë nga autorët shqiptarë?
Do të kisha dëshirë të them Kadare, do të kisha dëshirë të them emra të tjerë, por ende nuk kam gjetur një autor shqiptar që të më bëjë të krijoj një lidhje apo afeksion, komunikimin për të cilin lexuesi ka aq nevojë. Nuk është se i nënvleftësoj, pasi kam lexuar edhe prozë dhe poezi, por kështu ndihem. Nga të huajt pëlqej kam Uillborn Smithin. Para një muaji lexova librin e Obamës dhe më tërhoqi sidomos për historinë e tij. Gjeta gjëra të përbashkëta.
Së fundi, le të flasim pak për politikë. Do të ishit më tepër për një demokraci të centralizuar, apo liberale për vendin tonë?
Demokracia përcaktohet si sistem për të cilin personalisht jam pro. Të centralizuar në ç’kuptim? Duhet të ketë një balancim mes liberales dhe konservatores, duke përdorur konservatorizmin si bazë moraliteti e të traditës dhe sistemin liberal si një mjet për të forcuar aspektin social.
Mendoni se do të zhvillohen zgjedhje të lira dhe të ndershme më 28 qershor?
Zgjedhjet e lira, të ndershme dhe demokratike janë kushtet primare për zbatimin e vizionit për të gjithë faktorët e politikës shqiptare për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
30 Maj 2009