E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbyllen regjistrimet, nis shqyrtimi i kërkesave



Mbyllen zyrtarisht regjistrimet paraprake për në universitetet italiane dhe nis shqyrtimi i kërkesave. Pas mbylljes së regjistrimit, më datën 29 maj, kërkesat e studentëve të depozituara pranë Ambasadës Italiane, do të nisen më pas, nga ana e Kancelarisë Konsullore të Ambasadës, drejt universitetit italian të përzgjedhur, i cili edhe do të vendosë në fund mbi pranimin e studentëve, sipas vendeve të rezervuara për studentët e huaj. Pasi të vlerësohen dhe verifikohen të gjitha kërkesat e të rinjve shqiptarë nga organet e specializuara në Itali, do të vendoset përfundimisht edhe se cili e fiton provën e hyrjes. Provimi i gjuhës italiane është i detyrueshëm jo vetëm për të ndjekur studimet e larta në këtë shtet, por për të marrë edhe konfirmimin nëse je fitues. Ndërsa për kurset e diplomimit me numër të limituar (Arkitektura, Mjekësia, Odontoiatria, Veterinaria, profesionet sanitare, Shkencat e Formimit primar) përveç provimit të gjuhës, janë parashikuar prova të tjera për t’u kaluar në lidhje me disiplina të veçanta. Pas plotësimit të 3 mijë kuotave të para për studentët shqiptarë, brenda 12 dhjetorit, universitetet italiane do të bëjnë të ditur nëse ka ende vende të lira. Në këtë pikë, ata që kanë mbetur jashtë mund të paraqesin kërkesën për një kurs tjetër diplomimi, ose për të njëjtin kurs, në një universitet tjetër. Të rinjtë e huaj, të cilët jetojnë në Itali dhe dëshirojnë të regjistrohen në universitet, nuk hyjnë në këto kuota, por mund të paraqesin kërkesën e regjistrimit pa limite në numër, duke ndjekur të njëjtat rregulla të cilat aplikojnë italianët.

Punësimi, së shpejti 12 qarqet e vendit me sistem informatikë

Sistemi informatikë i punësimit do të shtrihet së shpejti në 12 qarqet e vendit, duke u ofruar shërbim online të papunëve dhe punëdhënësve. Ministri i Punës, Viktor Gumi ka “braktisur” paraditen e djeshme karrigen e ministrit, për të vizituar Zyrën Rajonale të Punës në kryeqytet. Ministri i Punës, përveçse ka inspektuar punën që realizohet në zyrën e punësimit në Tiranë, për rreth dy orë ka pritur vetë në sportele të papunët që janë paraqitur në orët e mëngjesit të së premtes, për të plotësuar formularët e aplikimit. Ministri Gumi ka premtuar se modeli i zyrës së punësimit në Tiranë, do të shtrihet në 12 qarqet e vendit, duke ofruar në një kohë rekord të gjithë informacionin e nevojshëm për punëkërkuesit dhe punëdhënësit. Aktualisht numri i të papunëve në Tiranë, zyrtarisht është 13 921. Numri i të punësuarve arrin në shifrën 164 936, nga këta 56 mijë e 87 janë të punësuar në sektorët shtetërorë, ndërkohë që 108 mijë e 309 në subjektet private që operojnë në kryeqytet. Numri i të punësuarve nga zyra rajonale e punësimit në Tiranë tre muajt e fundit shkon në 1018.

30 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›