E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spitalet ne vend, te paafta perballe virueseve per mungese fondesh



Emanuela Sako

Sistemi shëndetësor në vendin tonë përfshihet në situatën emergjente, që po ndodh në të gjithë botën nga epidemi apo pandemi të ndryshme, të cilat kanë vënë në alarm shëndetësinë botërore. Specialistët e Ministrisë së Shëndetësisë janë shprehur se sistemi ynë shëndetësor po përgatitet për përballimin e këtyre situatave, qoftë nga ana financiare dhe ajo e ndryshimit të politikave mjekësore. Pavarësisht deklaratave të bëra se në Shqipëri nuk ka raste të infektimit nga virusi A, H1N1, duket se autoritetet shëndetësore ndihen “të frikësuar” nga situata. Kushtet që ndodhet shëndetësia në vendin tonë dhe gjendja e krijuar jashtë kufijve tanë, ka vënë në lëvizje Ministrinë e Shëndetësisë për të marr masa paraprake dhe për të informuar qytetarët. Gjendja e krijuar dhe masat e marra janë diskutuar gjatë Konferencës për “Sëmundjet infektive, epidemitë, pandemitë: si t’i parandalojmë”, që u zhvillua dje.
Masat
Drejtori i Planifikimit të Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Arjan Harxhi, deklaroi se në vendi ynë, ka filluar rishikimin e rregulloreve mjekësore, ndërkohë që situata të tilla kërkojnë dhe fonde shtesë. “Bëhet fjalë për situata që kërkojnë rishikim të rregulloreve, aplikim të rregulloreve ndërkombëtare të shëndetit në kushtet aktuale. Bëhet fjalë për situata ku duhen angazhuar fonde dhe burime financiare të mëtejshme. Ne jemi gati bazuar në këtë lloj situate të riskut”,- theksoi Arjan Harxhi. Specialistët theksuan se vendi ynë disponon numrin e specialistëve që duhet të përballojnë situatat në rast të përkeqësimit të gjendjes dhe përhapjes së virusit edhe në vendin tonë. Harxhi siguroi se, bazuar në kushtet e Shqipërisë, këto masa janë marrë, qoftë në drejtim të përshtatjes së rregullores ndërkombëtare, apo qoftë dhe në drejtim të rritjes së kapaciteteve të caktuara shëndetësore, përgatitjes së stafit, krijimit të stoqeve të nevojshme të barnave antivirale, por dhe rritjes dhe sensibilizimit të popullsisë për të qenë më të ndërgjegjshëm për parandalimin e infeksioneve.
Medikamentet
Medikamentet për përballimin e rasteve virale nuk mungojnë në vendin tonë apo në Spitalin Infektiv, që është i pari që pret rastet e prekura nga viruset. Ndërsa analizat laboratorike do të kryhen nga ISHP-ja, e cila është e specializuar në këtë fushë. Specialistët bënë të ditur se ISHP-ja do të ketë bashkëpunime me shëndetësinë Italiane, në trajtimin e rasteve problematike të shëndetit publik. Ministria e Jashtme e Italisë, përmes Kooperacionit Italian për Zhvillim, është angazhuar me 18 projekte në fushën e shëndetësisë në Shqipëri, me një vlerë prej 45 milion euro.

Mjekët: ”Nuk ishte helmim, studentët maqedonas u kthyen në shtëpi”

Rezultatet përfundimtare të deklaruara nga mjekët infeksionistë, bëjnë të ditur se 33 studentët maqedonas nuk ishin helmuar nga ushqimet e konsumuara dy net më parë. Shefi i shërbimit në Spitalin Infektiv në QSUT, Dhimitër Kraja, shprehet se simptomat që kanë shfaqur studentët, nuk kanë qenë të një helmi, por të ardhura si pasojë e një përzierje ushqimesh dhe pijesh të ftohta, apo alkoolike. “Kishim të bënim me një sindromë, ne i themi dispeptik të sipërm. Domethënë çrregullime që lidhen kryesisht me rëndime në stomak, me mosdëshirë për të ngrënë, tharje goje, dhe nuk u konstatua asnjë shenjë klinike që të mbështesë idenë e një helmimi ushqimor. Nuk ka pasur as të vjella, as temperaturë. Kjo mendojmë që të jetë një kompleks çrregullimi nga ushqimet e ngrëna në vende të ndryshme që nuk i duron kollaj një njeri, të hajë mëngjesin këtu, drekën atje, paraditen, pasditen, pirja e lëngjeve të ndryshme të ftohta”,- u shpreh Dhimitër Kraja. Specialistet e ISHP-së, tashmë kanë filluar ekzaminimet përkatëse. Ata kanë marrë mostra në terren, në lokalin e fundit ku studentët kanë konsumuar ushqimin. Pas daljes së rezultateve do të jepen konkluzionet e sakta lidhur me ngjarjen e ndodhur në mbrëmjen e dy ditëve më parë. Aktualisht, studentët janë larguar në orët e mesnatës, pas vizitave të kryera në Spitalin Ushtarak dhe në QSUT. Kështu, 33 studentët kanë ngrënë darkën në një nga restorantet pranë Stadiumit “Qemal Stafa”.

30 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›