E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama: ”Berisha, luftë primitive ndaj pushtetit vendor opozitar”



Emanuela Sako

Akuzat mes dy liderëve kryesorë të pozitës dhe opozitës kanë vijuar me akuza të ashpra dhe përplasje për ndarjen e pushteteve. Kryetari i Bashkisë së Tiranës i ka bërë thirrje kryeministrit të vendit të heqë dorë nga akuzat dhe sulmet që po bën ndaj pushtetit vendor opozitar. Ai i ka kërkuar të marrë parasysh kërkesat e bëra nga vendorët socialistë dhe t’u hapë rrugë bizneseve, të cilat, sipas Ramës, po sulmohen dita-ditës prej tij. Kryetari i Bashkisë, njëkohësisht kundërshtari kryesor politik i Berishës, akuzon kryeministrin se po ushtron presion antiligjor ndaj pushtetit vendor për t’i shmangur hijes së krimit elektoral. Rama e cilësoi agresion ndaj një prone të sipërmarrjes private si banditeske, ku pushteti i tij bëri shkatërrimin e fasadës së tri kateve të para të pallatit të kunatit të deputetit socialist Dashamir Peza dy ditë më parë. Mitingun e dy ditëve më parë, Rama e cilësoi si një sulm antiligjor që kërkon manipulimin e opinionit. “Sulmi i djeshëm ishte antiligjor, antinjerëzor dhe me qëllim manipulimin e opinionit publik. E ka të kotë, nuk i ikën dot hijes së krimit elektoral”, - theksoi Rama.
Deklarata
Edi Rama e cilësoi aksionin e Inspektoratit Kombëtar të Ndërtimit për shembjen e ndërtesës 12-katëshe tri ditë më parë si sulm politik të ndërmarrë nga qeveria për të shmangur çështjen e hapjes së kutive. Rama bëri të ditur se kryeministri Berisha nuk do t’i shpëtojë asnjë akuze apo shpifjeje, pasi kallëzimet penale tashmë janë bërë pranë gjykatës dhe prokurorisë. Bëhet fjalë për akuzat që ka bërë kryeministri për tokën te “Tajvani” dhe shpifjet në adresë të pushtetit vendor. Njëkohësisht, deputeti i opozitës Dash Peza dhe pronari i pallatit 12-katësh, Ilir Mata, kanë bërë padi pranë organeve të Drejtësisë për shpifje dhe prekjen e pronës private. Sipas opozitës, pallati ishte ndërtuar brenda të gjitha rregullave dhe procedurave ligjore. “Ai ka përshkallëzuar dje sulmin barbar me një tjetër goditje kriminale, ndaj një tjetër prone private. E ka përsëri të kotë për të spostuar vëmendjen nga kutitë e mbyllura të krimit elektoral nga llogaria e hapur me publikun shqiptar për tërmetin e korrupsionit dhe mashtrimit elektoral në tunelin e Kalimashit. Nga të dhënat përditë e më rrëqethëse që lidhin qartësisht interesat ekonomike të familjes së tij me qeverisjen e vendit, Sali Berisha ka hapur një luftë primitive frontale”, - deklaroi Edi Rama.
Çështja e kutive
Çështja e shumëpërfolur dhe që po kërkohet me forcë dhe në rrugë ligjore nga opozita, çështja e kutive, ka qenë sërish në qendër të vëmendjes së kreut të Bashkisë së Tiranës dhe kryetarit të opozitës. Ai i ka kujtuar edhe njëherë kryeministrit se duhet të hapë kutitë, ose të largohet. Rama theksoi se vetë populli do ta gjykojë me votë këtë njeri, të cilit i ka dalë vetja nga duart. “Nga të dhënat rrëqethëse, Berisha ka hapur një luftë primitive frontale duke vënë në shënjestër pushtetin vendor. E ka të kotë, pasi ne, të zgjedhurit vendorë, na ka përballë”, - u shpreh Rama.

Goditja ndaj biznesit, prishja e objektit 12- katësh

Kryeministri goditi sërish biznesin tri ditë më parë, ku lejoi fadromat të ndërhynin në objektin 12-katësh, në pronësi të kunatit të deputetit opozitar, Dash Peza. Pronari i pallatit 12-katësh, Ilir Mata, deklaroi se objekti është ndërtuar me firmën e kryeministrit Sali Berisha. Biznesmeni shpjegoi për mediat të gjithë dosjen e dokumentacionit që provon ligjshmërinë e objektit. Biznesmeni depozitoi një padi civile në Gjykatën e Tiranës, ku kërkon pezullimin e menjëhershme të punës së Inspektoratit. Sipas Matës, duket se kjo ngjarje ka lidhje me politikën, megjithatë ai ka vendosur të ndjekë rrugën ligjore duke u treguar indiferent ndaj të gjitha deklaratave fyese që vijnë nga qeveria. Me gjithë indiferencën e tij, ai nuk ka mundur dot të fshehë se këto lloj incidentesh ndaj biznesit të bëjnë të mendosh se qeveria nuk jep siguri për të gjithë ata që duan të investojnë në vend. Situata u tensionua në orët e para të mëngjesit kur pallati u rrethua nga forca të policisë që të niste prishja e tij. Menjëherë aty kanë mbërritur disa deputetë të Partisë Socialiste, të cilët, edhe pse e kanë pasur të vështirë prej policisë, sërish arritën të depërtonin nga kordoni i krijuar me policët e forcave të rendit. Situata ka vijuar me tensione deri në orën 11:00 kur drejtuesit kanë urdhëruar pezullimin e prishjes së objektit. Mata, bëri publik të gjitha dokumentacionet, që vërtetojnë se ngritja e godinës është në përputhje me ligjet. Ai shpjegoi se 95 për qind të tokës e kishte blerë në vitin 1999, ndërsa 5 për qind të saj e ka marrë me qira po atë vit. Më pas ai shpjegoi se e ka hipotekuar në vitin 2005, duke e kthyer tërësish në një objekt të ligjshëm.

10 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›