Berisha përshëndet mitingashët, ashpërson sulmin ndaj Ramës
Kryeministri Berisha ka përshëndetur dje qytetarët shqiptarë që morën pjesë në mitingun festiv të PD-së me rastin e 8 dhjetorit. Berisha u shpreh se në sheshin “Skënderbej” ishin të pranishëm gjysmë milioni shqiptarë, që sipas tij, u bashkuan për idealet e Dhjetorit. Por, në fjalën e tij përshëndetëse, nuk mungonin akuzat ndaj kryetarit të Partisë Socialiste. Gjatë deklaratës së djeshme Berisha ashpërsoi dhe më tej gjuhën kundrejt rivalit të tij politik, ndërsa e cilësoi Ramën “një udhëheqës pa brekë”. Ndërkaq, kryeministri Berisha u bëri thirrje shqiptarëve që të mos e shikojnë Ramën si të lidhur me opozitën shqiptarë, pasi sipas tij, interesat e liderit të opozitës nuk janë gjë tjetër veçse personale dhe kanë lidhje me klanet mafioze.
Akuzat
“Unë jam i vetëdijshëm se në sheshin ‘Skënderbej’ nuk ishin të paktë, madje të shumtë, ata që ndjeheshin të irrituar me të drejtë, sepse sot, pas 19 vitesh, një njeri, një udhëheqës i Partisë Socialiste, një udhëheqës pa brekë, sepse siç ka dalë zotëria e tij në plazhet publike, nuk ka një politikan të vetëm në botë që të ketë dalë, ai njeri deklaron se do të shkelmojë mbi votën tuaj, deklaron se nuk e njeh vullnetin tuaj”, - është shprehur Berisha, ndërsa ka shtuar se ky qëndrim i Ramës bëhet vetëm për interesa mafioze. “Absolutisht, fund e krye, vetëm për interesa mafioze të pastra. Votën tuaj e kanë bekuar, e kanë legjitimuar 20 mijë anëtarë të Partisë Socialiste, të gjitha institucionet ndërkombëtare, të gjitha qeveritë e vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe vende të lira të botës. Por, votën tuaj nuk mund ta njohë një njeri, i cili është i vetmi që unë di sot, për 9 vite me radhë, i mohoi kafshatën fëmijës së tij”, - është shprehur kreu i PD-së.
Më tej Berisha ka përsëritur dhe njëherë akuzat personale ndaj rivalit të tij politik duke akuzuar të atin e tij për krime të bëra gjatë regjimit komunist. “Ky pinjoll i një babai që firmoste ekzekutimin e intelektualëve, pikërisht muajin kur shembej Muri i Berlinit, na shprehet se është krenar me trashëgiminë e tij, madje dhe kërcënon me trashëgiminë e tij. Unë ju ftoj ju të mos e konfondoni aty ku punoni dhe jetoni, kurrë dhe asnjëherë, këtë zotëri, me fqinjin tuaj socialist, me të afërmin tuaj socialist, as edhe me opozitën, e cila është një vlerë morale e pakontestueshme për vendin. Pasi ky zotëri nuk ka asnjë interes opozitar, nuk ka asnjë interes demokratik, ka thjesht vetëm një kauzë mafioze, kauzë e cila qëndron në përvetësimin e qindra mijëra, në mos miliona metra katrorë troje publike në Tiranë, me klanet mafioze që e drejtojnë dhe i drejton; kauzë e cila konsiston në mbylljen e rrugëve dhe ndërtimin mbi rrugët e kryeqytetit; kauzë, e cila konsiston në shndërrimin në bashkëpronar në tokat dhe trojet publike”, - është shprehur Berisha.
Mitingu
Përsa i përket mitingut të një dite më parë, kreu i PD-së u shpreh se në shesh merrnin pjesë 500 mijë shqiptarë, të cilët nderuan aktin historik të rrëzimit të komunizmit në Shqipëri. “Dëshiroj t’ju përcjell urimet e mia më të përzemërta, mirënjohjen time më të thellë për takimin e jashtëzakonshëm, mitingun më madhështor, në historinë e kryeqytetit, në nderim të një date që përcaktoi lindjen e lirive dhe të drejtave tona njerëzore, të një date që përcakton moshën e lirisë tonë dhe moshën tonë, si njerëz të lirë. Ne u bashkuam në shesh gjysmë milioni qytetarë, si kurrë ndonjëherë, me ndjenjën e thellë të besimit të asaj që realizuam 19 vite më parë, të asaj që studentët liberatorë, të udhëhequr nga Azem Hajdari, realizuan më 8 dhjetor të vitit 1990. Ne u mblodhëm në shesh më shumë se kurrë në historinë tonë, sepse këtë 8 dhjetor e kremtojmë si qytetar të një vendi anëtar të NATO-s; këtë 8 dhjetor e kremtojmë si një vend dhe qytetarë që zhvilluan zgjedhje të lira dhe të ndershme; këtë 8 dhjetor e kremtojmë pasi kërkesa jonë për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Europian u pranua”, - është shprehur kreu i qeverisë.
10 Dhjetor 2009