E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranvera greke sjell një ekspozitë librash

Prej ditës së sotshme, deri në 31 mars, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar do të qëndrojë e hapur ekspozita Libri: Urë e Kulturave. Bëhet fjalë për një aktivitet të përfshirë në kalendarin e programeve të Pranverës kulturore greke, organizuar nga Ambasada e Greqisë në Tiranë, me rastin e festës kombëtare të vendit fqinj. Ekspozita do të ofrojë për publikun një vitrinë me përkthime të letërsisë greke në gjuhën shqipe dhe anasjelltas. Qëllimi i kësaj ekspozite, ashtu si edhe i gjithë Pranverës greke, është shkëmbimi i pasurisë kulturore mes dy vendeve. Gjatë një takimi me mediat, ambasadori grek Nikolaos Pazios u shpreh se, nga sa ka parë tregun e librit shqip, letërsia moderne greke është shumë e paktë. Vendi fqinj paraqitet më së shumti me veprat e antikitetit, ndërkohë që në Greqi letërsia shqipe përfaqësohet më së shumti nga autorët Ismail Kadare e Dritëro Agolli. Sipas Pazios, kjo ekspozitë do të ndihmojë në njohjen e ndërsjellë.

Kinema, e mërkura u kushtohet femrave
E mërkura e filmit në AQSHF përsëri i rikthehet filmit artistik me metrazh të shkurtër, duke sjellë këtë herë tre filma, ku në qendër është figura e femrës shqiptare me problemet dhe sfidat me të cilat i duhet të përballet në jetë. Të ftuar autorë dhe aktorë të filmave: regjisori Eno Milkani, producenti Artan Maku, drejtori i fotografisë Spartak Papadhimitri, piktorja Soela Zani, aktoret Jonida Vokshi, Rozana Radi etj. Në takimin e së mërkurës do të rishfaqen për publikun filmat Busulla, Shenjtorja dhe Mira. Busulla është një prodhim i vitit 2007, i vlerësuar me çmime në aktivitete ndërkombëtare, me regji dhe skenar të Bujar Alimanit. Në të tregohet fati i një familjeje të izoluar për shkak të gjakmarrjes në një fshat të Shqipërisë së Veriut. Interpretojnë Luciana Vata, Bruno Shllaku, Arlind Shkjau, Lefter Simoni. Shenjtorja, një prodhim i vitit 2008, vjen me regji dhe skenar të Eno Milkanit. Një film i bazuar mbi një tregim të shkurtër të shkrimtarit Teodor Keko, i cili na kthen pas në kohë, brenda kornizave të diktaturës. Interpretojnë Jonida Vokshi, Amos Zaharia, Klara Shehu, Zhaneta Papamihali, Agron Gashi, Mihal Ciko. Mira (2008), me skenar dhe regji të Dhimitër Ismailajt, sjell vështirësitë me të cilat përballet një grua në vitet e tranzicionit, përballë një shoqërie patriarkale dhe luftës për mbijetesë. Interpretojnë Rozana Radi, Neritan Liçaj, Tinka Kurti, Ilir Gjini etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›