E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita nuk miraton ligjet që kërkojnë 3/5-at

27/10/2011  Komisioni për Sigurinë diskuton projektligjin për Kodin Detar, që kërkon 84 vota

Gjoni: Të ngremë grupe të përbashkëta pune për hartimin e këtyre projektligjeve

Konsensusi politik mes mazhorancës dhe opozitës për miratimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar prej 84 votash duket se është ende larg për t’u arritur. Deputetët socialistë në mbledhjen e djeshme të Komisionit parlamentar për Sigurinë Kombëtare nuk kanë pranuar të japin votën e tyre për miratim të projektligjit për Kodin Detar. Edhe dje ligjvënësit opozitarë kanë këmbëngulur se janë të gatshëm për bashkëpunim me mazhorancën sa i përket miratimit të ligjeve me 3/5-at, por me kushtin e vetëm që këto ligje dhe reforma të jenë vërtet integruese. Deputeti i PS-së Ilir Gjoni, duke argumentuar votën kundër, theksoi se “ne e shohim të nevojshme dhe të domosdoshme që të ngrihen grupe pune me ekspertë nga të dyja kampet politike, nga të gjitha dikasteret, në mënyrë që t’i shkojmë në themel këtij kodi (Kodit Detar) dhe kodeve të tjera, të cilat ne i kemi marrë në shqyrtim, për të arritur në instrumente ligjore që janë në funksion të interesave të vendit tonë”. Më tej ai shtoi: “Ne që nga 2008-a nuk kemi të përcaktuar me ligj kufijtë detarë jugorë të Republikës së Shqipërisë. Në vitin 2008 është miratuar një ligj, i cili ka hedhur poshtë ligjin e 2001-shit, që përcaktonte kufijtë detarë të Shqipërisë. Është fakt shumë i rëndë dhe është detyra jonë që të detyrojmë ekzekutivin që të bjerë amendamentet për të rregulluar qoftë ligjin e 2005-s, qoftë një projektligj të ri”, - deklaroi dje Ilir Gjoni. Më pas projektligji u kalua vetëm me votat e mazhorancës dhe pritet të jetë pjesë e debatit të sotëm në seancën e radhës plenare, që do zhvillohet në orën 10:00.

Kuvendi sot në seancë plenare

Kodi Rrugor dhe ai Detar, dy projektligje këto që kërkojnë shumicë të cilësuar votash, janë futur në rendin e ditës të seancës së sotme plenare. Diskutimi mbi këto dy kode pritet të shkaktojë debate mes deputetëve të mazhorancës dhe atyre të opozitës në Kuvend, ku opozitarët kërkojnë gjithëpërfshirje në hartimin e drafteve nga ana e ekzekutivit. Me interes pritet të jetë dhe debati për marrëveshjen e liberalizimit të vizave me Serbinë, ku opozita në komisionet parlamentare ka shprehur tri qëndrime të ndryshme.

Llalla: 100 zyrtarë në hetim nga ILDKP për fshehje të pasurisë

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive po heton 100 raste të zyrtarëve të ndryshëm, përfshi dhe zyrtarë të lartë, për fshehje pasurie dhe konflikt interesi. Shifra u bë publike dje nga kreu i ILDKP-së Adriatik Llalla gjatë një prononcimi për mediet pas një takimi që zhvilloi me anëtarët e këshillit bashkiak dhe të OSBE-së për parandalimin e konfliktit të interesit. Llalla theksoi se zyrtarët që po hetohen janë kryesisht nga radhët e sistemit gjyqësor, të prokurorisë, tatimeve dhe doganave. “Aktualisht kemi në proces hetimi rreth 100 raste të zyrtarëve të ndryshëm, përfshi dhe zyrtarë të lartë. Por kryesisht këta zyrtarë janë nga radhët e sistemit gjyqësor, të prokurorisë, tatimeve dhe doganave. Ne bëjmë kontrolle, që për institucionin tonë janë normale, për fshehje pasurie dhe konflikt interesi”, - theksoi Llalla.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›