PS: Policia e shtetit në nivelet më të dobëta të punës
Një ditë pas analizës vjetore të punës së policisë së shtetit, Partia Socialiste akuzon kryeministri Berisha se ka shitur për suksese dështimet e uniformave blu. Sipas Asllan Dogjanit dështimet në rradhët e policise kanë ardhur si pasojë e zëvendësimit të kuadrove të specializuar me militantë. I zgjedhur i PS tha gjithashtu se mospërmendja e vrasjes së deputetit socialist Fatmir Xhindi, tregon gjithashtu mungesë përgjegjësie dhe profesionalizmi nga drejtuesit e policisë.
“Në raport analizën e punës së policisë për vitin 2009 nuk u përmendën
fare sa është numri i automjeteve të vjedhura, banesave, pikave të
karburantit, biznesmenëve, xhepave, çantave, varseve të qytetarëve apo
vjedhjet me armë, vjedhjet me armë me pasoja vdekje, vjedhjet me armë,
me dhunë që janë shtuar dukshëm nëpër rrugët e Shqipërisë dhe kane
kthyer pasigurinë në vend. Lëvizja e personave në kërkim, lëvizja
lirshëm e personave të armatosur pa frikën ndaj ligjit ka bërë që të
shtohen përplasjet e momentit dhe të përfundojnë me viktima. Kjo u pa
vetëm dje në një ditë, në ditën e analizës së policisë ku plagoset me
armë zjarri shefi i krimeve në Lushnje, vrasja në Fushkrujë etj.
Goditjet ndaj trafikut të drogës kanë qenë të ulëta në raport me sasinë e
drogave që lëvizin në vendin tonë. Shqipëria jo vetëm po vazhdon të
përdoret si vend tranzit për trafikun e drogës në drejtim të vendeve të
Europës Perëndimore, por edhe po e konsumon atë, këtë e tregon dhe
rritja e numrit të përdoruesve të drogave, kryesisht nga moshat e reja
në vendin tonë. Në raport na u prezantua se janë goditur 142 grupe
kriminale, na paraqitën suksese imagjinare në luftën kundër
korrupsionit, ndërsa nga ana tjetër qytetarët shqiptar përballen çdo
ditë e më shumë me korrupsionin e paaftësinë e strukturave për goditjen e
tij” tha Dogjani.
I zgjedhur i PS përfundoi analizën e tij duke thenë se “ndërsa qeveria
paraqet si sukses dështimet e policisë për vitin 2009, kambana e alarmit
nga ndërkombëtarët ka kohë që ka filluar, duke kërkuar forcimin e
shtetit ligjor, zbatimin e ligjit, bashkëpunimin midis institucioneve
dhe luftë pa kompromis kundër krimit të organizuar e korrupsionit,
depolitizimin e policisë si kusht kryesor për integrimin e vendit në
BE”.
< I mëparshmi