Investitorët gjermanë rrisin besimin tek tregu shqiptar
Investitorët gjermanë kanë rritur besimin ndaj Shqipërisë. Ky ishte lajmi i publikuar dje nga ambasada e Gjermanisë në Shqipëri. Në shkrim theksohet se përkundrejt zhvillimit ekonomik pozitiv të Shqipërisë dhe përvojave të mira pozitive të Shqipërisë dhe përvojave të mira me shlyerjen e pagesave, Gjermania po përmirëson mundësitë e garancive nëpërmjet garancive “Hermes” për eksportet me Shqipërinë. "Si garanci për kreditë në fushën e eksporteve, garancitë Hermes janë një pjesë përbërëse e rëndësishme e politikave gjermane për nxitjen e eksportit. Me përfitimin e garancive “Hermes”, eksportuesit gjermanë dhe bankat mund të sigurojnë blerësit dhe vendet ndaj rreziqeve nga eksportet, duke shmangur në këtë mënyrë mos shlyerjen e pagesave për arsye ekonomike apo politike", theksohet në lajm, duke shtuar mundësitë e garancive që ekzistojnë tashmë për të gjitha llojet e bizneseve.
Energjia, përfaqësuesit e biznesit ankohen tek KESH-i për ndërprerjet
Kufizimet e energjisë elektrike për shkak të remonteve kanë dhënë edhe efektet e para negative te biznesi vendas. Të parët që kanë reaguar për këto ndërprerje të pa lajmëruara të energjisë kanë qenë përfaqësuesit e Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve ose të njohur ndryshe si “Fasonistët”. Pikërisht bizneset e anëtarësuara në këtë dhomë, janë ato që prodhojnë veshje me porosi. Këto ndërprerje të energjisë, kanë sjellë edhe mjaft probleme në respektimin e kontratave me partnerët e huaj. Në një letër të hapur, dërguar drejtorit të OSSH-së, Sahit Dollapi, thuhet se: “prej më shumë se dy javësh në Tiranë, në zonën e Alliasit, rruga "5 Maji", në zonën e ish-Porcelanit (ish-Ndërmarrja Artistike "Migjeni") në ish-NPV-në e Durrësit dhe në disa zona të tjera, ku janë vendosur shumica e ndërmarrjeve që prodhojnë për eksport me material porositësi, ka pasur e vazhdon të ketë ndërprerje të gjata të energjisë elektrike”. Nga ana tjetër ata theksojnë se, ndërprerja e energjisë sipas sistemit "një ditë po, një ditë jo", nuk mund të justifikohet me remontin e linjave. “Këto ndërprerje, të pa lajmëruara dhe anormale, kanë dëmtuar procesin e prodhimit të ndërmarrjeve tona dhe kanë krijuar një dëm të konsiderueshëm për subjektet në fjalë"- thuhej në letrën e “Fasonistëve”, që kanë kërkuar marrjen e masave për të vijuar normalisht punën.
Ndërprerjet e energjisë në Tiranë, ja zonat pa drita
Rikthehen sërish kufizimet e energjisë elektrike në kryeqytet, por këtë herë shkak janë bërë punimet në nënstacionin e ish-uzinës “Dinamo”. Bëhet fjalë për një investim të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes në këtë nënstacion. Për rrjedhojë, energjia elektrike do të mungojë në disa zona të kryeqytetit dhe kryesisht në ato periferike. Konkretisht sot nuk do të kenë energji elektrike nga ora 08:00 deri në orën 17:00 për banorët e rrugës "5 Maji", "Siri Kodra", banorët e Paskuqanit, Babrrusë, Bathores dhe bregut të lumit. Pas përmirësimit të situatës hidrike në Fierzë, KESH-i vendosi që të mos aplikojë më grafikun e kufizimeve. Ndërprerjet aktuale të energjisë elektrike janë si pasojë e punimeve, që specialistët e OSSH-së duhet të kryejnë në nënstacione, apo të punimeve që kryen OST-ë në linjat e tensionit të lartë.
OSSH-ë nis aksionin për blokimin e abonentëve debitorë
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes nisi dje aksionin tek abonentët debitorë që nuk kanë shlyer për një kohë të gjatë faturat e energjisë elektrike. Aksioni, me shtrirje në të gjithë vendin është përqëndruar si tek konsumatorët familjarë, ashtu edhe tek bizneset dhe ka si qëllim uljen e njivelit të humbjeve dhe rritjen e arkëtimeve. Sipas të dhënave zyrtare të OSSH-së, si pasojë e shkeljeve të konstatuara janë bërë më shumë se 4200 prerje të energjisë tek konsumatorët familjarë dhe rreth 1400 lidhje tek privatët. Përballë masave drastike të ndërmarra nga OSSH-ja, një pjesë e abonentëve i kanë paguar detyrimet e tyre. Si rrjedhim, ditën e hënë janë arkëtuar në të gjithë vendin rreth 1.5 milionë dollarë, nga të cilat 800 mijë dollarë tek familjarët dhe pjesën tjetër tek bizneset. OSSh-ja njofton se aksioni për evidentimin e abonentëve debitorë do të vijojë edhe gjatë ditëve të ardhshme.
31 Korrik 2008