Importet e mallrave bujqësore dhe të ushqimeve arrijnë në 540 milionë euro
Importet e mallrave ushqimore kanë shkuar aktualisht në pikën më të lartë të gjithë viteve, kur ekonomia e tregut rrëzoi atë të planifikuar. Përpos asaj që pritej nga prodhimi vendas, ky i fundit vazhdon gjithnjë e më shumë të humbasë peshën e tij në lidhje me importet. Të dhënat zyrtare tregojnë se deficiti tregtar i produkteve ushqimore dhe atyre bujqësore ka kaluar nivelin e 540 milionë eurove. Kjo do të thotë se bujqësia shqiptare dhe industria agropërpunuese prodhojnë një njësi për eksport, ndërkohë që vendi importon 11 njësi. Padyshim që ka thellim të pazakontë, i cili në tërësi dobëson të gjithë bilancin ekonomik të vendit. Vendi ynë importon në sasi të mëdha produkte bazë ushqimore, si drithërat, por ai importon gjithashtu edhe produkte, siç janë ato të qumështit, djathit, mishit dhe nënprodukteve të tij, shumë fruta e perime, pavarësisht nga stina. Në një ekonomi të lirë dhe pa tarifa doganore konkurrenca bën dallimin, por megjithatë një vend krejtësisht blegtoral dhe bujqësor si Shqipëria nuk mund të përballë kostot ekonomike të një hendeku tregtar në lëmë të ushqimeve në raportin 1 eksport dhe 11 import. Viti 2008 u mbyll me një bilanc prej 540 milionë eurosh, pra u importuan rreth 600 mln euro dhe u eksportuan vetëm 60 milionë euro, bëjnë të ditur të dhëna të fondacionit gjerman, GTZ, që prej shumë vitesh përpiqet të mbështesë bujqësinë shqiptare. Të dhënat konstatojnë se tregues i krizës është edhe rënia e ndjeshme e konsumit të produkteve bujqësore, e cila po vihet re kohët e fundit. Sipas tyre, konsumatorët po blejnë vetëm ushqimet më të domosdoshme dhe po konsumojnë më pak fruta apo produkte të tjera të konsideruara të dorës së dytë. Tendenca e rritjes së importit është në produktet e drithërave dhe të vajit, dhe ka një rënie të produkteve të frutave ose të prodhimeve të tjera që quhen produkte luksi, thuhet në një raport me të dhëna të fondacionit të njohur gjerman. Ministria shqiptare e Bujqësisë paprerë ka folur për investime dhe për nxitje të fermerëve, në mënyrë që prodhimi të rritet. Ministria po ashtu ka folur për zbatimin e një programi të madh që mund të nxjerrë nga gjendja e vështirë këtë sektor, por të dhënat dëshmojnë për mbetje në vend dhe madje për thellim të bilancit të importit me eksportet.