E Shtunë, 31 Tetor 2026

Venger “ëndërron” gol në “Old Traford”



Trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, është i bindur se skuadra e tij do të lërë gjurmë në përplasjen e madhe në “Old Traford” me kampionët në fuqi të Europës, Mançeter Junaitid, në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve. “Rregullat, ato moderne, inkurajojnë ekipet vendase të jenë më të kujdesshme në shtëpi, ndërsa ato udhëtuese të jenë më të guximshme. Të shënojmë një gol në fushën kundërshtare mund të rezultojë shumë e rëndësishme”, - tha Venger gjatë konferencës për shtyp. Trajneri i Mançester Junaitid, Aleks Ferguson, tha se ai do të ishte i kënaqur edhe me një fitore të ngushtë: “Ne kemi nevojë të fitojmë, pavarësisht edhe pse mund të pësojmë ndonjë gol”.
Mbrojtësi i Mançester Junajtid, Nemanja Vidiç, nuk e fsheu frikën ndaj Arsenalit, pasi mbrojtja e “Djajve të kuq”, pësoi dy gola në fitoren dramatike 5-2 kundër Totenhemit, ndërkohë që skuadra e Fergusonit ka pësuar 12 gola në pesë ndeshjet e fundit. “Ne duhet të fiksojmë problemet që ne kemi pasur në ndeshjet e fundit, por kemi përdorur shumë lojtarë. Të mos pësojmë gol do të jetë shumë e rëndësishme, por ne kemi lojtarët e duhur për të shënuar. Rreziku më i madh yni është Adebajor”, - tha Vidiç.
Mesfushori i Arsenalit, Cesk Fabregas, tha se skuadra e tij është e gatshme të hyjë në histori, duke fituar Ligën e Kampioneve, pavarësisht se për të arritur në finale duhet të kalojë një gjigant si Mançester Junaitid. Kapiteni i “Topçinjve” është njëri nga të mbijetuarit e formacionit titullar, kur Arsenali humbi finalen e vitit 2006 me Barcelonën. “Nuk ka ndeshje më të madhe sesa një gjysmëfinale kundër Mançesterit. Kur ekipet angleze përballen me njëra-tjetrën në Ligën e Kampioneve, mund të duket më shumë si një ndeshje kampionati apo kupe, por unë do të thoja se ajo ngjan si një finale. Të jesh në dy finale të Ligës së Kampioneve në katër vitet e fundit mund të jetë një nga ngjarjet më të mëdha në historinë e klubit, dhe ne jemi të përqëndruar që ajo të bëhet realitet. Ne e respektojmë Junaitid si një nga më të mirët në botë. Këto ndeshje janë të vështira për të dy ekipet. Ekipi që do të dijë të mbrohet më mirë do të jetë ai që do të shkojë më tej. Pasi gabimet kushtojnë shumë”, - përfundoi Fabregas.

29 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›