Mediat, demokracia dhe korrupsioni
1.
«Pronë e kujt është ky pallat», pyeti një maqedon tjetrin. Përgjigja: «I tezakut të Gruevskit». «Po ajo atje?», «e djalit të hallës së Gruevskit», tha mirë i informuari. Edhe shefin e doganave e ka farefis, edhe ... lista s’kishte fund. Shumica e objekteve tregtare duket si ishin të fisit të Gruevskit. Pyetësi si duket nuk shokohej fare. Vetëm lëvizte vetullat me mërzi dhe e lëshonte nga një «a» të përgjumshme. Gazetari zviceran, të cilit ia përktheja dialogun interesant, veç se nuk hante cigaren bashkë me filtër. «Paramendoje të ishin këto gjithë të vërteta?». «Të vërteta janë», i thashë. Ai: «E ç’bëjnë mediat që nuk i shpalojnë këta kapo të korruptuar?». Mediat? Dosti im mendonte se mediat janë pronë e Mahmutit të Haxhi Zylfisë. Edhe ato të korruptuara janë.
Zvicerani pyeti edhe diçka që mua nuk më pëlqeu. Jo pyetja e tij, por përgjigja që isha i detyruar t’ia japë. «E si është puna te shqiptarët. Po ta kishin ata pushtetin a do të ishte më mirë?». Jo, i thashë. E njëjta gjë do të ishte.
Tutti balkanesi. Të njëjtat histori i dëgjojmë në Podgoricë, në Sarajevë e gjetiu nëpër Ballkan.
2.
Mediat shkruajnë për korrupsionin vetëm atëherë kur ai nuk është më në mbrojtje të ndonjë ministri apo funksionari tjetër të kësaj natyre. Rrjeti i të korruptuarve është trashë aq shumë në Maqedoni sa që asnjë qime e pakontrolluar nuk depërton përtej tij, në anën tjetër, atje ku gjendet komanda e mafive lokale e nacionale. Mediat, ose shumica e tyre, janë ose pjesë aktive e këtyre rrjeteve ose kanë frikë të hulumtojnë më thellë. «Lehtë e keni ju atje, të shkruani nga Zvicra ku s’mund të ju prek askush», na tha një redaktor maqedonas, i cili poashtu përgjumshëm konfirmoi atë dialogun që e dëgjuam më parë në kafene. Lehtë? Pse a nuk ka Gruevski apo ndonjë tjetër aq pare sa për t’ia paguar biletën ndonjë ish udbashi që ka punuar si likuidues nëpër perëndim?
Nuk është puna se mediat nuk kanë mundësi të organizohen në luftë kundër korrupsionit. Arsyeja është diku tjetër. Disa herë ata kanë marrë oferta nga Perëndimi për të bërë diçka e kanë refuzuar. Jo se kanë pasur frikë – të jashtmit kanë ofruar edhe mbrojtje – por sepse perëndimi asnjëherë nuk do t’i jepte ato injeksione financiare që i japin mafiozët. Këtu qëndron problemi.
3.
«Po ç’bënë masa këtu?». Zvicerani mendon se gjithkund ku përdoret fjala «demokraci» edhe ekziston ajo. Në Maqedoni si dhe në vendet tjera ballkanike «demokracia» si sistem është vetëm mjeti për në sallonet ndërkombëtare, për të zhvatur pare. Ajo nuk është sistem në favor të masave të shkreta që herë hidhen në njërën anë e herë në anën tjetër politike duke ëndërruar se megjithatë do të ndeshin në ndonjë mafioz që bile gjysmën e kapitalit ua hedh atyre, ashtu për sadakà.
Masa është e bllokuar. Partitë politike ulërijnë vetëm kur janë jashtë rrjetit e sa hyjni në të bëjnë siç bënë pararendësit e tyre.
4.
Mafiet nuk e lenë Ballkanin të prosperojë. Ato udhëheqin. Edhe në Maqedoni. Një shtet që pretendon sa më shpejtë të anëtarësohet në BE dhe strukturat tjera ndërkombëtare. Është e natyrshme që shumë analistë perëndimorë apelojnë tek BE që mos e pranojë Maqedoninë as si kandidat, sepse të gjitha subvencionet do të përfundonin si në Bullgari e Rumani, në duar të klaneve mafioze e jo të masave të varfra të këtyre vendeve.
Kolegu im e publikoi këtyre ditëve një koment, i cili përmbante një apel shumë të qëlluar:
«Bashkësia Evropiane dhe SHBA-të le t’i anëtarësojnë e ndihmojnë këto shtete, vetëm kur të ketë dhënë sinjalin e gjelbër një institucion policor anti-korrupsion. Një komandë, të cilën duhej BE ta instalonte atje për të luftuar krimin. Nga brenda nuk do të përmirësohet situata kurrë». Amen!
5.
Shumëkush nga zviceranët, gjermanët dhe austriakët kur udhëtojnë për në vendet e Ballkanit apelojnë tek vendësit që të respektojnë të drejtat e njeriut e sidomos të drejtat e minoriteteve apo shtresave shoqërore, të cilat ende nuk kanë konsoliduar veten në shoqëri, për arsye se nuk kanë pasur kushtet për të faktorizuar veten. Emigrantët janë një kategori e tillë.
Apeli – parakusht në natyrën e vetë ka gjithmonë lajtmotivin «bëjeni si ne», pra në shoqëritë nga vijnë subvencionuesit dhe instruktorët e lirive njerëzore qenka gjithçka në nivel, pra punë e kryer. Emigrantët që jetojnë në këto shtete e dinë që një gjë e tillë qëndron vetëm në stadin e përditshmërisë «banale». Askush nuk mund të thotë se njeriu në Perëndim diskriminohet për arsye se ha bukë, shëtit i lirë, beson, flet dhe parapëlqen këtë apo atë ideologji. Po si është puna vërtet në pjesëmarrjen e kësaj kategorie shoqërore në institucionet publike dhe në strukturat që në vokabularin e emigrantëve trajtohen si «vende të rezervuara për vendësit».
Ta fusim Zvicrën në rëntgen dhe të shohim se sa serioz është apeli i «ambasadorëve të lirisë njerëzore». Domethënë sa të drejta dhe sa janë të përfshirë emigrantët në infrastrukturën polit-ekonomike dhe mediale të Helvecisë? Si shembull të marrim ballkanasit gjysmëmilionësh, mbiemrat e të cilëve përfundojnë me i,a, ovski, viç e të ngjashme. Sa Berishë, Milutinoviçë, Karanfilovski i shohim si emra në jetën e përditshme publike zvicerane.
Politika
Përveç partisë ksenofobe SVP (Partia Popullore), e cila deri vonë ka pasur një sekretare me origjinë greke dhe e cila të lente përshtypjen se është më «katolike se papa» asnjëra nga partitë politike nuk ka ndonjë emër të tillë në stafin drejtues. Nuk ka asnjë emigrant nga këto vende që ka kryer shkencat politike në Zvicër ose që ka doktoruar për të kandiduar në këto poste? E kundërta është. Ka shumë të tillë që militojnë në këto parti, mirëpo që kurrë nuk preferohen në poste të tilla. Pse? Partitë e djathta jetojnë, pra e kanë bukë, urrejtjen ndaj të huajve, prandaj prej tyre nuk mund të kërkohet që tu japin poste atyre të cilët i keqpërdorin për të bërë profit politik. Mirëpo edhe e majta emigrantët nuk i trajton ndryshe. Përveç aktivitetit verbal ajo nuk na sjell ndonjë cv ndryshe. Sa funksionarë i kanë këto parti që prapashtresat e mbiemrave të lënë të kuptosh se bëhet fjalë për secondo nga rajoni për të cilin folëm më lartë? Asnjë.
Mediat
Në Gjermani ka shumë moderatorë, të cilët kanë prejardhje të huaj. Sa janë në Zvicër? Si është mundur që asnjë redaktor i televizionit shtetëror të mos të ketë gjetur asnjë emigrant që ka kryer gazetarinë këtu? S’ka asnjë që ka kryer këtu? Jo, nuk është e vërtetë. Ne vetë njohim plotë prej tyre. Ku janë? Në Migros duke shitur speca?
T’i marrim impressumet e gazetave të mëdha. Ndonjë emër e gjejmë rastësisht. Më shumë jo. Si ka mundësi kjo në një botë mediale që vazhdimisht i shet ligjërata botës se si duhet të sillet njeriu ndaj njeriut?
Nëse analizojmë qasjen dhe përmbajtjen e këtyre gazetave – mediave shohim se emigrantët bëhen vetëm atëherë temë kur kryejnë ndonjë krim apo kur bie fjala zbulohet ndonjë rast i mrekullueshëm «integrimi».
Industria e integrimit
Vetë në institucionet që merren gjoja me integrimin e të huajve kemi të bëjmë me një divizion të okupuar nga e majta, e cila përdor këto instanca më shumë për vetësocializim se sa për ndonjë gjë tjetër. Sa funksionarë me iç, viç e Berishë i ka Enti Federativ për të Huaj? Sa Komisioni Federativ për Çështje të huaj? Sa Zyrat profesionale kantonale? Përveçse në komisionet e lira ku e gjen ndonjë zonjë që nuk e njeh as komuniteti i vetë nuk gjen asnjë. Ç`filozofi integrimi na qenka kjo, e cila don ta integrojë ndonjë me të cilin ka kontakte vetëm ndoshta telepatike?
Integrim pa përfshirje?
Qesharake.
Idiotë janë të «pintegrueshmit» që nuk i parashtrojnë këto pyetje vetes sa herë që të bëhet fjalë për inkuadrimin e tyre në shoqëri.
Të njëjtën gjë – identike – e ke në Austri. Në Gjermani është puna ndryshe.
Ligjëratat e instruktorëve dhe subvencionuesve duhet të nisin në shtëpi e pastaj të dalin në fqinjësi.