E Diel, 1 Nëntor 2026

Rehn: T’i japim Ballkanit një perspektivë të qartë anëtarësimi

Nga Die Welt

Komisionari për Zgjerimin, Olli Rehn, flet për gazetën gjermane, “Die Welt”

Më 1 maj të vitit 2004, tetë shtete të Evropës Lindore, si dhe Malta e Qipro, u anëtarësuan në Bashkimin Evropian. Ky është raundi më i madh i zgjerimit në historinë e unionit. Sot, pesë vite më vonë, unioni ka ngecur për sa i përket reformave dhe është përpara pikëpyetjes, nëse mund të pranojë zgjerime të tjera. Të martën Shqipëria paraqiti zyrtarisht kërkesën për anëtarësim. Komisionari finlandez për Zgjerimin pranë KE, Olli Rehn, duhet t’u përgjigjet pyetjeve për fatin e mëtejshëm. Me të bisedoi Christoph B. Schiltz

Zoti Rehn, a ishte gati BE në vitin 2004 për zgjerimin?

Zgjerimi ka sjellë më shumë stabilitet dhe të gjitha palët e kanë përdorur ekonomikisht. Tani na duhet që të njihemi më mirë dhe të zhvillojmë më shumë mirëkuptim për njëri-tjetrin.

Por BE është zmadhuar pa u reformuar. Kjo e bën marrjen e vendimeve më të komplikuar, bashkëjetesën më të vështirë.

Zgjerimi nuk duhet të bëhet mëkatari kryesor. Bashkimi Evropian është zgjeruar pesë herë dhe gjithmonë ka pasur dyshime. Përpara raundit të zgjerimit në vitin 2004, politika agrare e përbashkët u reformua. Por ajo çka është e drejtë, është se zgjerimi dhe thellimi duhet të shkojnë përpara në mënyrë të barabartë. Për këtë është e rëndësishme që Traktati i Lisbonës, i cili do lehtësojë vendimmarrjen, të ratifikohet.

Për çfarë lloj Bashkimi Evropian ëndërroni ju?

Unë jam shumë i thjeshtë në ëndrrat e mia. Më mirë shikoj në sy të vërtetën: Treni i zgjerimit duhet të qëndrojë në shina. Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për një perspektivë të besueshme evropiane, të cilën ua kemi premtuar në vitin 2003. Dhe Turqia duhet të ketë mundësinë që të tregojë se është në gjendje të plotësojë kushtet që kërkon anëtarësimi.

Sa anëtarë do të ketë BE pas dhjetë vjetësh?

Unë nuk jam profet, unë jam Komisioneri për Zgjerimin.

Ku shtrihen kufijtë e BE?

Çdo vend evropian, që respekton demokracinë dhe shtetin e së drejtës, mund të kërkojë anëtarësimin. Kjo megjithatë nuk do të thotë që ne duhet të pranojmë çdo vend. Por do ishte sigurisht gabim që të hiqnim një vijë në hartë apo të ngrinim një perde të re. Ne nuk duhet që të vendosim kufij të përjetshëm për BE. Me këtë BE do të humbiste dhe mundësitë e saj strategjike.

Islanda është goditur rëndë nga kriza financiare dhe së shpejti mund të aplikojë për anëtarësimin në BE. A janë të mirëpritur islandezët?

BE është e përgatitur për një anëtarësim të shpejtë të Islandës. Islandezët janë shumë të mirëpritur. Vendi ka një traditë të gjatë demokratike dhe është tashmë anëtare e zonës ekonomike evropiane - Islanda ka deri tani rreth gjysmën e ligjeve të përbashkëta të BE.

D.m.th., kjo gjë do realizohet shpejt?

Nëse Islanda do të paraqesë kërkesën për anëtarësim, vendi do të bëhet relativisht shpejt kandidat për anëtarësim. Bisedimet për anëtarësimin e Islandës në BE do të mbylleshin shumë shpejt. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që Islanda ka një biletë falas në dorë, ajo duhet të plotësojë të gjitha kushtet për anëtarësim në BE.

A do ishte anëtarësimi një sinjal për Norvegjinë dhe Groenlandën?

Në terma afatgjatë, të gjitha vendet nordike duhet të bëhen anëtare të BE. Anëtarësimi i Islandës sigurisht do ishte një sinjal për Norvegjinë, që të mendojë për një anëtarësim në BE. Por këtë duhet ta vendosin vetë norvegjezët.

A do anëtarësohen Islanda dhe Kroacia së bashku?

Ne nuk bëjmë të tilla parashikime.

Negociatat me Kroacinë duhet të mbyllen brenda këtij viti. Vendi do të anëtarësohet në vitin 2011. A qëndron kjo?

Si komisionar për Zgjerimin më duhet të jem profesionalisht optimist. Kroacia ka ende shumë detyra shtëpie për të bërë përpara anëtarësimit në BE.

Çfarë nënkuptoni konkretisht?

Qeveria në Zagreb duhet ta luftojë më fort korrupsionin në vend dhe duhet të përmirësojë dukshëm bashkëpunimin me gjykatën ndërkombëtare të Hagës.

Gjithashtu, duhet të reformohet sektori i ndërtimit të anijeve, që të përshtatet me ligjet e BE.

A jeni të kënaqur me kandidaten për anëtarësim, Turqinë?

Turqia ka bërë gjatë dhjetë viteve që po lëmë pas hapa shumë të rëndësishëm. Ne presim megjithatë që e drejta e fjalës të funksionojë për të gjithë dhe të drejtat e grave, pakicave dhe punëtorëve të mbrohen më mirë.

Që prej vitit 2005, në bisedimet e anëtarësimit me Turqinë janë hapur dhjetë nga 35 kapituj. Kur do të vijohet më tej?

Unë mendoj se deri në fund të qershorit mund të hapen dhe dy kapituj të tjerë në negociatat për anëtarësimin e Turqisë. Bëhet fjalë për kapitullin e taksave dhe politikave sociale. Komisioni Evropian dëshiron që të nisë sa më shpejt dhe një tjetër kapitull të negociatave, atë për çështjet e energjisë, kur të gjitha përgatitjet të jenë bërë. Turqia është një vend shumë i rëndësishëm transit për naftën dhe gazën. Negociatat për anëtarësimin mund të forcojnë bashkëpunimin mes Turqisë dhe BE në fushën e energjisë.

Imagjinojini bisedimet për anëtarësim mes BE dhe Turqisë si një vrapim prej 100 metrash. Ku jeni tani?

(Qesh) Ky është në të vërtetë një vrapim prej 3000 metrash me pengesa- e madje ka pasur edhe pellgje uji.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›