E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria dorëzon aplikimin për anëtarësimin në BE

Nga Enton Palushi

Shqipëria paraqiti dje formalisht aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në kryeqytetin e Çekisë, vendit që mban presidencën e radhës së Bashkimit Evropian, kryeministri shqiptar dorëzoi një letër të thjeshtë, ku formulohej në pak rreshta kërkesa.

Në ceremoninë e thjeshtë, përveç homologut çek, Berisha kishte në krah dhe drejtorin e Zgjerimit pranë Komisionit Evropian, Michael Leigh. Ky i fundit është kujdesur që të theksojë se kërkesa do merret në shqyrtim, nëse Këshilli Evropian, ku bëjnë pjesë krerët e shteteve të Unionit, do ua kërkojë një gjë të tillë.

“Komisioni e mirëpret aplikimin për anëtarësim të paraqitur nga kryeministri i Shqipërisë, z. Sali Berisha, pranë presidentit të Këshillit Evropian, kryeministrit, Mirek Topolanek. Sot, Shqipëria kalon një moment historik duke treguar kështu përkushtimin e rëndësishëm të vendit ndaj vlerave dhe parimeve themeltare evropiane.

I takon Këshillit të vendosë për më tej. Komisioni është i gatshëm të përgatisë atë që quhet ‘Opinion’ për aplikimin e Shqipërisë, nëse Këshilli na fton ta bëjmë këtë”, - tha Leigh.

Mesazhi më i rëndësishëm që KE kishte rezervuar për një ngjarje të tillë, ishte ai i mbajtjes së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

“Shqipëria ka vazhduar të përparojë me reformat kyçe politike dhe me përgatitjen e saj për integrimin evropian. Që prej vitit 2006, janë zbatuar mirë nenet tregtare të Marrëveshjes së Ndërmjetme. Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA) hyri në fuqi në prill 2009. Shqipëria ka pasur një rol konstruktiv dhe stabilizues në rajon. Dhe është tashmë në dorë të Shqipërisë të futet në një fazë të re të integrimit evropian duke përmirësuar në veçanti sundimin e ligjit. Mbajtja e zgjedhjeve parlamentare të lira dhe të ndershme në qershor mbetet një kusht kyç”, - tha Leigh.

***

Ndryshe nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, në të cilën morën pjesë zyrtarë të lartë të BE, në paraqitjen e kërkesës për aplikim nga Shqipëria pati pak interes. Nga kancelaritë e huaja, vetëm Gjermania ishte e prerë në deklaratën e saj se Shqipëria ka shumë rrugë për të bërë, ndërsa të tjera vende kanë ripërsëritur nevojën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ashtu siç kishin paralajmëruar mediet e ndryshme, evropianët janë duke mbyllur dyert për Ballkanin, por po lënë në mënyrë diplomatike mesazhe shprese, duke iu frikësuar zhytjes së rajonit në krizë. Kështu ka bërë dhe drejtori për Zgjerimin i BE, Michael Leigh.

“Perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu Shqipërinë, është thelbësore për qëndrueshmërinë dhe begatinë e rajonit, si edhe për BE. Ato vende që kanë mbetur potencialisht kandidate në Ballkanin Perëndimor do të mund të arrijnë statusin kandidat, me anëtarësimin si qëllim përfundimtar, sipas meritave të tyre, duke përparuar bindshëm me reformat ekonomike dhe politike dhe duke përmbushur kushtet dhe kërkesat e nevojshme”, - tha ai dje.

***

Kryeministri shqiptar, i cili dukshëm po e përdor këtë gjest për fushatë elektorale, ka folur me tone entuziaste për këtë moment.

“Në këto momente historike për vendin tim, mendjet dhe sytë e bashkëqytetarëve të mi shqiptarë, të cilët e konsiderojnë anëtarësimin në BE si ëndrrën e projektin më i bukur për të gjithë ata, si projektin më të shkëlqyer për të ardhmen e fëmijëve të tyre; të gjithë bashkëqytetarët e mi shqiptarë janë sot me mua këtu në Pragë, ndërsa ne festojmë me gëzim dhe emocion të madh këtë moment solemn, të dorëzimit zyrtar të kërkesës së Shqipërisë për anëtarësim në BE. Ky akt shënon dhe mbart një domethënie historike, pasi shënon rikthimin e vendit tim në familjen e kombeve evropiane, nga të cilët ai u nda fizikisht, por jo shpirtërisht, për një periudhë kaq të gjatë kohe. Për shqiptarët, historia ka qenë njerka e tyre e vështirë, e ashpër. Por pushtimet e gjata, ndarjet dhe brutaliteti nuk mundën të shuajnë kulturën dhe vokacionin perëndimor të kombi tim, ashtu si vetëdijen e shqiptarëve të të qenit evropianë. Një burrë shteti i madh evropian ka deklaruar jo shumë kohë më parë se ne duhet t’i mësojmë evropianët ta duan Evropën”, - tha Berisha.

Kryeministri tha se Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj drejt demokratizimit, por nuk tha asnjë gjë për kushtin themelor të një demokracie, zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

“Por sot, unë vij këtu për të dorëzuar kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në BE, në një kohë kur Shqipëria, falë punës dhe angazhimit të mahnitshëm, falë solidaritetit të jashtëzakonshëm të miqve tanë në BE, Komisionin Evropian dhe të miqve të tjerë ka bërë një hap jashtëzakonisht të madh, duke u nisur nga pika fillestare, 17 vjet më parë. Shqipëria ka treguar sot se përfaqëson një demokraci funksionale dhe kriteret e Kopenhagës konsolidohen vazhdimisht. Shqipëria ka një ekonomi tregu të konsoliduar që gëzon stabilitet makroekonomik dhe vazhdon të rritet, vitin e kaluar ajo u rrit me një ritëm prej 8 për qind. Tani, Shqipëria është bërë vërtet një vend joshës për investitorët e huaj. Vetëm brenda një periudhe të shkurtër kohe, në dhjetor 2008- janar 2009, u kontraktua një vlerë prej 3.5 deri 4 miliardë euro në investimet e huaja. Më 4 prill të këtij viti, vendi im u bë anëtar me të drejta të plota në NATO. Parlamentet e 27 vendeve anëtare të BE kanë ratifikuar MSA”, - tha Berisha.

Si gjithmonë, kryeministri shqiptar ka përmendur ambiciet e shqiptarëve për t’u anëtarësuar në BE. Pa hyrë në analizën e kësaj dëshirë përvëluese të shqiptarëve, Berisha është përpjekur ta paraqesë këtë dëshirë të shqiptarëve si një arritje të tij, edhe pse më shumë se gjithçka shqiptarët e duan BE për të lënë mbrapa politikën e këtyre viteve.

***

Kryeministri çek, Mirek Topolanek, tha dje se Shqipëria ka ende shumë rrugë përpara, por e përgëzoi atë për reformat e arritura.

“Shqipëria është në të njëjtën rrugë, nëpër të cilën ka kaluar edhe Republika Çeke. Sot, ajo është anëtare e NATO-s. Pas ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, më 18 maj do të bëhet takimi i parë i Këshillit të Stabilizim-Asociimit dhe sot, Shqipëria po dorëzon aplikimin e saj për anëtarësim në BE. Pas dorëzimit të aplikimit do të fillojë procesi standard. Kështu që pas dorëzimit të aplikimit në duart e mia, ky aplikim do të kalojë në duart e zotit Havier Solana dhe kështu, do të fillojë procesi avis, procesi i shqyrtimit dhe kjo procedurë mund të miratohet gjatë presidencës së ardhshme suedeze të BE. Por përpara Shqipërisë ka ende një punë të madhe për t’u bërë. Sot, mendoj se Shqipëria po hyn në rrugën e saj afatmesme dhe unë besoj se ky proces do të kurorëzohet me sukses të plotë dhe kështu, ëndrra e shumë brezave që jetuan në regjimin totalitar do të bëhet realitet. Republika çeke do të qëndrojë përkrah dhe Shqipërisë dhe ta ndihmojë atë edhe pas përfundimit të presidencës çeke të BE”, - tha Topolanek.

***

Prej ditësh qeveria ka nisur një fushatë për të bindur votuesit se BE do i liberalizojë vizat në korrik të këtij viti. Edhe pse një gjë e tillë as nuk diskutohet në zyrat e BE, madje dhe për vende që kanë plotësuar më shumë kritere se vendi ynë, sërish kryeministri shqiptar nuk lë vend pa përmendur se Shqipëria po plotëson kushtet për liberalizim vizash.

“Ka një punë të madhe që do bërë ende nga ana jonë për të ecur përpara. Liberalizimi i vizave është gjithashtu një synim madhor. Shtetasit shqiptarë janë të vetëdijshëm se anëtarësimi në BE do të thotë të lëvizin lirshëm në Evropë si qytetarët evropianë, me dinjitet dhe ne do të bëjmë gjithçka është e mundur, do të plotësojmë çdo kriter dhe kërkesë, me qëllim që të kemi besimin e vendeve anëtare të BE, të KE, në mënyrë që të liberalizohen vizat”, - tha dje Berisha në Pragë.

Shqipëria mund të hyjë në BE, më e pakta në vitin 2015

Shqipëria ka aplikuar formalisht për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Kryeministri, Sali Berisha, e paraqiti aplikimin në Pragë pranë homologut të tij, Mirek Topolanek, vendi i të cilit mban presidencën e Bashkimit Evropian.

“Ky akt ka rëndësi historike, duke shënuar rikthimin e kombit tim në familjen e kombeve evropiane”, - tha ai.

Zoti Topolanek tha se Shqipëria iu është nënshtruar “ndryshimeve thelbësore pozitive”, por theksoi se shteti ballkanik vazhdon të përballet me punë shumë të mëdha.

Shqipëria nuk pritet të bashkohet me Bashkimin Evropian, të paktën deri në vitin 2015.

Bashkimi Evropian dhe Shqipëria përmbyllën Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, që shihet si hapi i parë drejt anëtarësimit. Negociatat morën tre vite e gjysmë, tri herë më shumë se sa u desh në rastin e Kroacisë dhe Maqedonisë.

Korrespondentët thonë se kjo është për shkak se BE mendonte se Shqipëria po lëvizte shumë ngadalë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. BE thotë se ka gjithashtu dyshime për sektorin energjitik të Shqipërisë, që vazhdon të vuajë mungesën e furnizimit të pandërprerë.

Gjatë ceremonisë në Pragë, kreu i Drejtorisë për Zgjerimin pranë Komisionit Evropian, Michael Leigh, vlerësoi progresin e Shqipërisë në reformat kyçe dhe rolin konstruktiv të saj në rajon.

“Është në dorën e Shqipërisë që të tregojë kapacitetet e duhura për të lëvizur drejt fazës tjetër të integrimit evropian”, - tha ai. “Mbajtja e zgjedhjeve parlamentare në qershor, në mënyrë të lirë dhe të ndershme, vazhdon të jetë një kusht kyç.”

BBC

SHBA: Zgjedhjet shumë të rëndësishme, palët të pranojnë rezultatin

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i vlerësojnë zgjedhjet në Shqipëri si një test të rëndësishëm për të ardhmen dhe i kanë kërkuar forcave politike në Shqipëri, që të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve, kushdo që të jetë ai.

Zëvendësambasadori amerikan në vendin tonë, Stephen Cristina, gjatë një konsorciumi ndërkombëtar, ka deklaruar se një rëndësi të madhe në këto zgjedhje ka edhe policia, e cila duhet të zbatojë ligjin.

“Para nesh kemi një test për Shqipërinë. Policia e Shtetit ka përgjegjësi për të zbatuar ligjin pavarësisht rezultatit”, - u shpreh Cristina.

Ambasadorët e strukturave më të rëndësishme evropiane të akredituara në vendin tonë kanë mbështetur kërkesat e numrit dy të ambasadës amerikane në Tiranë.

Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, ka premtuar gjatë këtij takimi se policia do të zbatojë me përpikmëri dhe se strukturave të saj u është bërë e qartë se ky është një test edhe për policinë.

“Siguroj të gjithë pjesëmarrësit se autoritetet shqiptare dhe Ministria e Brendshme do të vazhdojnë të synojnë zbatimin e ligjit dhe vendosjen e shtetit të së drejtës”, - u shpreh Nishani.

Konsorciumi ndërkombëtar që u mbajt të martën në kryeqytet kishte si qëllim evidentimin e masave paraprake që merren nga shteti shqiptar për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit.

TCH

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›