Konsumi i ushqimeve ka rënë me 10% krahasuar me vjet
Kriza ekonomike ka dhënë efektin e saj, siç është e natyrshme, edhe në konsum, duke përkeqësuar të dhënat kryesisht në grupin e artikujve ushqimorë. Rënia e ndjeshme e të ardhurave nga tatimet dhe sidomos nga doganat ka si shkak rënien e disa çmimeve të rëndësishme si ai i karburanteve apo i drithërave, por gjithashtu ka si shkak edhe rënien e konsumit poshtë nivelit të parashikimit. Të dhënat zyrtare flasin për rënie të konsumit të artikujve ushqimorë në rreth 10%, çka është një shifër shumë e lartë. Është e qartë se ngadalësimi i ekonomisë, i pranuar së fundi edhe nga zyrat e qeverisë, është me rol të rëndësishëm në këta tregues të konsumit. Instituti i Statistikave ka raportuar çdo tremujor të vitit të shkuar rritje të konsumit, por në anën tjetër ka raportuar edhe thellim të hendekut social në lidhje me konsumin. Kësisoj, të dhënat e fundit të INSTAT tregonin se në Shqipëri 10% e popullatës konsumon 30% të totalit dhe 90% e popullatës konsumon 70% të totalit. Në kushtet aktuale, kur konsumi ka rënë, është e qartë se pjesa e popullatës që ka ulur shpenzimet për konsum e kryesisht për ushqime është pjesa me më pak të ardhura e popullsisë. Në volum konsumi ka rënë në vlera më të ulëta se sa ai ka rënë në vlerë monetare. Konsumi i artikujve ushqimorë, sipas të dhënave zyrtare, ka rënë me rreth 10% në vlerë monetare, ndërsa në volum ai ka rënë me rreth 4%, por që gjithsesi është një shifër e ndjeshme, sidomos po të shohësh kahjen rritëse të konsumit nga viti në viti. Konsumi përgjithësisht rritet për shkak të rritjes ekonomike, por edhe për shkak të rritjes së numrit të popullsisë. Është e qartë se aktualisht një qytetar shqiptar konsumon më pak se sa ai ka konsumuar vjet në këtë kohë, ndonëse kjo diferencë është e vogël. Duhet thënë se vjet në këtë kohë kishte një krizë të çmimeve të ushqimeve të nxitur kryesisht nga kriza e madhe e drithërave që përfshiu çmimet në të gjithë botën. Pavarësisht se çmimet ishin shumë të larta dhe konsumi u tkurr, ai përsëri ka qenë më i mirë se sa është aktualisht, kur çmimet e ushqimeve janë pak më të ulëta. E gjithë kjo tregon për të ardhura më të pakta dhe për rënie në tërësi të treguesve të ekonomisë. Megjithatë, vendi mbetet ende i mbrojtur nga kriza dhe nuk ka hyrë në recesion si të gjitha vendet e rajonit.