E Diel, 1 Nëntor 2026

Kurban Bajrami, sot festa e besimtarëve myslimanë

Festa e madhe e besimtarëve myslimanë, ajo e Kurban Bajramit, është ndier që ditën e djeshme. Përgatitjet për drekën e bollshme, por edhe zgjedhja e kurbanit të festës nuk kanë munguar që të angazhojnë me mjaft ritëm amvisat dhe kryefamiljarët. Mes atyre që kanë rrethuar shkujdesshëm tezgat e tregtoreve të ndryshme në kryeqytet ka edhe qytetarë që nuk i përkasin besimit mysliman, por që gjithsesi kanë vendosur të festojnë së bashku me familjet e tyre. E ndërsa pjesa e shpenzimeve i përket gjithsecilit sipas mundësive, ata që i janë gëzuar më së shumti vigjiljes së festës më të madhe të besimtarëve myslimanë, kanë qenë "njerëzit e rrugës", ose ata që mbijetojnë duke shtrirë dorën për lëmosha. Të shtuar gjithandej në çdo qosh rruge apo kryqëzim të rëndësishëm, ata kanë uruar me fjali të gjata e të pambarimta të gjithë kalimtarët duke "joshur" kështu "prenë" e radhës për një "veprim të mirë". E madhe ka qenë dje edhe zhurma e tam tameve të daullexhinjve, që në mënyrën e tyre arkaike kanë vendosur të shprehin veç urimeve për festën edhe dëshirën për t‘u "dorovitur" nga kalimtarët, apo banorët e lagjeve ku kanë "trokitur" që herët në mëngjesin e djeshëm.

Ndërsa vetë besimtarët myslimanë në kryeqytet mëngjesin e sotëm do të kryejnë ritin e faljes së Kurban Bajramit në xhaminë e Et‘hem beut në sheshin qendror, por edhe në objekte të tjera të kultit që ngrihen në Tiranë.

Festa e Kurban Bajramit ka si qëllim të saj frymëzimin e dashurisë, të triumfit të së mirës ndaj së keqes, vetëpastrimin e shpirtit dhe mbetet një simbol i sakrificës. Sipas përfaqësuesve të këtij besimi fetar, prerja e kurbaneve është një prej treguesve të afrimit tek e vërteta.

Kurban Bajrami është një ndër dy festat e besimtarëve myslimanë krahas Fitër Bajramit. Në këtë ditë bëhet kurban për hir të Zotit dhe mishi u dhurohet të varfërve. Në thelb, kjo festë është përkujtim dhe ripërtëritje e aktit të Profetit Ibrahim, të konsideruar "baba i profetëve", i cili u tregua i gatshëm të sakrifikonte djalin e tij, Ismail, nga një urdhër i Zotit përcjellë në ëndërr. As Ibrahimi e as djali i tij, sipas burimeve hyjnore, nuk e vunë në dyshim dhe në diskutim urdhrin e Zotit, duke pasur një nënshtrim të plotë, provë e besimit dhe e devotshmërisë së tyre. Por, në momentin kur profeti Ibrahim do të sakrifikonte djalin e tij, Ismail, nga Zoti i vjen urdhri për ta ndalur dorën, duke i dhuruar një dash, që më pas u bë kurban për hir të Zotit. Nga kjo ndodhi, besimtarët përftojnë urtësinë e zbatimit të urdhrave hyjnorë, pa devijuar prej tyre me arsyetime sofistike dhe ky është tregues i një devotshmërie të thellë. Vlerë dhe urtësi tjetër e Kurban Bajramit është nxitja për dhurim dhe ndihmë ndaj atyre që janë në varfëri e në gjendje të rëndë ekonomike, si dhe forcimi i raporteve miqësore dhe familjare mes besimtarëve. Po kështu, Kurbani ka edhe vlerën e falënderimit të Zotit për furnizim nga dhuntitë e Tij.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›