Papunësia në Greqi, shqetësim

Vera që ka “tërhequr” njerëzit nëpër plazhe dhe ka lënë të “qeta” sheshet e protestave në qendër të Athinës, kërkon të fshehë problemin e madh të papunësisë që sjellin ndërmend ndërkohë “gërmadhat tregtare” të krizës, drynat nëpër dyqane, që shtohen përditë. 33.8 për qind, ose 1 në çdo katër dyqane të rrugës “Stadhiu” është mbyllur, thonë statistikat më të fundit për papunësinë alarmante në të gjitha degët e ekonomisë dhe në gjithë vendin. “Dikur në Selanik dhe në Maqedoninë qendrore ishin të pajtuar në punë rreth 80 000 punonjës. Sot nuk janë më shumë se 10 000”, thotë përfaqësuesi i Qendrës Punëtore të këtij qyteti grek, i dyti për nga numri i popullsisë pas Athinës.
Sipas Zyrës Statistikore Greke, gjatë muajit maj rreth 2 000 punonjës humbin përditë punën dhe për herë të parë për shtatë muaj me radhë, që nga muaji nëntor, numri i të papunëve ka arritur në rreth 251 846. Papunësia totale arriti në 16.6 për qind, nga 12, sa ishte ne të njëjtën periudhë të vitit 2010, kurse numri i të papunëve arriti në 822 719 veta.
“Si përqindje shifrat na kthejnë në vitet e 50-ta të shekullit të kaluar, por me të dhënat reale na kthejnë në vitin 1961, ku sipas statistikave të kohës kishim 864 000 të papunë. Por, atëherë zgjidhja ishte emigrimi drejt vendeve të Evropës veriore, si Gjermania, thotë Savas Robolis, drejtori i Institutit të Punës së Konfederatës së Përgjithshme të Punonjësve të Greqisë. “Papunësia statistikore, deri në fund të vitit 2011, do të shtohet edhe 2 %. Papunësia reale në fund të vitit 2012 do të jetë 25 për qind dhe do të arrijë shifrën 1 milion e 250. 000 vetë” dhe kjo në kushte “me ritme zhvillimi zero dhe jo negative”, sqaron Robolis.