E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oketa prezanton kupolën e re të ushtrisë pas Gërdecit

Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, prezanton katër drejtuesit e rinj të ushtrisë shqiptare. 

BLEDAR HOTI

Pas mbërritjes së tij në këtë dikaster, Oketa ndërmori së bashku me Presidentin Topi një vendim për rifreskimin e ushtrisë, duke nisur me postet kryesore drejtuese në vend. Kështu ministri Oketa prezantoi para stafit të Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, zv/shefin e Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral brigade, Zyber Dushku. Ai e merr këtë detyrë, pasi ka përfunduar me sukses detyrën si atashe ushtarak i Shqipërisë në Britaninë e Madhe. Tashmë Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë do të ketë drejtues dy gjeneral brigade, Maksim Malaj dhe Zyber Dushkun. Ceremonia e prezantimit të drejtuesve të rinj të ushtrisë u bë fillimisht dje në qytetin e Durrësit, në ambientet e Komandës së Forcës së Bashkuar. Këto lëvizje realizohen pas dekretit të lëshuar nga ana e presidentit të Republikës, Bamir Topi, më datën 1 gusht të këtij viti. Lëvizjet në pozicionet madhore realizohen pas ngjarjes tragjike të ndodhur në Gërdec në muajin mars të këtij viti, ku si rezultat i shpërthimit të fabrikës së demontimit humbën jetën 26 shtetas shqiptarë. Pas kësaj furtune në radhët e drejtuesve të ushtrisë shqiptare, ministri Oketa ka deklaruar se, ushtria po i kthehet normalitetit.
Lëvizjet e tjera
Zyrtarisht që nga dita e djeshme kanë nisur detyrën e tyre komandantët e rinj të Komandës së Forcës së Bashkuar, Komandës Mbështetëse dhe Brigadës së Reagimit të Shpejtë. Oketa lexoi dekretin e presidentit, Bamir Topi, i cili më datë 1 gusht 2008, ka dekretuar gjeneral brigade, Agim Lala, si komandant të Forcës së Bashkuar, me qendër në Durrës; gjeneral brigade Vladimir Qirjazi, si komandant të Komandës Mbështetëse në Tiranë dhe gjeneral brigade, Viktor Bërdo, si komandant të Brigadës së Reagimit të Shpejtë në Zall-Herr. Ministri i Mbrojtjes i ka uruar suksese gjeneralit Lala në detyrën e re dhe ka shprehur bindjen se, nën drejtimin e një ushtaraku karriere dhe me përvojë, Forca e Bashkuar, e cila është ombrella e gjithë strukturave të tjera ushtarake, me siguri do të ecë përpara dhe do të shënojë vetëm arritje, në drejtim të përmbushjes së plotë të detyrave dhe standardeve të kërkuara nga NATO. "Sot ushtria shqiptare rinis normalitetin, por edhe një punë shumë të madhe pasi vetëm 8 muaj na ndajnë nga samiti i ardhshëm i NATO-s, ku duhet me të gjitha forcat të punojmë e reformohemi për t'u pranuar denjësisht në këtë aleancë", deklaroi Oketa. Më pas shefi i SHPFA gjeneral brigade, Maksim Malaj, i ka dorëzuar flamurin e Forcës së Bashkuar, komandantit të sapo emëruar në detyrë, gjeneral brigade Agim Lala. Më pas të gjithë pjesëmarrësit e pranishëm janë drejtuar në Komandën e Mbështetjes, ku është zhvilluar ceremonia e emërimit në detyrë të komandantit të ri të kësaj komande, gjeneral brigade Vladimir Qirjazi. Nën një ceremoni të tillë është prezantuar sot edhe Komandanti i Brigadës së Reagimit të Shpejtë, gjeneral brigade Viktor Bërdo. Gjeneral Bërdo merr përsipër këtë detyrë në një moment shumë të rëndësishëm për Brigadën e Reagimit të Shpejtë, pasi në këtë komandë përgatiten të gjithë ushtarët që i drejtohen çdo 6 muaj misioneve paqeruajtëse në vendet e konfliktit.

Tabela e emërimeve

Shefi Shtabit të Përgjithshëm
Caktohet Maksim Malaj / Ishte Luan Hoxha

Zv/shef i Shtabit të Përgjithshëm
Caktohet  Zyber Dushku / Ishte Agim Lala

Komandant i Forcës së Bashkuar
Caktohet Agim Lala / Ishte Shpëtim Spahiu

Komandat i Komandës Mbështetëse
Caktohet Vladimir Qirjazi / Ishte Zija Bahja

Komandant i Brigadës së Reagimit të Shpejtë në Zall-Herr  
Caktohet Viktor Bërdo / Ishte Vladimir Qirjazi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›