E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimet, larg premtimeve të PS-PD

Lëvizja 'Mjaft' publikoi dje raportin e monitorimit të aktivitetit të Këshillit Bashkiak të Tiranës për periudhën mars 2007 - prill 2008. 

Aristir Lumezi

Duke bërë ballafaqimin e platformave elektorale të dy kandidatëve për kreun e bashkisë, Rama dhe Olldashi, 'Mjaft' arrin në përfundimin se vendimet e Këshillit Bashkiak janë larg premtimeve elektorale të kandidatëve, veçanërisht të kreut të saj, Edi Rama. Nga monitorimi vihet re një nivel i ulët i qasjes së premtimeve elektorale me vendimet e marra, kështu Partia Demokratike ka qasur 21.8% të premtimeve elektorale, ndërsa Partia Socialiste, e cila drejton dhe Bashkinë e Tiranës, ka qasur 25.6% të nismave të ndërmarra në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Një tjetër kategori, ku përqendrohet ky publikim është prezenca e anëtarëve të këtij Këshilli Bashkiak, si dhe aktivizimi i tyre në diskutimet mbi çështje që shqetësojnë qytetarët, kjo në fakt ka rezultuar dhe pika më e dobët e Këshillit Bashkiak të kryeqytetit, sepse nga monitorimi është vënë re një numër i madh mungesash, si dhe një listë e gjatë me anëtarë, të cilët nuk janë aktivizuar në diskutimet e asnjë prej mbledhjeve të monitoruara. Nga monitorimi rezultojnë pesë anëtarë të Këshillit Bashkiak që kanë munguar në miratimin, për rrjedhojë dhe diskutimin e shqyrtimin e më shumë se gjysmës së çështjeve, që janë shtruar në këshill për këtë periudhe njëvjeçare. Gjithashtu, janë pothuajse 35% e anëtarëve, të cilët nuk kanë marrë pjesë në diskutimin e asnjë prej çështjeve të monitoruara nga skuadra 'Unë Votoj'. Salian Çullhaj, këshilltar i PAA-së, ka mungesa të theksuara dhe paraqitet në mbledhjet e këshillit vetëm për të ruajtur mandatin. Raporti vëren se ruajtja e mandatit po kthehet qëllim në vetvete nga këshilltarët bashkiakë të Bashkisë së Tiranës. Probleme vërehen dhe në punën e komisioneve të punës së këshillit. Duke ndjekur nga afër punën e komisioneve të Këshillit Bashkiak, të cilët përbëhen nga këshilltarë të specializuar në profile të caktuara, rezulton se këto komisione janë pothuajse jofunksionale, mbledhjet e tyre nuk zhvillohen në kohën e përcaktuar, si dhe anëtarët e tyre në shumicën e rasteve nuk paraqiten. Kjo bën që puna e komisioneve të paralizohet dhe çështjet të kalojnë për miratim në mbledhjen e këshillit, pa u shqyrtuar me ekspertizën e nevojshme të specialistëve të fushës. Vëzhgimi vëren se shpërblimi material për këshilltarët nuk bazohet në vijueshmërinë e tyre në komisionet përkatëse të punës dhe mbledhjet e këshillit bashkiak. Por misioni i vëzhguesve i sugjeron këshillit bashkiak vendosjen e një tabele elektronike për votimet e vendimeve në mbledhjet e tij, për të rritur transparencën gjatë tyre. Raporti i "Unë Votoj" për Këshillin Bashkiak të kryeqytetit vjen pas publikimit të monitorimit të seancave plenare të kuvendit dhe angazhimit të deputetëve të tij.

Mungesat
Vëzhgimi i 'Mjaft' vëren se këshilltarët e Bashkisë së Tiranës bëjnë shumë mungesa në mbledhjet e këshillit dhe të komisioneve të punës dhe veprimtarisë së tij. Madje, sipas vëzhgimit vijueshmëria e këshilltarëve duket se është bërë qëllim në vetvete, pasi ata shkojnë në mbledhje vetëm për të ruajtur mandatin.

Premtimet
Raporti vëren se vendimet e marra në Këshillin Bashkiak të kryeqytetit nuk përmbushin premtimet e dhëna gjatë fushatës elektorale apo dhe programeve të paraqitura nga kandidatët. Veçanërisht kjo bie në sy në ato që ka premtuar kryetari aktual i bashkisë, pasi vetëm 25 për qind e premtimeve kanë gjetur vend në vendimet e këshillit.

Projekti
Projekti 'Unë Votoj' për Këshillat Bashkiakë e nisi punën në shkurt të vitit 2007 me monitorimin e premtimeve dhe platformave zgjedhore te kandidatëve për kryetarë bashkie në 12 bashkitë më të mëdha të vendit. Raporti i sotëm është publikimi i parë i cili paraqet vlerësimet mbi punën e Këshillit Bashkiak të Tiranës për një periudhe gati njëvjeçare, nga marsi i vitit 2007 deri në prill të vitit 2008.

Përplasja

LSI: Pakt mes Ramës e Berishës për ‘Liqenin’
LSI ka sjellë dje fakte të reja për bashkëpunimin e ngushtë mes kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, dhe Kryeministrit Berisha për kthimin e sipërfaqeve të gjelbëruara pranë Liqenit të Tiranës në zona banimi me pallate shumëkatëshe. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së Petrit Vasili tha dje se: "Në vijim të informimit të qytetarëve, lidhur me këtë aferë të përmasave të jashtëzakonshme, një fakt tjetër skandaloz është, e ashtuquajtura detyrë e projektimit të disa muajve më parë, të Bashkisë së Tiranës për zonën përgjatë liqenit artificial, që përfshin Kopshtin Botanik, Kompleksin Dinamo dhe Zonën e Gardës së Republikës. Kjo detyrë projektimi bazohet në një vendim të KRRT-së së Tiranës, në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën mbledhje, kur vendosej edhe për asgjësimin e klubit sportiv "Partizani", të cilin e kemi denoncuar ditë më parë". Argumentet e bashkisë për detyrën e projektit sipas Vasilit, janë qesharake si për Kopshtin Botanik të Tiranës, ashtu dhe për Kompleksin e Pishinave dhe kompleksin "Dinamo", të cilat tregojnë se Rama e Berisha kanë qenë në komunikim mes tyre për ndryshimin e destinacioneve të objekteve nga ana e qeverisë. "Eshtë një zonë me destinacion sportiv dhe duke qenë se, klubi "Dinamo" do të shpërngulet dhe trualli do t'i kthehet pronarëve, kjo kthehet në një zonë së cilës duhet t'i studiohet mënyra e zhvillimit urban", thuhet sipas Vasilit, nga Bashkia e Tiranës. "Ligji për sportin që ishte në fuqi e pengonte në mënyrë të prerë një veprim të tillë, i cili është totalisht i paligjshëm. Ku e dinte Bashkia e Tiranës se ligji do të ndryshonte"? Në këtë zonë kaq jetike për Tiranën, kjo aferë ka parashikuar Kulla që shkojnë nga 13, 22 deri në një Kryekullë prej 33 katesh", tha Vasili. Duke argumentuar edhe ndërtimet që priten të bëhen në parkun bonatik, Vasili u shpreh se parku botanik likuidohet nga studimi me 6-7 fjalë, 'është një zonë, e cila nën mungesën e një mirëmbajtjeje në vite e ka humbur funksionin e saj'. "Pra në vend të garantimit të një mirëmbajtjeje të domosdoshme dhe me kosto minimale që do të garantonte ruajtjen e mijëra metrave katrore hapësire të gjelbër nga betonimi, si dhe vlerat e patjetërsueshme shkencore të argumentuara edhe nga shkencëtarët shqiptarë, kapja e shtetit e ekzekuton këtë vlerë dhe mjediset e saj dhe e betonon në mënyrë të pamëshirshme", u shpreh Vasili.

Bashkia: Është vetëm një ide, jo një projekt zbatimi
Pas akuzave të LSI-së për betonizimin e kryeqytetit, reagon Bashkia e Tiranës. "Bashkia e Tiranës sqaron se, nuk ka aprovuar asnjë lloj projekti për zhvillim urbanistik në zonën pranë Kompleksit të Pishinave dhe klubit "Dinamo". Duke konsideruar rëndësinë strategjike të kësaj zone për të ardhmen e kryeqytetit, Bashkia e Tiranës e ka përcaktuar atë si zonë prioritare dhe ka kërkuar nga investitorët e interesuar zhvillimin e një konkursi ndërkombëtar. Ky konkurs i organizuar e i financuar prej tyre sipas modelit e standardeve evropiane për zhvillimin e një territori me fonde private, ka qenë i nivelit më të lartë ndërkombëtar, qoftë për nga cilësia e pjesëmarrësve, qoftë për nga cilësia e Jurisë ndërkombëtare. Sa për të bërë dallimin mes kësaj praktike dhe praktikës së zakonshme theksojmë se, nëse në bazë të procedurave ligjore për leje ndërtimi, çdo investitor e ndërtues thjesht paraqet kontratat me pronarët dhe një projekt përfundimtar të pëlqyer prej tij, në rastin në fjalë vetëm për idenë më të mirë janë thirrur pesë studio nga më të famshmet në botë dhe tetë arkitektë e akademikë me famë, që kanë gjykuar punën e paraqitur prej studiove në prani të publikut. Ideja fituese, e cila nuk është as plan përfundimtar dhe aq më pak projekt për zbatim, po vetëm një koncept fillestar zhvillimi, është vlerësuar nga juria e konkursit si një ide, që garanton një zhvillim të qëndrueshëm e harmonik mes sipërfaqes së zënë me ndërtim, sipërfaqes së gjelbër dhe pasqyrës ujore të liqenit. Kjo ide nuk prek kufirin e Parkut të Liqenit, po e thekson atë duke ndërtuar një bulevard këmbësorësh mes parkut dhe qytetit. Kopshti Botanik dhe terrenet sportive të klubit "Dinamo" jo vetëm që nuk preken nga ndërtimet, po rikualifikohen për t'i dhënë një cilësi të re mjedisit në këtë zonë strategjike për kryeqytetin. Por ideja është vetëm fillesa krijuese e një projekti që deri ditën e aprovimit nga Bashkia e Tiranës do të kalojë në një rrugë jo të shkurtër konkretizimi e negociatash deri në detajet më të imta. Falë këtij projekti Tirana do të ketë një qendër të re në funksion të strategjisë së një kryeqyteti policentrik (me shumë qendra). Bashkia e Tiranës shpreh bindjen se ky konkurs, kjo ide dhe zhvillimi i paraparë në të, përbëjnë një ngjarje historike në rrugën e zhvillimit urban e arkitektonik të kryeqytetit", thuhet në reagimin e bashkisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›