Importi i materialeve të ndërtimit, shkaku kryesor që rrit koston e objekteve
Ervin Koçi
Niveli i lartë i importit të materialeve të ndërtimit dhe metaleve konsiderohet nga ekspertët e ekonomisë dhe ndërtuesit si arsyeja kryesore që çon në një shtrenjtim të madh të kostos së ndërtimit në vend. Volumi i importeve të këtyre materialeve rezulton të jetë mjaft i madh edhe gjatë muajve të fundit, ku megjithëse vërehet një frenim në ritmin e punës në sektorin e ndërtimeve, përsëri materialet e ndërtimit vazhdojnë të vijnë në sasi të mëdha nga jashtë. Shqipëria importon materiale ndërtimi të të gjitha llojeve, me përjashtim të betonit dhe ndërkohë eksporton çimento dhe metale (hekur kryesisht). Importi i tullave është sa 60 për qind e sasisë së totalit të këtij materiali që përdoret në vend, megjithëse një numër jo i vogël fabrikash të tullave e ofrojnë këtë mall për tregun vendas. Por pikërisht ky mall (tullat) është një nga më të rëndësishmit, i cili nuk arrin që të ngopë dot nevojën e sektorit të ndërtimit në vend për këtë produkt. Për pasojë, sasia relativisht e madhe e tullave që vijnë nga importi ndikojnë direkt në shtrenjtimin e kostos së ndërtimit. Edhe pllakat e të gjitha llojeve importohen nga shumë vende të rajonit, por edhe të tjera jashtë tij, të cilat bashkë me cilësitë e ndryshme, ofrojnë edhe çmime të caktuara, por që në pjesën më të madhe janë të kripura dhe rrisin tepër koston e ndërtimit. Një tjetër element i domosdoshëm për sektorin e ndërtimit, që gjithsesi futet me kosto të lartë nga importi, është dhe hekuri, që është një prej elementeve bazë. Çmimi i tij relativisht i lartë në tregjet e ndryshme bën që sektori i ndërtimit në vend të jetë i detyruar të punojë me këtë material të shtrenjtë. Përveç këtyre elementeve të mësipërme, që gjithsesi mbeten të shtrenjta, sektori i ndërtimit ka edhe një gamë të madhe materialesh të tjera që importohen dhe janë jo pak të shtrenjta. Të tilla janë çimentoja, kolli, pajisjet ndërtuese, skelat, mekanizmat, deri te gozhdët dhe druri për ndërtim.
Sasia e importeve
Të dhëna zyrtare bëjnë të ditur se një numër i madh materialesh ndërtimi importohen, por edhe që një pjesë e materialeve të ndërtimit që prodhohen në vend, në shumë raste nuk kanë cilësi të mirë. Në vlerë monetare, sipas të dhënave zyrtare, vendi ynë ka importuar rreth 260 milionë dollarë materiale ndërtimi gjatë vitit të kaluar. Gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti importi i materialeve të ndërtimit ka qenë më shumë se 155 milionë dollarë. Rritja e importeve është pasojë e aktivitetit të ndërtimit në vend, i cili është një prej sektorëve me kontributin më të rëndësishëm në ekonominë kombëtare. Në të vërtetë, ritmi i rritjes së ndërtimit ka rënë krahasuar me vitet e shkuara, megjithatë ai ende vijon të japë një kontribut prej 10-11 për qindësh të GDP-së në ekonomi. Çmimet e importit të materialeve të ndërtimit kanë pësuar një rritje me rreth 7-8 për qind, thonë të dhënat dhe kjo kryesisht është pasojë e çmimeve të karburanteve që kanë rritur kostot e transportit, por edhe të produkteve.
Prodhimi vendas
Industria e materialeve të ndërtimit në vend kryesisht ka të bëjë me prodhimin e çimentos dhe të betonit. Edhe hekuri për ndërtim është një prej këtyre produkteve, por ai prodhohet në sasi jo të mëdha, e ashtu si dhe tullat nuk i plotëson nevojat e industrisë së ndërtimit në vend. Pavarësisht prodhimit në vend të këtyre materiale nga importi vjen edhe çimento, edhe hekur në sasi jo të vogla. Një prej problemeve më të rëndësishme veç faktit se importet janë shumë të mëdha në sasi, ka lidhje me materialet e ndërtimit të cilat janë me një cilësi jo të mirë. Një institut i materialeve të ndërtimit, i cili duhet t’i kontrollojë ato dhe të japë pëlqimin, thuajse nuk e bën këtë gjë dhe në rastet kur e bën, ajo çka ai thotë nuk ka rëndësi për përdoruesit e tyre. Por më e rëndësishme se kjo mbetet sasia e lartë e importeve të materialeve të ndërtimit, e cila në një pjesë të madhe rëndohet edhe nga taksat doganore të vendit tonë duke u bërë një kosto “plumb” për xhepat e qytetarëve shqiptarë të interesuar për të blerë banesa apo lokale.
6 Gusht 2008