E Diel, 1 Nëntor 2026

Norma të reja sigurie për grumbullimin e qumështit të papërpunuar



Qeveria miratoi në mbledhjen e radhës normat e grumbullimit të qumështit të papërpunuar, me propozim të ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Në bazë të këtij vendimi, përcaktohen normat për grumbullimin e qumështit të papërpunuar nga ferma prodhuese në qendrat grumbulluese ose përpunuese, në çastin e dorëzimit. Zbatimi i normave të përcaktuara do të kontrollohet në mënyrë të vazhdueshme ose me sondazhe, si në fermë, edhe në qendrën e grumbullimit apo në qendrën e përpunimit. Për të parë nëse janë përmbushur normat e miratuara, vendimi detyron kryerjen e testeve të veçanta, në mënyrë të vazhdueshme ose periodike të mostrave përfaqësuese, marrë prej qumështit të papërpunuar, të prodhuar në çdo fermë. Mënyra e matjes së treguesve do të përcaktohen me një rregullore të Ministrisë së Bujqësisë.

Energjia nga era, në Vlorë do të ngrihet një park eolik

Në një sipërfaqe pyjore prej 95 746 hektarësh në rrethin e Vlorës do të ndërtohet një park eolik (park për prodhimin e energjisë nga era) nga firma "Enpower Albania". Qeveria miratoi në mbledhjen e djeshme heqjen dhe çregjistrimin nga fondi pyjor dhe kullosor kombëtar të disa ngastrave, me sipërfaqe prej 95 746 ha, që do të përdoren nga "Enpower Albania sh.p.k.”. Për vendosjen e anemometrave të nënstacioneve, për infrastrukturën lidhëse elektrike, aerogjeneratorët dhe shtyllat e tensionit të lartë do të përdoret 11 765 ha fond kullosor dhe 0, 208 ha fond pyjor, gjithsej 11 973 ha. Ndërsa 83 874 hektarë do të përdoren nga "Enpower Albania sh.p.k.” për të ndërtuar rrugët lidhëse me aerogjeneratorët. Kompania ngarkohet që brenda 2 vjetëve nga hyrja në fuqi e vendimit, të përmirësojë 93 ha kullota, si dhe do të pyllëzojë 4 ha me pyje sipas ngastrave të përcaktuara nga drejtoria përkatëse e shërbimit pyjor.

Tregtia me Kinën shënon rritje gjatë muajit qershor 2008

Shkëmbimet tregtare ndërmjet Shqipërisë dhe Kinës shënuan një rritje të ndjeshme gjatë muajit qershor të këtij viti. Sipas të dhënave nga INSTAT-i, shkëmbimet tregtare Shqipëri-Kinë, arritën në 3 miliard e 316 milionë lekë gjatë muajit qershor. Importet nga Kina drejt Shqipërisë gjatë këtij muaji arritën në 3 miliard e 101 milionë lekë, ndërsa eksportet në 215 milionë lekë. Si 6-mujor tregtia midis Shqipërisë dhe Kinës rezulton me rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Eksportet gjatë periudhës janar-qershor arritën në 1 miliard e 176 milionë lekë, ndërsa importet llogariten në 13 miliard e 679 milionë lekë. Mbi bazën e të dhënave të publikuara, rezulton se në strukturën e importeve me Kinën përfshihen makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi, materiale ndërtimi dhe metale, si dhe tekstile e këpucë. Eksportet me Kinën përbëhen kryesisht nga minerale.

6 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›