E Diel, 1 Nëntor 2026

Trualli për ndërtim, përcaktohet vlera që vendoset nga pronari për ndërtuesit



Qeveria ka përcaktuar dje mënyrën e vlerësimit të truallit për ndërtim, të vënë në dispozicion nga pronarët e tij për investitorët e ndërtimit që janë të interesuar. Këshilli i Ministrave vendosi mënyrën e përcaktimit të kësaj vlere, duke përcaktuar edhe mënyrat për marrjen nga investitorët që duan të kryejnë ndërtime. Në vendimin e marrë me propozim të ministrit të Financave, mbështetur në nenin 100 të Kushtetutës dhe të nenit 20, të Ligjit nr.8438, datë 28.12.1998, "Për tatimin mbi të ardhurat", të ndryshuar, përcaktohet se vlera e truallit për m2, të vënë nga pronarët e truallit (tokë) në dispozicion të investitorëve të ndërtimit, për veprimtari ndërtimi, strehim, veprimtari prodhuese, veprimtari tregtare ose shërbimi, përkundrejt përfitimit në natyrë të sipërfaqeve të ndërtimit, llogaritet në këtë mënyrë: a) Sipërfaqja e ndërtimit në m2, që përfitojnë pronarët e truallit përcaktohet në bazë të kontratës së shkëmbimit të pasurisë truall me ndërtesën e ngritur mbi të; b) Kosto e ndërtimit për m2, përcaktohet në bazë të kostos minimale fiskale të ndërtimit, sipas qyteteve apo zonave brenda qyteteve; c) Vlera e truallit, të vënë në dispozicion nga pronari, llogaritet si prodhim i kostos së ndërtimit për m2, me pjesën e sipërfaqes së objektit, që kanë përfituar pronarët. Vlera e truallit (tokës), e llogaritur si më sipër, është shpenzim i zbritshëm për investitorin e objektit. Ky vendim, që hyn në fuqi pas botimit në "Fletoren zyrtare", i shtrin efektet për lejet e ndërtimit, që do të jepen nga data e hyrjes në fuqi të tij.

6 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›