E Diel, 1 Nëntor 2026

Konfindustria: “Të ardhurat nga emigrimi të kompensohen”



Konfindustria ka kërkuar marrjen sa më shpejt të masave për të plotësuar fillimin e rënies së shpejtë të të ardhurave nga remitancat (të ardhurat e emigrantëve) në ekonominë shqiptare, të cilat kanë qenë një nga shtyllat kryesore të saj. Sipas të dhënave të fundit për vitin 2007 rritja e të ardhurave nga remitancat ka qenë pothuaj 8 herë më e vogël sesa mesatarja e rritjes së tyre në vite. “Një dukuri e tillë ka sjellë drejtpërdrejt edhe uljen me plot 11 për qind të peshës së tyre në mbulimin e deficitit tregtar të vendit, që për vitin 2007 ka qenë në shifrën më të lartë historike në vite“, - ka deklaruar Gjergj Buxhuku. Sipas konfindustrialistëve, ka ardhur koha e përballjes seriozisht me politika ekonomike të studiuara dhe afatgjata. Stabilizimi i emigrantëve në vendet pritëse dhe rritja e kërkesave të tyre për konsum dhe cilësi jete në vendet ku punojnë do të sjellë në mënyrë të pashmangshme uljen graduale të peshës së remitancave për ekonominë shqiptare. Konfindustria këshillon që dërgesat e emigrantëve të trajtohen me politika të posaçme. Konfindustria kërkon përshpejtimin dhe rritjen e investimeve në infrastrukturën rrugore dhe energjetike për të krijuar hyrjen në tregun mbarëshqiptar prej 7 milion banorësh me efektivitet të të gjitha burimeve ekonomike të vendit dhe hapësirave shqiptare në tërësi.

6 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›