Tregtarët e hidrokarbureve shkelin premtimin, çmimi i naftës nuk ulet
Ervin Koçi
Ndryshe nga ç’ishte premtuar, asnjë pikë e tregtimit me pakicë të hidrokarbureve në kryeqytet nuk rezultoi dje me ulje deri në 5 lekë për litër të çmimit. Duke përfituar nga mungesa e kontrollit dhe nga indiferenca e shtetit, por edhe e konsumatorëve që vijojnë ta blejnë produktin e shtrenjtë dhe me cilësi të dobët, tregtarët e hidrokarbureve e kanë shitur edhe dje naftën me të njëjtin çmim që ajo mbante gjatë pikut të saj. Por në mënyrë paradoksale, vetëm javën që kaloi përfaqësuesi i Shoqatës së Importuesve të Hidrokarbureve, Viktor Nushi, tha se këtë javë nafta do të tregtohej në pikat e shitjes me pakicë me një çmim që do të ulej të paktën deri në 5 lekë/litri. Nushi e bazoi deklaratën e tij në uljen më të fundit të çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare, ulje nga e cila do të përfitonin sipas tij edhe grosistët vendas që kishin prenotuar ngarkesën e re me çmimin e ulur. Sipas Nushit, në deklaratën e tij të bërë vetëm një javë më parë, “nga ulja më e fundit e naftës në bursa do të përfitojë edhe konsumatori shqiptar. Por koniunktura e çmimit që do të zbresë do të ndjehet vetëm në javën që vjen në vend, ku do të ketë një ulje deri në 5 lekë për litër”. Po sipas deklaratës së një jave më parë të Viktor Nushit, “ulja e çmimit të karburanteve mund të ishte edhe më e madhe, por pengesë për këtë mbetet barra e lartë fiskale, sidomos akciza”. Por edhe pas deklaratave të importuesve të naftës, duket se pikat e tregtimit me pakicë të hidrokarbureve nuk kanë reaguar, duke mos ndryshuar asnjë shifër në tabelat e distributorëve.
Ulja e çmimit
Çmimi i naftës ra akoma më tepër edhe dy ditë më parë, duke shkuar nën 120 dollarë për fuçi për herë të parë që nga muaji maj, ndërkohë që edhe çmimet e drithit pësuan rënie të ndjeshme. Në bursën e Nju Jorkut, nafta e Teksasit ra deri në kuotën e 119.5 dollarëve për fuçi dhe e mbylli ditën në kuotën e 120.9 dollarëve. Në krahasim me ditën e premte, nafta ra me 4.2 dollarë. Lajmet për ngadalësimin e aktivitetit industrial në të gjithë botën e zhvilluar solli valë shitjesh nga tregtarët e naftës virtuale nëpër bursa. Një investitor komentoi se çmimet e naftës janë korrektuar në rënie në 12 raste që nga viti 1999 dhe se rënia është një “pjesë e pashmangshme në tendencën afatgjate rritëse”. Qëkur arriti kulmin në qershor, çmimi i naftës ka rënë me 20 për qind. Gjiganti i konsulencës, Merrill Lynch, parashikon tashmë se çmimi mesatar i naftës së Teksasit do të luhatet në 124 dollarë në tremujorin e tretë të këtij viti, për të rënë në rreth 119 dollarë për fuçi në tremujorin e katërt. Analistët vërejtën se gjatë ditëve të fundit, edhe fondet e investimit, të cilat janë akuzuar si shkaktaret e rritjes së çmimeve, kanë mbajtur një pozicion të balancuar, ku gjysma e tyre ka besuar te rritja e çmimeve, dhe gjysma tjetër te rënia e tyre.
Çmimi i drithit
Rënia në bursa që “goditi” çmimin e naftës bruto për fuçi nuk mund të linte pa kapur edhe një gamë të tërë produktesh që kuotohen në bursa e që kanë lidhje me “arin e zi”. Të tilla kanë qenë ari, metalet e tjera të çmuara, por edhe drithërat, të cilat kohët e fundit pësuan një rritje të ndjeshme në bursa duke sjellë frikën e një krize botërore urie. Por dje, në bursën e Çikagos (bursa më e madhe për drithin), në rënie qenë edhe çmimet e drithit. Por edhe pse në botë çmimi i drithit po vazhdon të ulet, në një kohë që vitin tjetër (2009) pritet një rritje e prodhimit të drithërave në shkallë botërore, çka përkthehet në një ulje të mëtejshme të çmimeve, në Shqipëri duket se kjo gjë as që kuptohet. Në asnjë rast nuk është folur për ulje të çmimit të drithërave e madje as të bukës, që me gjithë zbritjen nga 100 lekë, vijon të shitet me 80 lekë (buka masive), në një kohë që i gjithë fitimi i zbritjes së çmimit shkon në xhepat e tregtarëve dhe të prodhuesve. Gjithashtu, në fillim të majit, kur çmimi i naftës në tregun ndërkombëtar kaloi për herë të parë kuotën e 122 dollarëve për fuçi, në Tiranë, diezeli shitej me 144 lekë, ndërsa eurodiezeli shitej për 148 lekë. Në rast se çmimet do të korrektohen, tani duhet të kihet parasysh se nga 1 korriku ka pasur edhe një rritje taksash prej 1 deri në 2 lekë për litër.
Çmimi i naftës dje në bursën e Nju Jorkut
Çmimi i naftës në bursën e Nju Jorkut ka rënë dje në rreth 120,50 dollarë për fuçi. Nafta në bursën tregtare të Nju Jorkut ra me 93 centë në krahasim me nivelin e arritur paraprakisht në 120.48 dollarë për fuçi. Një ditë më parë nafta në Nju Jork arriti vlerën 121.41 dollarë për fuçi, që është 3.69 dollarë më pak se ditën e shtunë 2 gusht. Çmimi i një fuçie naftë është ulur për herë të parë pas tre muajsh, edhe në bursën e Londrës. Sipas të dhënave të bursave ndërkombëtare, çmimi i naftës bruto gjatë pasdites së djeshme pësoi një ulje të menjëhershme. Më konkretisht, një fuçi nafte bruto u shit me 5,38 dollarë më pak në bursën e Londrës, duke kapur shifrën prej 118,80 dollarë dhe me 5,6 dollarë më pak në bursën e Nju Jorkut, me 119,50 dollarë për fuçi. Sipas statistikave të agjencive të tjera amerikane kjo situatë është reflektuar edhe nga një ngadalësim i shpenzimeve të brendshme. Kjo rënie ka vazhduar me ritme të shpejta në tregjet financiare ndërkombëtare, në krahasim me rekordin e kapur gjatë muajit të kaluar me 147.5 dollarë për fuçi. Por edhe në Shqipëri pritet një ulje e çmimit të karburanteve. Ky ishte premtimi i importuesve të hidrokarbureve, të cilët më në fund po reflektojnë uljen e çmimit në bursa nga një maksimum prej 147 dollarë për fuçi, në 118 dollarë.
6 Gusht 2008