E Shtunë, 31 Tetor 2026

Importi i mbetjeve, KQZ pranon kërkesën për referendum

23/12/2011  16 nismëtarëve u duhet të mbledhin 50 mijë firma për mbajtjen e referendumit

Shqiptarët duhet të bëhen gati të shkojnë sërish në votime, nëse Aleanca Kundër Importit të Plehrave (AKIP) arrin të sigurojë 50 mijë firmat e nevojshme për mbajtjen e një referendumi popullor për importin e plehrave në vend. KQZ-ja vendosi dje për pajisjen me fletë tip për mbledhjen e nënshkrimeve të nevojshme për referendum të përgjithshëm për shfuqizimin e një pjese të ligjit për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pasi rishqyrtoi dje projektvendimin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, vendosi miratimin e kërkesës së 16 nismëtarëve, të cilët kërkojnë fillimin e procedurave për zhvillimin e një referendumi të përgjithshëm për shfuqizimin e një pjese të ligjit nr. 10463, datë 22.09.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”. Nga verifikimi i KQZ-së rezultoi se kërkesa e paraqitur përmbush elementet e kërkuara nga neni 126, pika 4 të ligjit nr. 9087, datë 19.06.2003, pasi përmban titullin, numrin dhe datën e miratimit të ligjit, pjesë të të cilit kërkohet të shfuqizohen. Sipas vendimit të djeshëm si dhe në mbështetje të nenit 127 të ligjit nr. 9087, datë 19.06.2003, i ndryshuar, KQZ-ja duhet të pajis kundrejt pagesës grupin nismëtar me fletën tip për mbledhjen e nënshkrimeve të 50 mijë zgjedhësve, të cilët duhet të jenë zgjedhës në kohën e paraqitjes së kërkesës. Po sipas nenit 127 të ligjit të sipërcituar, në krye të fletës tip duhet të shënohet titulli i ligjit si dhe dispozitat që kërkohen të shfuqizohen. Pas shqyrtimit u vendos gjithashtu që në modelin e fletës së paraqitur nga përfaqësuesit e AKIP të bëhen dhe disa ndryshime. KQZ-ja, duke i dhënë të drejtë këtij akti, duhet të bëjë sensibilizimin e votuesve, në mënyrë që atyre t’u jepet e drejta për t’u shprehur. Në fletën e nismëtarëve kundër importit të mbetjeve pyetja që shtrohet për referendum është vetëm një: a duhet lejuar importi i mbetjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë? Po ose jo”, - thuhet në kërkesën e AKIP-it. Mazhoranca, e cila votoi ligjin për mbetjet e integruara, e ka kundërshtuar vendimin e KQZ-së dhe kërkoi mospranimin e kërkesës si të pabazuar në ligj. “Në nenin 128 të Kodit Zgjedhor përcaktohet qartë se nismëtarëve nuk u jepet e drejta që të riformulojnë kërkesën e tyre, kështu që debati këtu është i kotë, ndaj ju ftoj të zbatoni ligjin”, – deklaroi përfaqësuesi ligjor i PD-së në KQZ Njazi Kosovrasti.

Argumentimi

Në argumentimin e tyre 16 nismëtarët, të cilët kërkojnë mbajtjen e një referendumi në Shqipëri për importin e mbetjeve, theksojnë se duke lejuar importin e mbetjeve kontribuojmë në shtimin e ndotjes së mjedisit. “Kjo ndotje shtesë do të shkelte në mënyrë flagrante nenin 59 të Kushtetutës për një mjedis të shëndetshëm. Menaxhimi i mbetjeve kërkon fonde shtesë publike, ku shteti shqiptar shpenzon fondet e tij publike në funksion të menaxhimit të mbetjeve që vijnë nga jashtë. Këto dy nene (22 dhe 49) bien ndesh me objektin e ligjit, ku thuhet: «Dispozitat e këtij ligji zbatohen për menaxhimin e mbetjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë». Importi i mbetjeve bie ndesh me prioritetin e që duhet të ketë trajtimi i mbetjeve që prodhohen nga tregu shqiptar”, – theksojnë nismëtarët. Kjo, sipas tyre, do të thotë se qeveria me politika stimuluese fiskale, siç janë heqja e TVSH-së, duhet të stimulojë industrinë e riciklimit, që të trajtojë mbetjet lokale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›