Importi i naftës dhe cigareve, 20 mln euro deficit në dogana
Rënia e konfirmuar e importit të mallrave të akcizës, si naftës, cigareve etj, ka sjellë një deficit të fortë të të ardhurave në dogana, të programuara për tu mbledhur këtë vit. Kështu të ardhurat nga akciza në dogana, periudhën janar ‐ maj arritën në rreth 13.4 miliardë lekë ose 2.3 miliardë lekë më pak se, parashikimi krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2010. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, të ardhurat nga kjo taksë janë 4.5 % më të ulëta ose 626 milionë lekë më pak. Doganat mbledhin akcizën e karburantit të importuar dhe të birrës së importuar, si dhe të mallrave të tjerë që nuk taksohen me anë të pullës së akcizës. Sipas llojit të mallrave kryesore me akcizë, situata e zhdoganimeve për periudhën në fjalë ka qenë në nivelet e parashikuara. Sasia e karburanteve të zhdoganuar për pesëmujorin është 129 mijë ton, me rënie vjetore 25 për qind, sasia e cigareve të zhdoganuara për të njëjtën periudhë 2011 është 1000 ton, me rënie vjetore prej 30 për qind, si pasojë e shtimit të importeve në muajt e fundit të 2010, para hyrjes në fuqi të rritjes së akcizës. Sasia e birrës së zhdoganuar për periudhën janar – maj është 9.6 milionë litra, me një rënie prej 11 për qind, e ndikuar nga rritja e prodhimit vendas të këtij artikulli. Ndërsa kafeja e zhdoganuar për periudhën pesëmujore ka qenë 32 për qind më shumë. Nga administrata tatimore janë mbledhur nga akciza rreth 6 miliardë lekë, me rritje vjetore 12.1 për qind. Tatimet mbledhin akcizën mbi cigaret dhe pijet alkoolike përveç birrës, përmes pullës së akcizës, si dhe akcizën e karburantit të prodhuar në vend (ARMO). Akciza pësoi ndryshime të ndjeshme në qershor të vitit 2010. U ul akciza mbi kafen e papjekur (nga 70 lekë në 30 lekë për kg), u hoqën nga lista e mallrave me akcizë lëngjet e frutave dhe pijet freskuese. Në grupin e nënprodukteve të naftës shtohet artikulli “naftë virgin” me nivel akcize 50 lekë për litër. U shtuan në listën e mallrave me akcizë: fishekzjarret, gomat, pilat dhe bateritë primare, ambalazhet; ndryshoi taksimi i llampave inkandeshente nga ad valorem në shumë fikse. Në fund të vitit 2010, pati rritje të akcizës mbi cigaren, nga 50 lekë në 70 lekë për paketë. Ajo që bie në sy është rënia e të ardhurave nga akciza që mbledhin doganat me 14.8 për qind, kundrejt një viti më parë dhe 18.2 për qind më pak se parashikimi. Të ardhurat nga taksa doganore, për periudhën janar ‐ maj janë rreth 2.7 miliardë lekë, 10.6 për qind më pak se parashikimi, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2010. Të ardhurat nga kjo taksë janë rritur me 113 milionë lekë, ose 4.3 për qind. Niveli mesatar i taksës doganore për këtë periudhë është 1.74 për qind, i njëjti nivel me 2010. Të ardhurat nga taksa doganore janë ndikuar kryesisht nga rritja e vlerës së importeve për periudhën në fjalë. Nga të dhënat e Thesarit të Ministrisë së Financave, për pesëmujorin e parë të vitit 2011, të ardhurat totale në buxhetin e konsoliduar arritën në 129.8 miliardë lekë. Të ardhurat totale buxhetore ishin 5.4 për qind më të ulëta se parashikimi dhe 0.8 për qind më të larta se një vit më parë. Shpenzimet totale arritën në 150.5 miliardë lekë, 1.8 për qind më të ulëta së planifikimi dhe 9.6 për qind më të larta se një vit më parë. Shpenzimet korrente janë rritur mbi baza vjetore me 8.8 për qind, ndërsa shpenzimet kapitale me 9.9 për qind. Deficiti fiskal, i llogaritur si diferenca e të ardhurave me shpenzimet gjithsej të buxhetit të konsoliduar, arriti në këtë pesëmujor në 20.4 miliardë lekë, 4.4 miliardë lekë më shumë se planifikimi.