E Shtunë, 31 Tetor 2026

Importuesit e naftës kapen në faj

17/12/2008  Pas dhjetë ditësh seancë dëgjimore me kompanitë që janë hetuar

Autoriteti i Konkurrencës: Konstatohen kufizime të konkurrencës

Abuzimin me çmimin e lartë të karburanteve e vërteton edhe Autoriteti i Konkurrencës. Hetimi i shumëpritur ka përfunduar dhe rezultati është kufizim i konkurrencës. Kjo do të thotë se importuesit e mëdhenj të karburanteve dhe tregtarët me pakicë në tregun vendas bashkëpunojnë mes tyre për të vendosur çmime të larta. Një kosto që deri më tani e kanë paguar qytetarët dhe biznesi.

Hetimi

Ky është hetimi i parë që ndërmerret nga një autoritet i lartë i shtetit, pasi të gjithë zyrtarët e ministrive përkatëse apo edhe këshilltarë të Kryeministrit e kanë cilësuar këtë si një “treg të liberalizuar” ku çmimin e përcakton kërkesa. Ashtu siç pritej në mes të dhjetorit Autoriteti i Konkurrencës njoftoi përfundimin e hetimit për tregun e karburanteve. Edhe pse nuk bën publike shumë detaje lidhur me raportin apo procedurat e hetimit, kompanitë e survejuara, ky institucion shprehet se për këtë çështje do të merren masat e nevojshme. “Raporti konkludon se vihen re kufizime të konkurrencës në treg si pasojë e sjelljes së koordinuar mes ndërmarrjeve kryesore që kanë fuqi të ndjeshme në tregun e shumicës dhe ndërmarrjeve të integruara vertikalisht në tregun e shitjes me pakicë”, - thuhet në deklaratën për shtyp të Autoritetit të Konkurrencës.

Seanca dëgjimore

Para se të merren vendimet në respektim të ligjit pas dhjetë ditësh pra më datë 26 dhjetor Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar se do të zhvillojë seancën e hapur dëgjimore me operatorët privatë dhe aktorët e tjerë të këtij tregu. Sipas procedurës, Autoriteti i Konkurrencës pas përfundimit të seancës dëgjimore me subjektet nën hetim, ku pritet që këta të fundit të japin argumentet e tyre, do të jetë komisioni i konkurrencës ai që do të vendosë nëse ka pasur apo jo shkelje të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”. Mes vendime të parashikuara në ligj janë të sankionuara gjoba në rast se vërtetohet se kompanitë e hetuara kanë abuzuar me çmimet. Gjithashtu, parashikohen edhe masa të tjera për rregullimin e këtij tregu. Në rast se konstatohen praktika që kanë kufizuar konkurrencën gjoba shkon 2 deri në 10 për qind e xhiros vjetore. Veç abuzimit me çmimin, importuesit e naftës nuk zbatojnë as kriteret e cilësisë apo sasisë në raport me shërbimin ndaj konsumatorëve. Konfindustria ka paraqitur pak kohë më parë përfundimet e vlerësimit të përgjithshëm për kostot shtesë të tregtimit të karburanteve në Shqipëri.

Analiza

Duke iu referuar deklaratave të administratës doganore për importin e karburanteve në muajin nëntor, ku përfshihen taksat dhe normat e fitimit që importuesit duhet të paguajnë shifra përfundimtare për këto produkte nuk duhet të jetë më shumë se 100 lekë. Duke parë edhe kursin e këmbimit të dollarit, sërish kostoja e një litri benzine del shumë e ulët, në krahasim me çmimin që paguajnë shqiptarët.

Prodhimi

Në këtë situatë OPEC-u ka njoftuar se do të ulë prodhimin e naftës, me qëllim mbajtjen e çmimit të një fuçie në nivelin prej 70 dollarë. Lajmi është bërë i ditur nga presidenti i OPEC-ut, ministri algjerian i Energjisë, Chakib Khelil. “Vendet anëtare të OPEK-ut kanë arritur unanimitet sa i përket pakësimit të sasisë së prodhimit të naftës bruto në mbledhjen që pritët të mbahet me 17 dhjetor”, - theksoi ai.

Dëmi, 150 milionë euro

Nga xhepat e konsumatorëve të karburanteve humbasin plot 150 milionë euro në vit. Kjo për shkak se importuesit abuzojnë me çmimin e tyre. Konfindustria ndërmori një studim për të llogaritur 8 kostot shtesë që paguajnë shqiptarët. Sipas administratorit të përgjithshëm të Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, ajo që është më e rëndësishme për të rregulluar tregun është një Ent i veçantë si në shumë vende të botës.

Udhëzimi i ri

Udhëzimi ka ndryshuar sërish, duke plotësuar marrëdhëniet mes pikës së tregtimit me pakicë dhe importuesve të mëdhenj. Ai parashikon rregullimin e marrëdhënieve tregtare mes tregtarëve në pikat e pakicës, furnizuesve dhe shtetit që monitoron procesin. Në të përcaktohet se furnizimi i karburantit ndërmjet shoqërive të tregtimit me shumicë kryhet vetëm në rastin kur janë importuese dhe kanë magazina doganore.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›