E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjendet i mbytur tregtari i zhdukur 3 javë më parë

24/12/2008  Familjarët identifikojnë trupin pa shenja të jashtme dhune të Hekuran Latollarit

ELBASAN- Rreth orës 16.30 nëpërmjet një telefonate është njoftuar gjetja e trupit të pajetë të një njeriu në anë të lumit Shkumbin afër fshatit Bujqës rreth 4 km larg qytetit të Elbasanit. Mësohet se dy fëmijë teksa peshkonin kanë konstatuar trupin e pajetë të një njeriu duke lajmëruar policinë. Elementi i parë që ka bërë lidhjen midis kufomës dhe të zhdukurit Hekuran Latollari ka qenë veshja e tij. Trupi i pajetë është transportuar drejt morgut të spitalit ku edhe është bërë identifikimi i kufomës. Mësohet se për shkak të ujit trupi kishte pësuar një nxirje, por nuk kishte shenja të jashtme dhune. Kanë qenë të njohurit dhe shokët e tij që kanë parë fillimisht kufomën të mbërritur menjëherë sapo kanë dëgjuar për gjetjen e të mbyturit. Kanë qenë i vëllai i tij Ferdinandi që ka bërë identifikimin e trupit të pajetë të Hekuranit. Veç tipareve në identifikimin e tij kanë ndihmuar varësja dhe unaza. Vëllai i tij Ferdinandi mjaft i tronditur ka bërë identifikimin duke konfirmuar se kufoma i përkiste Hekuran Latollarit. Prej 3 javësh familjarët kishin kërkuar nëpërmjet apelit në televizione, kishin denoncuar zhdukjen dhe prisnin me ankth lajme për 44-vjeçarin, por ai kishte zgjedhur t’i jepte fund jetës. Dyshimet për vetëmbytjen e tij lindën që nga detajet e ditës së zhdukjes, por askush nuk donte ta besonte fatin tragjik. 44-vjeçari kishte lënë tek i vëllai çelësat e makinës dhe të shtëpisë dhe ishte nisur me urban drejt Urës së Shkumbinit. Shirat e shumtë bën që hedhja e tij në ujë të mos kishte asnjë dëshmi. Fundi tragjik i tregtarit të veshjeve nuk ka tronditur vetëm familjen, por të gjithë qytetin e Elbasanit. Babai i dy fëmijëve, Latollari ishte një njeri i rregullt, punëtor dhe pa probleme me askënd. Dyshohet se kanë qenë problemet ekonomike, por edhe tipi i tij i mbyllur që dyshohet se e kanë çuar drejt depresionit. Në këtë gjendje ai ka marrë vendimin fatal të vetëmbytjes, ndërsa familjarët kanë shpresuar më kot që ai të ishte ende gjallë pas 3 javësh kërkime.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›