Imuniteti, Kuvendi ndan Metën nga Prifti
Kuvendi nis sot shqyrtimin e kërkesave të Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të dy deputetëve, kreut të LSI-së Ilir Meta dhe ish-nënkryetarit të kësaj force, Dritan Prifti. Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin i Kuvendit të Shqipërisë do të mblidhet sot në orën 14.00, pas mbledhjes së grupit parlamentar demokrat dhe do të nisë procedurën e shqyrtimit ligjor të kërkesës së organit të akuzës për dhënien e autorizimit për hetimin e dy deputetëve, që pak kohë më parë u bënë protagonistë të një video-skandali për afera korruptive me pasuritë publike. E ndërsa procedura do të hapet sot për të dy deputetët, ky Këshill pritet të ndajë çështjen “Meta” nga “Prifti”, duke i shqyrtuar më vete e me metodologji të ndryshme, imunitetet e tyre. Burime nga Kuvendi pohojnë se mazhoranca po kalkulon një plan më të gjatë në kohë për heqjen e imunitetit të kreut të LSI-së, Ilir Meta, duke u bazuar tek letra e tij e pak javëve më parë, drejtuar Kryetares së Kuvendit për heqjen vullnetare të imunitetit.
Shqyrtimi
Vetëm tri ditë pasi kërkesa e Prokurorisë për heqjen e imunitetit të deputetëve Meta dhe Prifti mbërriti në Kuvend, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin ka vendosur të nisë procedimin. Burime pranë këtij Këshilli kanë bërë të ditur dje se gjatë mbledhjes që është programuar për sot pas mesditës, anëtarët e Këshillit do të njihen fillimisht me përmbajtjen e kërkesave të Prokurorisë. Më pas mësohet se do të vendoset edhe për procedurat e mëtejshme të shqyrtimit që përcakton Rregullorja e Kuvendit. Por ndërsa nisja e procedurës pritet të bëhet sot në të njëjtën seancë, fati i mëtejshëm i shqyrtimit të dy kërkesave pritet të mos jetë i njëjtë. Kështu, burime pranë mazhorancës kanë bërë të ditur dje se Këshilli do të veprojë fillimisht me kërkesën për imunitetin e Priftit, ndërsa për Metën mendohet të ndiqet një rrugë e cila kërkon më tepër kohë. Sipas të njëjtave burime, mësohet se mazhoranca pritet të bëjë publike dhe të paraqesë në Kuvend së shpejti një nismë për të modifikuar në rregulloren e Kuvendit, një ndryshim që imuniteti nuk ka vlerë në momentin që vetë deputeti nënshkruan lënien e tij, ndërsa Prokuroria është e lirë të procedojë me hetim ndaj tij. Nuk dihet sesi kësaj nisme do t’i jepet vlerë juridike, pasi procedura e lënies së imunitetit nuk parashikohet në ligj dhe se Kushtetuta si rrugë të vetme parashikon votimin e kërkesës së Prokurorisë në Kuvend. Megjithatë, mësohet se ekspertë të së drejtës në mazhorancë po punojnë për të implementuar modelin gjerman të lënies së imunitetit. Kështu, sipas këtij modeli, pritet të shqyrtohet dhe kërkesa e Metës, pasi ky i fundit i ka shprehur zyrtarisht kryetares së Kuvendit se ka hequr dorë nga imuniteti.
Rregullorja
Rregullorja aktuale e Kuvendit në nenin 118 të saj parashikon se kërkesa dhe dokumentet shoqëruese për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit i paraqiten Kryetarit të Kuvendit nga Prokurori i Përgjithshëm. Kryetari ia dërgon kërkesën dhe dokumentet shoqëruese menjëherë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet dhe vë në dijeni Kuvendin në seancën plenare më të parë. Deputeti, për të cilin kërkohet dhënia e autorizimit, lajmërohet për kërkesën e bërë dhe dokumentet që e shoqërojnë atë, si dhe i bëhet e ditur koha në të cilën Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të fillojë shqyrtimin e kërkesës. Deputeti ka të drejtë të paraqesë në Këshill, me shkrim ose me gojë, shpjegimet dhe vërejtjet e tij rreth çështjes. Në përfundim të shqyrtimit, Këshilli, brenda 4 javëve, harton një raport për në seancë plenare, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit. Shqyrtimi i kërkesës për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ose arrestimin e një deputeti vendoset si pikë e parë e rendit të ditës të seancës së dytë pasardhëse, pas paraqitjes së raportit të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Në seancë plenare fjala i jepet në fillim deputetit, ndaj të cilit është paraqitur kërkesa, për të dhënë shpjegime ose për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve. Raporti i Këshillit nuk është objekt diskutimi. Kuvendi vendos me votim të fshehtë nëse do të jepet ose do të rrëzohet dhënia e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit. Pikërisht kësaj procedure mazhoranca pritet t’i shtojë dhe një pikë tjetër, sipas së cilës imuniteti konsiderohet i pavlerë në momentin që vetë deputeti heq dorë prej tij, pa qenë e nevojshme që të ndiqen procedurat e mësipërme. Rregullorja aktuale parashikon gjithashtu se në rastin kur Kuvendi nuk merr vendim për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ose të arrestimit të një deputeti brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës përkatëse, atëherë kërkesa konsiderohet e rrëzuar nga Kuvendi.