Xhaçka: Meta është në siklet
Deputetja socialiste, Olta Xhaçka deklaroi dje se “Ilir Meta, kryetari i, ndjesë pastë, Lëvizjes Socialiste për Integrim, ka një siklet të madh”. Sipas saj, ky është një siklet me zë e me figurë, një video ku Ilir Meta me bllok në dorë u tregoi të gjithë shqiptarëve se mbi çfarë korrupsioni e aferash është ngritur koalicioni i turpit mes tij dhe Sali Berishës. “Ilir Meta ka një siklet të madh e prandaj sulmon Prokurorinë e drejtësinë. Shantazhon e kërcënon me shpresën e vagullt se kështu do mund t’i shpëtojë ndëshkimit ligjor, për vjedhjen me bllok në dorë, që s’ka mbetur kush pa e parë tanimë. Vetëm një njeri i kapur me shpatulla pas murit, me zë e me figurë, teksa vjedh mund të veprojë si Ilir Meta. Nga një anë të ftojë Prokurorinë të hetojë e nga ana tjetër, ta sulmojë atë paturpësisht. Nga njëra anë, thotë se do i vihet në dispozicion drejtësisë, nga ana tjetër hedh çdo ditë vrer mbi Prokuroren e Përgjithshme”, theksoi Xhaçka. Në vlerësimin e saj, një njeri i pafajshëm do ta linte drejtësinë të bënte punën e saj, por Ilir Meta e di po aq mirë siç e dinë dhe shqiptarët, që nuk është i pafajshëm, prandaj sot e gjithë ditën sulmon Prokurorinë e opozitën.