E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Rruga, gjëja më e shtrenjtë e jetës publike

TIRANË- Kuvendi, përpara se të votonte pro heqjes së imunitetit të ministrit Lulëzim Basha, në bazë edhe të Rregullores i ka dhënë këtij të fundit të drejtën të shprehë qëndrimin e tij lidhur me gjithë këtë histori. Në një fjalë të gjatë, ku në shumicën e saj ministri Basha devijoi së tepërmi nga akuzat e ngritura nga prokuroria, ai ka mbrojtur edhe një herë punën që është bërë për rrugën Rrëshen-Kalimash. Duke hedhur poshtë të gjitha akuzat e prokurorisë si politike, ish-ministri i Transporteve ka theksuar se projekti në fjalë është më i madhi dhe më transparenti që ka ndërmarrë ndonjëherë shteti shqiptar. "Ky është padyshim projekti më madhor i ndërmarrë ndonjëherë nga një qeveri shqiptare. Rruga që lidh Shqipërinë me Kosovën dhe bashkon dy vëllezër të ndarë nga një histori e dhimbshme dhe një reliev i ashpër. Mund të thosha që imuniteti është më e pakta që mund të japë për këtë rrugë. I jam betuar këtij Parlamenti dhe kolegëve të nderuar, se kjo rrugë është gjëja më e shtrenjtë në jetën time publike. Jo thjesht prej lidhjes emocionale që një ministër i ndershëm Transporti mund të luajë me projektvendim, por si nip Kosove, si djali i një nëne me prindër të dëbuar nga Mitrovica e masakruar",- u shpreh Basha. Gjithashtu ai ka theksuar se tashmë qeveria e fitoi betejën për rrugën, pavarësisht kundërshtive të shumë faktorëve. "Duke votuar për heqjen e imunitetit, pas një akuze të analizuar qartësisht nga Këshilli për Rregulloren dhe Imunitetin, të cilës nuk kam çfarë t'i shtoj, akuzat janë krejtësisht të pabazuara në ligj. Ne i japim shansin Prokurorisë së Përgjithshme, të vërtetojë ose të hedhë poshtë baltën, shpifjen, luftën ndaj atyre që do t'u harrohen emrat kur rruga të ketë mbaruar me kaq zell mbi këtë projekt",- u shpreh Basha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›